Qeveria mohon të ketë formulë të re për demarkacionin, thotë se po presin vendimin e Kuvendit

Aktuale

Qeveria mohon të ketë formulë të re për demarkacionin, thotë se po presin vendimin e Kuvendit

Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:35
Qeveria

Qeveria e Kosovës ka mohuar se është duke përgatitur një formulë të re për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me të cilën siç është raportuar në media marrëveshjes kur të shkojë për ratifikim në Kuvend, do t’i bashkëngjitet edhe një deklaratë zotimi se do të diskutohen çështjet e kontestuara.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk është ratifikuar në Kuvend, për shkak se marrëveshja aktuale po cilësohet si e dëmshme për Kosovën, pasi nga kundërshtuesit e saj po thuhet se Kosova humb territor.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten e kaluar tha se janë duke punuar për një formulë sa i përket ratifikimit të demarkacionit, i cili do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave.

“Po punojmë për liberalizim. Është e ndërlidhur me demarkacionin. Jemi në kërkim të formulës me ndodh liberalizimi”, ishte shprehur kryeministri.

Por, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se kjo nuk të bëjë asgjë me raportimet në media, e cila ka të bëjë me nxjerrjen e një deklarate të përbashkët ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Malit të Zi, në të cilën theksohet gatishmëria për ta rinegociuar marrëveshjen.

“Procedimi i projektligjit ne Kuvend është puna konkrete qe qeveria e ka bere. Është ne pritje te asaj se çka do te vendos kuvendi. Nuk ka nisna te tjera”.

“Formula të cilës ju po i referoheni ka të bëjë me faktin, që në afat prej 100 ditësh të punës së Kryeministrit, projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, së bashku me raportin dhe gjetjet e Komisionit, është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Tani është në duart e Kuvendit dhe të deputetëve edhe projektligji edhe raporti”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë 

Një formulë për zgjidhjen e çështjes së shënjimit të vijës kufitare me Mali e Zi  e ka proklamuar në deklarimet e tij, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Ai ka thënë se janë duke punuar për një marrëveshje e cila do të duartrokitet nga të gjithë deputetët.

“Ne po punojmë që kur të shkojmë në Parlament të gjithë t’i duartrokasin variantit që do ta dërgojmë. Do të duartrokitet nga qytetarët e Kosovës po edhe nga miqtë tanë. Dhe përfundimisht ta mbyllim këtë temë”, kishte deklaruar Limaj.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, së bashku me raportin e Komisionit të ri të formuar nga kryeministri Haradinaj është dërguar në Kuvend. Ai është shqyrtuar nga Komisioni për Punë të Jashtme, i cili tash pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit, e cila më pas do ta procedojnë për në seancë plenare.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një intervistë kishte deklaruar se numri i deputetëve për përkrahin marrëveshjen aktuale të demarkacionit është rritur. Ai kishte thënë se presin që në he presim që në javën e tretë apo të katërt të diskutohet për këtë temë në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e 25 gushtit të vitit 2015 e nënshkruar në Vjenë mes Kosovës dhe Malit të Zi për përcaktimin e vijës kufitare, vazhdon të kundërshtohet nga Vetëvendosje, AAK e Nisma, gjë e cila e bënë të pamundur që ky version të kalojë në Kuvend.

Nga ana tjetër Mali i Zi deri tash ka kundërshtuar çdo mundësi që kjo çështje edhe një herë të kthehet në tavolinë, duke e konsideruar si të mbyllur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat