Vdekja e hershme e Jonuz Musliun humbje për kombin shqiptar

Aktuale

Vdekja e hershme e Jonuz Musliun humbje për kombin shqiptar

Më: 20 janar 2018 Në ora: 09:43
Homazhet në Teatrin e qytetit të Gjilanit

(E plotësuar) - I është dhënë lamtumira e fundit veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliut. Fillimisht ishin mijëra qytetarë që bën homazhe në teatrin e Gjilanit, pastaj është mbajtur një mbledhje komemorative, ku është çmuar lart kontributi i tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë arkivolit të veprimtarit Jonuz Musliu, për të cilin ka thënë se ishte një atdhetar që jeta e tij kishe veç një kuptim, siç është përpjekja për të drejtën e popullit të tij.

Kryeministri Haradinaj pasi bëri homazhe, u shprehu ngushëllime familjes, bashkëluftëtarëve të Jonuz Musliut, qytetarëve të Preshevës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj: Jonuzi një atdhetar

"Një atdhetar, intelektual, luftëtar, një njëri që jeta e tij ka veç një kuptim e drejta e popullit të vet, përpjekjet për këtë të drejtë. Në librin e zisë për të, në librin e pikëllimit, shkrova vetëm një fjalë Jonuz si ti, si populli ynë, luftë vuajtje por me nderë", tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se Jonuz Musliu aq shumë e ka dashur vendin, atdheun, kombin sa që ia ka kushtuar gjithë jetën e vet.

Ai tha se gjithë sakrifica e Jonuzit lidhet me rezistencë, me veprimtari dhe në fund edhe me kryengritje ushtarake.

Haziri: Jonuzi luftoi për drejtësi

"Familja duhet të jetë e nderuar dhe krenare sot në këtë dhimbje të madhe që po e kalon. Ne solidarizohemi dhe e ndajmë këtë dhimbje duke e njohur Jonuzin nga afër. Në detyrën e kryetarit të Këshillit kombëtar të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit, Medvegjes dhe në detyrën e kryetarit të Kuvendit të Bujanovcit, ai vazhdonte me luftua për drejtësi politike, për të drejta politike të shqiptarëve të Kosovës Lindore e cila mbet padrejtësisht jashtë zgjidhjes së problemit të Kosovës se Vjenës", tha ai.

Haziri tha se ai ka pasur besim, angazhim dhe vullnet që çështjen, besimin dhe idealin e tij dhe të shokëve ta dërgojë përpara.

Gjithashtu, Haziri ndau një mirënjohje postmortum për Jonuz Musliun për veprën dhe punën e bërë.

Për t’u ndarë me veprimtarin, Jonuz Musliu ishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili tha se një jetë më e mirë për të gjithë në Luginë të Preshevës dhe dashuria e madhe për vendlindjen ishin idealet që e kanë përshkruar rrugën jetësore të Jonuz Musliut, që nga rinia e tij e hershme e deri në ditën kur sëmundja e rëndë e ndau fizikisht nga ne.

Kamberi: Jonuzi, njëriu që e donte shumë vendlindjen e tij

"Për këto ideale Jonuzi u përball me shumë sfida gjatë gjithë jetës së vet. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë periudhës më të vështirë të Luginës së Preshevës, arrita ta njoh edhe më mirë kur bashkëpunuam dhe bashkëvepruam në kuadër të institucioneve tona lokale. Do ta kujtoj gjithmonë si një njëri që e donte shumë vendlindjen e tij, komunën tonë dhe dëshironte të bënte një vend më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Ishte i paepur, i vendosur dhe guximtar në ndërmarrjen e hapave për ndërtimin e një të ardhme më të drejtë, më të mirë dhe më të barabartë për njerëzit", tha ai.

Kamberi tha se po ndahet vetëm fizikisht nga Jonuz Musliu, por që do të vazhdojnë rrugëtimin e nisur bashkë.

Nga Organizatat e dala nga lufta foli Migjen Shala, i cili tha se Jonuzi i la herët, por që do të vazhdojnë proceset aty ku kanë mbetur.

Shala: Jonuzi, patriot i përmasave të gjera kombëtare

"Jonuzi udhëhoqi shumë procese, si dhe arriti të dal triumfues në beteja të ndryshme luftarake dhe politike. Jonuzi na la herët, por mbetet për ne të vazhdojmë proceset aty ku mbeten dhe ne ishim krenar që të njoftëm, një patriot i përmasave të gjera kombëtare siç ishte Jonuz Musliu", tha ai.

Ndërsa në emër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, foli këshilltari i tij Haki Shatri, i cili shprehu ngushëllimet për vdekjen e parakohshme të Jonuz Musliut.

E në emër të familjarëve foli djali i Jonuz Musliut, Shqiprim Musliu, ku ai tha se do të vazhdojnë të jenë pranë banorëve të Kosovës Lindore siç ka dashur babi i tij.

Musliu: Do të jemi prapë pranë jush në Kosovën Lindore

"Ju falënderojmë nga zemra familja që na mbështetët në këto momente. Ne jemi mirënjohës për ju gjithmonë qysh ka ditur prindi im, familja jonë gjithë ne t’i rezistojmë në kohë të vështira, ne do të jemi prapë pranë jush në Kosovën Lindore, ashtu qysh deshti babi im, qysh iu përgjigj në çdo kohë, në çdo moment, në gjitha format qoftë ushtarake, qoftë politike", tha ai.

I ndjeri Musliu ishte kryetar u kuvendit të komunës së Bujanocit dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

I lindur në vitin 1959, Musliu ishte i burgosur politik, ndërsa ka drejtuar Këshillin Politik të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta në Serbi.

Pas përfundimit të konfliktit në zonë, në pranverën e vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës.

***

Ka nisur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Jonuz Musliut.

Mbledhja po mbahet në sallën e Teatrit të qytetit të Gjilanit, ku përveç familjarëve po marrin pjesë edhe shumë miq dhe bashkëpunëtor të Musliut.

Haradinaj: Për Jonuz Musliun jeta kishte veç një kuptim e drejta e popullit shqiptar


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, kanë bërë homazhe tek arkivoli i veprimtarit Jonuz Musliu.

Haradinaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, bashkëluftëtarët, dhe të gjithë qytetarët.

“Familjes Musliu, bashkëluftëtarëve të Jonuzit, qytetarëve të Luginës së Preshevës, qytetarëve të kësaj treve Anamoravës, kryetari të Gjilanit z.Lutfi Hazirit dhe gjithë bashkëkombësve tonë ku do që janë ju shprehim ngushëllime për vdekjen e hershme të Jonuz Mulsiut”.

Haradinaj tha se për Musliun jeta kishte veç një kuptim e drejta e popullit shqiptar. Ai madje tregoi se edhe çka ka shkruar në librin e zisë.

“Një atdhetar, intelektual, luftëtarë, një njeri që jeta e tij ka veç një kuptim e drejtat e popullit të vet. Në librin e zisë e shkrova vetëm një fjalë ‘Jonuz si ti si populli ynë, luftë vuajtje, por me nder’”, tha Haradinaj, pas homazheve para arkivolit të Jonuz Musliut.

Nga ora 9:30 në Teatrin e qytetit të Gjilanit kanë filluar homazhet për nder të ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili poashtu ishte edhe kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu.

Homazhet do të mbahen deri në orën 12, ndërsa varrimi i Musliut do të bëhet në vendlindjen e tij në Konçul të Bujanocit në ora 14.

Jonuz Musliu ka vdekur në moshën 59 vjeçare në një spital në Turqi, ku ishte duke u trajtuar pas një sëmundje të rëndë.

***

Qytetarë të shumtë kanë ardhur në teatrin e Gjilanit për të bërë homazhe pranë arkivolit të veprimtarit të çështjes kombëtare Jonuz Musliu.

Pas pak pritet të bëjë homazhe edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa, nga ora 11:00, mbahet mbledhja komemorative.

Jonuz Musliu pas një sëmundje të rëndë ka vdekur të enjtën në Turqi.

Image
Image

Homazhe në nderim të Jonuz Musliut

Sot i jepet lamtumira e fundit kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe kryetarit të Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu.

Për të nderuar Musliun, po bëhen homazhe në Teatrin e qytetit të Gjilanit. Ndërsa, nga ora 11 do të mbahet një mbledhje komemorative.

Varrimi i Junuz Musliut do të bëhet në vendlindjen e tij në Konçul të Bujanocit në ora 14:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat