Edhe në një lagje të Prishtinës asnjë votë kundër Kurtit

Aktuale

Edhe në një lagje të Prishtinës asnjë votë kundër Kurtit

Më: 21 janar 2018 Në ora: 21:31
109 anëtarët e VV

109 anëtarët e VV’së që morën pjesë në zgjedhjet e sotme për kryetar partie në shkollën ‘Gjergj Fishta’ në Prishtinë kanë votuar për Albin Kurtin.

Kështu ka njoftuar në Facebook, anëtari i kësaj partie, Enver Redenica. Sipas tij, në këtë qendër votimi, askush nuk ka abstenuar apo të votonte kundër.

“Në shkollën fillore 'Gjergj Fishta' në Prishtinë, votuan 109 anëtarë; Për Albinin 109, kundër 000, abstenim 000. Urime Albin”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej ai ka falënderuar aktivistët të cilët sipas tij votuan masivisht.

Rezultat të ngjashëm Kurti mori edhe në Vranjevc. Prej 234 votave, 232 vota janë pro kandidatit të vetëm, Albin Kurti.

Ndërkohë nëpërmjet një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Vetëvendosje ka treguar se kush ishin zyrtarët e lartë që dolën për ta votuar Kurtin.

"Parimi një anëtar - një votë, mblodhi sot anëtarësinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke votuar në zgjedhjet e brendshme për organizatën e saj në secilin qytet, lagje e fshat e kudo aty ku Lëvizja ka shtrirjen e saj. Interesimi i madh për këtë proces demokratik tregon për një organizatë të gjerë dhe strukturë aktive", thuhet në postimin e shoqëruar me fotografi gjatë votimit.

Aty shihen duke votuar edhe Shpend Ahmeti, Mytaher Haskuka, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, dhe Rexhep Selimi.

Në votimin e sotëm, i cili sipas vetë Kurtit paraqet ‘demokraci të thellë’ në Vetëvendosje nuk kanë votuar të dorëhequrit nga kjo parti. 

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në mesin e atyre që nuk votuan. Shpend Ahmeti zgjodhi të dalë në votime minuta para përmbylljes së vendvotimeve.

Ndërkohë, po ky grup, i kryesuar nga ish-shefi i VV’së Visar Ymeri, thuhet se do të formojnë parti të re.  

Problemet në Vetëvendosje që u tha se nisën prej më shumë se një viti, dolën në publik në fund të vitit që lamë pas. Publikimi i një mesazhi privat të Aida Dërgutit, ish-anëtare e Kryesisë së VV’së, ku ajo e quante ‘mut’ Kurtin, nxori zbuluar përçarjet brenda partisë.

Kjo shkaktoi një valë ofendimesh e kritikash në internet dhe vazhdoi me dorëheqje të shumë anëtarëve.

Kështu tani raportohet për dy grupe, krahun e Albin Kurtit dhe të Dardan Molliqajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat