Iniciativa për shfuqizimin e ligjit për Specialen i shkon Qeverisë, LDK kundër

Aktuale

Iniciativa për shfuqizimin e ligjit për Specialen i shkon Qeverisë, LDK kundër

Më: 22 janar 2018 Në ora: 07:38
Pamje nga mbledhja e Kryesisë

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim që iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ta dërgojë në Qeveri.

E  mbledhjen e kanë lëshuar përfaqësues të LDK-së, në momentin kur në rend dite, ishte iniciativa për shfuqizimin e gjykatës speciale.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se LDK është kundër kësaj iniciative, e cili vë në pikëpyetje marrëdhëniet  e Kosovës me miqtë ndërkombëtar.

Hoti: Ne lëshuam mbledhjen, jemi kundër iniciativës

"Në pjesën e tretë ku diskutohet për ligjin për shfuqizimin e dhomave të specializuara, ne e lëshuam mbledhjen e kuvendit, në përputhje me qëndrimin që ka grupi jonë parlamentar dhe LDK- ja për këtë çështje që është shumë e debatueshme për shoqërinë kosovare, duke qenë se i vë në pikëpyetje të gjitha marrëdhëniet, që deri tash shteti i Kosovës ka ndërtuar me miqtë më të fortë ndërkombëtar, të botës demokratike. LDK është kundër kësaj iniciative", tha ai.

Ndërsa  shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca tha se me vendimin e kryesisë që t’i dorëzojë Qeverisë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, topi tashmë kalon në dorën e kësaj të fundit.

Konjufca: Topi është në dorën e Qeverisë

 “Morën vendim me shumicë të votave, që nisma e deputetëve për shfuqizimin e dhomave të specializuara, t’i shkoj për shqyrtim Qeverisë së Kosovës dhe tash kemi një avansim të kësaj nisme. Tash mendoj që ju me kamerat tuaja duhet të shkoni ta pyesni Qeverinë e Kosovës, se çka do të bëjë. Mendoi që njëri dalloi nga vendimmarrja por për këtë duhet ta pyesni Xhavit Halitin pse, mendonte kështu.. Kjo do t’i shkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe krejt tash topi është në dorën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, se çka mendon për shfuqizimin e dhomave të specializuara. Kjo iniciativë tashmë nuk është në Kuvendin e Kosovës. Nga kuvendi, kryesia mori vendim që kjo t’i shkonte Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ai.

E shefi i grupit të PDK-së, Memli Krasniqi tha se kryesia e ka pasur përgjegjësi që këtë iniciativë ta dërgojë në Qeveri dhe se pret që Qeveria t’i kryej detyrat e saj. 

Krasniqi: Besojmë që do ta marrë përgjigjen finale

“Iniciativa e 42 deputetëve në lidhje me ndryshimin e  ligjit ekzistues për dhomat e specializuara, tashmë gjithçka ka marrë rrugën procedurale ligjore, ashtu siç kemi thënë dhe në të kaluarën se duhet të trajtohet. Sepse askush nuk mund t’i mbyllë sytë para një teme ekzistuese, një teme të ndjeshme me të cilën ka fiks një muaj që krejt skena politike është duke u marrë. Besojmë që proceduralisht do të marrë dhe përgjigjen finale”, tha ai.

E kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se kanë vepruar në bazë të rregullores.

Veseli: Vepruam në bazë të rregullores

“ Kemi vepruar në bazë të rregullores. Gjithçka çfarë është bërë, është procedim në bazë të rregullores së Kuvendit. Iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e gjykatës speciale, iu ka dërguar për mendim Qeverisë. Kjo është e tëra të cilën mund ta them. Përndryshe qëndrimet politike i kemi, nuk ka pasur nevojë askush të del nga mbledhja e kuvendit. Është procedurale tërësisht”, tha ai.

Kurse, i pyetur se kur demarkacioni do të shkojë në Kuvend, Veseli tha se do ta procedojnë gjithsesi, por jo në seancën e ardhshme.

Veseli: Demarkacioni në seancën e ardhshme

“Nuk do ta kemi në seancë plenare, për arsye se komisioni parlamentar nuk e ka sjellë në kohen e duhur, që të trajtohet në këtë mbledhje të kryesisë, kështu që nuk do të jetë në seancën e ardhshme. Do të presim të procedojmë gjithsesi. Për arsye se tashmë e kemi qëndrimin por për këtë mbledhje nuk ka qenë e përgatitur”, tha ai.

Ndryshe,  kryesia ka marrë vendim që vazhdimi i seancës të mbahet më datë 25 janar dhe po atë ditë të vazhdohet me seancë të re.

Iniciativa për shfuqizimin e ligjit për Specialen i shkon Qeverisë

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka njoftuar se kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që iniciativa për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës.

“Kësaj radhe kryesia e kishte kuorumin dhe morëm vendim që nisma t'i shkojë për shqyrtim të Qeverisë së Kosovës. Pra kemi një avancim të kësaj nisme. Mendoj që njëri nga anëtarët dalloi nga vendimmarrja e për këtë duhet ta pyesni Xhavit Halitin. Ka shkuar siç është kërkuar kjo nisme. Topi tani është në dorën e Qeverisë se çka mendon për shfuqizimin”, tha ai.

***

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka lëshuar sallën ku po mbahet mbledhja e kryesisë, pasi aty ka filluar të diskutohet për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai ka njoftuar se kanë përfunduar diskutimin për vazhdimin e seancës dhe disa pika të seancës së re.

“Ne e lëshuam sallën, LDK është kundër kësaj iniciative”, tha ai.

***

Kryetari i GP të LDK Avdullah Hoti, ka braktisur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kur filloi diskutimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, tha ai.

Hoti shtoi se mbledhja e Kryesisë po vazhdon ende.

“ Qëndrimi ynë për Specialen dihet. LDK është kundër shfuqizimit. Ishte në rend dite edhe sot. Të shohim si do të vazhdojnë më tutje shumica parlamentare”, shtoi ai.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit

Është mbajtur mbledhja e kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, ku përveç tjerash është vendosur se kur do të mbahet seanca në të cilën kryeministri Ramush Haradinaj, do të jetë në interpelancë sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Mbledhja ka filluar në ora 9:00, ndërsa, tash pritet të ketë konferencë për media.

Përndryshe, ende nuk dihet nëse do të shqyrtohet kërkesa e deputetëve nënshkrues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. 

***

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhja e kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku përveç tjerash do të vendoset se kur do të mbahet seanca në të cilën kryeministri Ramush Haradinaj, do të jetë në interpelancë sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Sipas njoftimit, mbledhja do të mbahet në ora 9:00, derisa ende nuk dihet nëse do të shqyrtohet kërkesa e deputetëve nënshkrues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Rendi  i ditës

1. Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme,

2. Përgatitjet për seancë plenare:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 14 dhjetor 2017:

1. Votimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016,

2. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016,

3. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018,

4. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

5. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa.

II. Përgatitjet për seancën plenare të radhës:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga z. Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,

5. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm - Agjenda 2030 për Kosovën,

6. Shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 05/L-080,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Azil,

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Standardizim,

13. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016,

14. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016,

15. Shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026,

16. Zgjedhja e një (1) kandidati për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

17. Zgjedhja e 5 (pesë) zëvendësve të Avokatit të Popullit,

18. Propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat