Veteranët e Prishtinës dhe Ferizajt distancohen fuqishëm nga deklarata e Nasim Haradinajt

Aktuale

Veteranët e Prishtinës dhe Ferizajt distancohen fuqishëm nga deklarata e Nasim Haradinajt

Më: 19 janar 2018 Në ora: 23:24
Ilustrim

Ndaj deklaratës ofendues të Nasim Haradinjat, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, janë distancuar edhe degët e kësaj organizate në Prishtinë dhe në Ferizaj.

Këto dy degë të OVL UÇK në mbledhjet e mbajtura sot gjatë ditës kanë marrë vendim që të distancohen nga deklarata e Haradinajt kundër ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

“Ne deklarojmë se Nasim Haradinaj nuk e përfaqëson mendimin e Veteranëve të Degës së Prishtinës rreth prononcimeve të tij publike e fjalëve fyese ndaj Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z.Greg Delawie, kur dihet se SHBA-të ishin dhe janë aleatët më të fuqishëm të popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e degës së Prishtinës.

Dega e OVL-UÇK në Prishtinë distancohet dhe nuk përkrahë deklaratat e pamatura të kujtdo qofshin ato.

Në anën tjetër, dega e Ferizaj është treguar edhe më e ashpër. Kjo degë e OVL UÇK-së përpos distancimit nga gjuha fyese e Nasim Haradinajt, thotë se protestojnë edhe për manipulimin që është bërë me peticionin e OVL-UÇK-së, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Reagimi i plotë:

Organizata e OVL-UÇK dega në Ferizaj, në mbledhjen e mbajtur me datën 19.01.2018, merr qëndrim diferencimi ndaj prononcimit të z.Nasim Haradinajt dhe konsideron se fjalori i përdorur nga z.Haradinaj përmban gjuhë vulgare, gjuhë kjo që nuk është në kulturën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kjo gjuhë e përdorur është e panevojshme, e dëmshme për imazhin e Ushtrisë Çlirimtare dhe popullin e Kosovës në përgjithësi. Kërkojmë nga Selia Qendrore e OVL-UÇK-së që të shtojë ndikimin dhe prononcimet e tilla individuale të ndërpriten njëherë e përgjithmonë.

Gjithashtu protestojmë edhe për manipulimin që është bërë me peticionin e OVL-UÇK-së, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kryesia e OVL-UÇK dega në Ferizaj, Kryetari Rafiz Sejdiu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat