Vuçiq: Do të shkëmbejmë informacione për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale

Vuçiq: Do të shkëmbejmë informacione për vrasjen e Ivanoviqit

Më: 20 janar 2018 Në ora: 11:02
Aleksandar Vuçiq

(E plotësuar) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka porositur në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëjë gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Ai e ka bërë këtë deklaratë para Manastirit në Banjska, ku edhe e ka nisur vizitën e tij në Kosovë.

Vuçiq i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.

“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet, do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë.

“Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve, edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se është e nevojshme gjetja e moduseve të reja që ruajtja e sigurisë dhe paqes së serbëve të bëhet më e qartë.

Vuçiq theksoi se është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e veta.

Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka investuar mjaft në renovimin e kishave në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tej. Gjithashtu, ai e ka cilësuar të rëndësishme që të përfundojë projekti i vendbanimit banesor “Lugina e diellit’.

Peshkopi Teodosije, me këtë rast, ka thënë se vizita e Vuçiqit është mjaft e rëndësishme dhe se për serbët në Kosovë është e pamundur mbijetesa pa shtetin e Serbisë.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë po qëndron për vizitë njëditore. Presidenti serb, me eskortën e tij, ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Jarinë.

Vizita e Vuçiqit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.

Pas vizitës në Manastirin në Banjska, Vuçiq ka udhëtuar për në Mitrovicën veriore.

Ai ka vendosur kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviq.

Siç është paralajmëruar, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën e veriut, Vuçiq aktualisht është duke mbajtur takim të mbyllur me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës.

Ndonëse shumica e qytetarëve serbë në veri nuk kanë qenë të vullnetshëm që ta komentojnë vizitën e presidentit Vuçiq në Kosovë, megjithatë, dy prej tyre, kanë thënë se kjo vizitë është e nevojshme për popullin serb që jeton në Kosovë.

Miodrag Dragosavac nga Mitrovica e veriut ka thënë se përshendet ardhjen e Vuçiqit në Kosovë.

“Është për t’u përshëndetur ardhja e tij për ta ndarë me ne këtë situatë të rëndë, e cila na ka gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, njërit prej politikanëve më të mirë në këtë hapësirë”, ka thënë Dragosavac.

Miodrag Nedeljkoviq, po ashtu nga Mitrovica veriore, ka thënë se ardhja e Vuçiqit në Kosovë ka qenë e nevojshme.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq që të na vizitojë vazhdimisht. Populli është i gëzuar kur dikush i viziton nga Beogradi, nga Qeveria. Këtu, populli jeton shumë rëndë”, ka thënë Nedeljkoviq.

Më pas, është paraparë që Vuçiq të udhëtojë për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokalë.

Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia do të zbatojë planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.

Me urdhër të Drejtorisë kryesore të Policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.

Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiq do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokalë në Llapna Sellë.

Kjo është vizita e shtatë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë.

Vuçiq në Kosovë, bën homazhe për Oliver Ivanoviqin dhe jep një mesazh për serbët

Pas vendosjes së kurorave me lule në vendin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar vizitën në Kosovë me takimin me liderët politikë serbë.

Ai në Fakultetin Teknik është pritur nga kryetari i Mitrovicës Goran Rakiq.

Vuçiq vendos lule në vendin ku u vra Ivanoviqi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vendosi kurorë me lule te vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi.Pas vizitës në manastirin Banjska ku dha porosi për paqe, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vizitoi vendin ku u vra politikanë serb i Kosovës Oliver Ivanoviq.

Vuçiq vendosi një kurorë me lule te vendi i vrasjes së Ivanoviqit, duke nderuar me një minutë heshtje.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq po qëndron në Kosovë

Ai, fillimisht ka vizituar manastirin e Banjskës, dhe ka folur para gazetarëve rreth vrasjes së liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

I pari i shtetit serb, ka kërkuar që sa më shpejt të zbardhet vrasja e tij, ndërsa ka ritheksuar Serbia ka kërkuar të merr pjesë në hetime.

Njerëzit tanë janë shumë të mërzitur me vrasjen e fundit kriminale të Oliver Ivanoviqit.

“Ne do të shohim se si do të kryhen hetimet. Ne do të shkëmbejmë informata, pasi që unë shoh se ata po flasin për shkëmbimin e informacionit, edhe pse kemi kërkuar të marrim pjesë në hetim, por nuk do të presim të mësojmë nga gazetarët. Do shikojmë nëse rezultatet përfundimtare të hetimit do të na dërgojnë tek kryerësit e krimeve të neveritshme në Mitrovicë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë shumë gjëra do të jenë më se të qarta për ne”, ka thënë Vuçiq.

Ai ndër të tjera, porositi serbët, të qëndrojnë në Kosovë, pasi që shteti serb do ta mbështes ekonomikisht dhe në aspekt të sigurisë.

Teodosie: Nuk mund të mbijetojmë në Kosovë pa Serbinë

Peshkopi i Rashkës-Prizrenit dhe Kosovës, Teodosie përshëndeti ardhjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Manastirin e Banjskës.

"Vizita e presidentit Vuçiq për të gjithë ne në Kosovë është shumë e rëndësishme. Ne nuk mund të mbijetojmë pa shtetin e Serbisë, duhet të kemi forcën, guximin dhe durimin, por vetëm me ndihmën e gjithë shtetit ne do të vazhdojmë ta bëjmë atë, siç kemi bërë deri tani, "tha Teodosie.

Ai shtoi se manastiri i Banjskës po rindërtohet në vitet e fundit me sukses, dhe veçanërisht nga kontributi i presidentit Vuçiq.

"Kjo na jep shpresë se në këtë kohë të vështirë mund të rinovojmë vendet e shenjta dhe të forcojmë praninë tonë në Kosovë", tha Teodosie.

***

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në Banjska, se Beogradi dhe Prishtina do të shkëmbejnë informacione në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviq.

"Ne do të shkëmbejnë informacion. Por ne do të duhet të presim jo storiet  për gazetat, por rezultatet përfundimtare të hetimit, në qoftë se kjo nuk ndodh, atëherë shumë gjëra do të jenë më të qarta," tha Vuçiq.

Vuçiq tha se ka tri mesazhe për serbët, e para është se ata duhet të mbijetojnë dhe të mbeten në Kosovë, e dyta se ai erdhi për të biseduar për të garantuar sigurinë e tyre, dhe e treta se qeveria e Serbisë duhet të merret me krimin dhe korrupsionin në radhët e veta.

"Serbët duhet të qëndrojnë dhe mbijetojnë në shtëpitë e tyre, dhe shteti i Serbisë ka ndihmuar dhe do të ndihmojë në të ardhmen. Jam këtu për të folur në lidhje me sigurinë e serbëve," tha Vuçiq.

"Ne nuk duhet të jemi më pak në territorin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë ne do të luftojmë si shtet në të gjitha mënyrat", shtoi Vuçiq.

Ai porositi shqiptarët se shpesh kanë interesa të ndryshme me serbët, por se Serbia do të bënte çmos për të ruajtur paqen.

"Që dekadat dhe shekujt e mosmarrëveshjeve të zgjidhen për të siguruar qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë për çdo familje serbe dhe shqiptare”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka njoftuar se shteti do të investojë edhe 250 milionë dinarë në rindërtimin e manastirit Banjska dhe përfundimin e menjëhershme të ndërtimit të fshatit "Luginës së Diellit” në Zveçan për rreth 300 familje të zhvendosura serbë nga Kosova.

Image

***

Vuçiq gjatë qëndrimit në Manastir, u dërgoi tre mesazhe serbëve: Të qëndrojnë në Kosovë, luftën kundër krimit në veri, dhe siguria për serbët.

“Serbët duhet të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë ndërsa shteti i Serbisë duhet të vazhdojë t’i ndihmojë”.

“Shteti i Serbisë do të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë, për të siguruar përparimin e tyre ekonomik dhe për të gjetur mekanizma të reja për të siguruar sigurinë e tyre dhe për t’u marrë me krimin dhe korrupsionin”.

“Unë erdha për t’u treguar shqiptarëve se Serbia jo vetëm që dëshiron paqe, por do të bëjmë çmos për ta ruajtur atë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Jam për të siguruar qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë për çdo familje serbe dhe shqiptare”, tha Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq hyn në Kosovë, ndryshon agjendën, masa të shtuara sigurie në rrugët e Mitrovicës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vendos kurora lulesh në vendin ku është vrarë Oliver Ivanoviq.

Lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, është sulmuar mëngjesin e së martës me armë zjarri, ku edhe ka vdekur.

Sulmi ka ndodhur para zyrës së zotit Ivanoviq.

Qytetarë, media dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në vendin ku është vrarë Oliver Ivaniq, pasi aty në ora 12:00, është paraparë të vjen Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të vendos kurora lulesh.

Në agjendën e mbrëmshme nuk është paraparë ta vizitojë vendin ku është vrarë Ivaniviqi, megjithatë, ai sot ka ndryshuar agjendën.

Përndryshe, Vuçiq do të ketë takim me përfaqësuesit serbë në Kosovë, në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut.

Image

***

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbërriti sot në manastirin e Banjskës, ku u prit nga një numër i madh i qytetarëve dhe priftëria e manastirit me peshkopin Teodosio, nën një borë të madhe dhe me tingujt e kambanave të manastirit.

Një numër i madh njerëzish u mblodhën këtë mëngjes përpara Manastirit Banjska kod Zveçana, ku pritën ardhjen e Vuçiq.

Aty ishin edhe të gjithë kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe, me përjashtim të kryetarit të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Vuçiq po viziton sot Kosovën, për të biseduar me serbët pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Vizita e Vuçiq zhvillohet në Kosovë me lejen e Qeverisë së Kosovës.

Masa të shtuara sigurie në rrugët e Mitrovicës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq arriti sot në Kosovë, në një nga momentet më të ndjeshme për serbët lokalë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Në Mitrovicë, masat të shtuara të sigurisë janë vënë re këtë mëngjes, ka një prani të dukshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovoës, si dhe oficerëve të policisë në rrugët e qendrës së qytetit. Në qytet gjithçka është e qetë dhe pa tension të dukshëm.

Vuçiq po viziton sot Kosovën, për të biseduar me serbët lokalë.

Siç njoftohet, presidenti i Serbisë në fillim vizitoi manastirin Banjska, dhe më pas do të ketë një takim me zyrtarët serbë në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me eskortën e tij, para pak minutave kanë hyrë në territorin e Kosovës përmes kufirit të Jarinjes.

Vizita e tij ndodh pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, që ndodhi këtë javë në veri të Mitrovicës, ku vrasësit dhe motivet e vrasjes ende nuk dihen. 

Ndërkohë, ka ndryshuar agjenda e tij. Së pari ai do ta vizitojë manastirin Banjska. Pastaj nga ora 12:00,  do të bëjë homazhe në vendin ku është vrarë Oliver Ivanoviçi.

Rreth orës 12:15 do të ketë takim me përfaqësuesit serbë në Kosovë, në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut.

Pastaj do të niset për në Graçanicë, ku në orën 17:00 do ta vizitojë Manastirin, pastaj në ora 17:30, do të ketë takime me qytetarë në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat