Ymeri: Kam pak shpresa se mund të shpëtohet ndarja e Vetëvendosjes

Aktuale

Ymeri: Kam pak shpresa se mund të shpëtohet ndarja e Vetëvendosjes

Më: 19 janar 2018 Në ora: 22:32
Visar Ymeri

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka pohuar se më parë kishte më shumë shpresa se do të mund të shpëtohet ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, kurse tani ka më pak shpresa se do të mund të shpëtohet ndarja, ndërsa ka pohuar se deri në një vendim të dytë do të funksionojnë si grup i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një intervistë për RTV 21, Ymeri ka mohuar se ka dy krah të ndarë në Vetëvendosje. “Ka njerëz që e mbështesin Albinin çfarë do që thotë dhe vepron ai, dhe ka njerëz, aktivistë, deputetë, kryetarë komunash, asambleistë, kryetarë qendrash që kanë pakënaqësi për atë që po ndodh në LVV”, ka pohuar Ymeri dhe ka shtuar se të pa kënaqurit mund të quhen si një grup i aktivistëve të LVV-së, të cilët e kanë një pakënaqësi me zhvillimet në organizatë, “si të tillë mund të quhen si bashkëmendimtar për ato që po ndodhin tani”.

Ai ka treguar se ka besuar deri vonë së LVV mund të shpëtohet, “por kohëve të fundit kam shumë më pak shpresa, sepse po e shoh që nuk ka as vullnet e sinqeritet, për ta vënë interesin e Lëvizjes për ballë interesit tjetër. Nuk po shoh ndonjë gatishmëri nga Albini dhe as nga njerëzit që e mbështesin Albinin”.

Ai ka theksuar se Albini ka pasur një përkrahje dhe simpati më të madhe në LVV dhe këtë nuk ka tentuar t’ia cenojë askush, dhe kjo histeri që është krijuar, nuk është natyrale, dhe nuk ka pasur arsye dhe vlerësoi se kjo është e qëllimtë.

“Deri në një vendim tjetër mbesim deputetë të LVV-së dhe mbesim aktivist të LVV-së, dhe deri në një moment të dytë ne do të funksionojmë si grup i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri dhe ka shtuar se me veprimet e tanishme e kanë zhgënjyer elektoratin, pasi njerëzit kanë pritur diçka tjetër nga LVV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat