Koalicioni kundër qenve

Aktuale

Koalicioni kundër qenve

Më: 23 janar 2018 Në ora: 08:24
Qentë endacakë

Zyra e Kryeministrit, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe disa nga Komunat e Kosovës janë bashkuar për të zgjidhur çështjen e qenve endacakë që janë kthyer në problem për qytetarët e Kosovës.

Sulmi i qenve endacakë ndaj djaloshit 4 vjeçar në Lagjen “Emshir”, apo i dy të tjerëve të sulmuar në Lagjen “Ulpiana” në Prishtinë në muajin shtator bënë që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Pak ditë më vonë në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një vendimi i ka obliguar të gjitha komunat e Kosovës të shpallin gjendje emergjente dhe të marrin masa për trajtimin e qenve endacakë.

“Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës në territorin e tyre të shpallin gjendjen emergjente dhe të mobilizojnë strukturat e sistemit të mbrojtjes, shpëtimit, ndihmës dhe shërbimeve të tjera emergjente, të cilat do të merren me trajtimin e qenve endacakë për të zvogëluar rrezikun e qytetarëve, ku do të përfshihen, zënia, kastrimi, sterilizimi, vaksinimi, dehelmentizimi, identifikimi dhe lëshimi i tyre”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 13 tetor.

Asociacioni i komunave

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka thënë se së bashku me Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e kanë përpiluar një strategji pesëvjeçare, ku përfshihet trajtimi i qenve endacakë, analiza e përcaktimit të metodës për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë në Kosovë.

“Problemi më i madh është që komunat veç e veç nuk munden me zgjidhë këtë problem, sepse qentë endacakë po lëvizin dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar që kur të fillojë trajtimi i qenve endacakë ky fenomen me u trajtu në të gjitha komunat përnjëherë”, ka thënë Ibrahimi.

Edhe në Kryeministri e pranojnë se kjo çështje kërkon një zgjidhje sistematike dhe gjithëpërfshirëse dhe jo individuale për secilën komunë veç e veç.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës në emër të gjitha komunave të Kosovës ka bërë një kërkesë për trajtimin e qenve endacak në nivel vendi që përfshin tërë territorin e Kosovës. Kostoja e vlerësuar vjetore e këtij projekti është mbi 1 milionë euro, kurse në vitet në vijim kjo kosto pritet të bie”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Sazan Ibrahimi nga AKK ka thënë se një herë duhet të ndërtohen 7 strehimoret rajonale dhe sipas tij kjo e rritë koston fillestare.

“Ne kemi kërkuar mbi 1 milion euro për vitin e parë, kur të fillon trajtimi kemi mendu që duhet të ndërtohen 7 qendra rajonale, ku aty do të bëhet kastrimi, sterilizimi, vaksinimi i qenve endacakë”, ka shtuar Ibrahimi.

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa pas kërkesave të vazhdueshme nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) me 19 dhjetor e ka miratuar kërkesën e AKK-së për ndarjen e 1.3 milion eurove për trajtimin e qenve endacakë.

“Do të kontraktohen kompanitë që do t’i zënë qentë dhe t’i sjellin aty, t’u sigurohet ushqimi, të kastrohen, vaksinohen, dhe kjo e ka një kosto, na kemi menduar që kosto e përgjithshme operative vjetore për një strehimore mundet me shku deri në 21 mijë euro, kjo shumë shumëzohet me 7 dhe del 147 mijë euro, ku hyn edhe pagesa e ujit, energjisë elektrike”, ka shtuar Sazan Ibrahimi nga AKK.

Lamir Thaçi, zëdhënës për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se janë duke pritur që Kuvendet Komunale të reagojnë në këtë çështje gjithmonë duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ne jemi duke e përcjell situatën e krijuar me qentë endacakë, kemi hartuar aktet nënligjore të cilat e rregullojnë këtë çështje. Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve dhe njëkohësisht të pengohen  kafshimet  apo sulmet e mundshme të qenve endacakë”, ka thënë Thaçi.

Bashkimi i Komunave

Në komunën e Pejës thonë se problemin me qentë endacakë nuk mund ta zgjedhin vetëm.

“Jemi në fazën e analizës për më vazhdu më tutje. Ky problem duhet të zgjidhet edhe me Komunat e tjera, se vetëm me Komunën e Pejës nuk mund të zgjidhet. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Pejës. Komuna e Pejës kishte bërë një tentativë për t’i trajtuar qenët endacak në një strehimore, por në fund të gjithë qenët ishin lëshuar dhe problemi kishte mbetur.

Kurse në Komunën e Mitrovicës thonë se konform vendimit të qeverisë do të fillojnë përcaktimin e një lokacioni ku do të bëhet trajtimi i qenve endacak. Ata thonë se janë duke e përgatitë një plan konkrete, mbi bazën e të cilit do të kërkojnë edhe mbështetje financiare nga qeveria e Kosovës.

“Aktualisht  komuna jonë nuk ka kërkuar mbështetje financiare nga Qeveria, sepse jemi në fazën e bisedimeve rreth planifikimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Edhe kryeqyteti i Kosovës thotë se e ka të pamundur që e vetme të zgjidh çështjen e qenve endacakë. Trajtimin e tyre e bënë të vështirë migrimi i qenve nga komuna në komunë.

Në komunën e Prishtinës është themeluar Komiteti i Krizës, i cili përfshin Policinë e Kosovës, FSK-në, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës. Ata kanë hartuar një plan operativ dhe e kanë përpiluar hartën e rrezikut duke identifikuar vendndodhjen e qenve endacakë.

“Duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi dhe ne si Komunë e Prishtinës ka kohë që i jemi drejtuar Qeverisë së Kosovës për nevojën e zgjidhjes së problemit të qenve endacakë në tërë territorin e Kosovës, edhe pse me ketë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore, komunat nuk kanë mundësi me u përballë vetë me këtë problematikë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të Komunës së Prishtinës.

Ridvan Berisha, inspektor i veterinarisë në komunën e Ferizajt  ka thënë për KALLXO se problemi i qenve endacakë është problem nacional, jo vetëm komunal.

“Kafshët endacake janë kafshë territoriale, dhe nuk mjafton vetëm ne si komunë të bëjmë trajtimin e tyre, kurse komunat fqinje të mos e bëjnë. Ndihma nga Qeveria e Republikës së Kosovës është mëse e nevojshme, për shembull, për ndërtimin e një qendre strehimore e cila është e kushtushme dhe komuna e ka të vështirë ta përballoj vetëm, sepse e vetmja zgjidhje adekuate, ligjore dhe afatgjate është ndërtimi i një qendre strehimore dhe trajtimi i tyre përmes kësaj qendre”, ka theksuar Berisha.

Për vitin 2017/2018, nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në komunën e Ferizajt janë ndarë 24 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë.

“Që i bie në total brenda kësaj kohe do të trajtohen 1,200 qen endacakë. Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, bën monitorimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë, herë pas here bën edhe konstatimin e gjendjes me procesverbale”, është shprehur Berisha nga komuna e Ferizajt.

Gjilani së bashku me Vitinë dhe Kamenicën do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për buxhet në Qeverinë e Kosovës.

“Edhe pse trajtimin e qenve endacakë e kemi bërë nga viti 2014, gjendja është e njëjtë sikur në tërë vendin ngase komunat fqinje nuk i trajtojnë qentë dhe lëvizja e tyre është e pa kontrollueshme. Jemi dakorduar që kërkesën për mjete ta bëjmë bashkë me komunat fqinje: Vitinë dhe Kamenicën”, kanë theksuar komuna e Gjilanit.

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë  ka thënë se e kanë të gatshme listën e subjekteve veterinare të licencuara (praktikat private veterinare të licencuara) për secilën komunë në gjithë vendin dhe se në momentin qe Kuvendet Komunale e kërkojnë AUV do ua ofroj këtë listë.

“Bazuar në Ligjin për Veterinari 21/2004 dhe Ligjin Nr. 02/L-10 Për Përkujdesjen ndaj Kafshëve dhe aktet tjera nënligjore të dala nga këto dy ligje, komunat e vendit janë të obliguar që të zbatojnë masat për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak. AUV me kapacitetet e veta profesionale dhe teknike do të mbështes çdo komunë të vendit”, ka potencuar Thaçi.

Kurse Sazan Ibrahimi nga AKK është shprehur se presin që pas pesë viteve ky fenomen, ndoshta të mos asgjësohet komplet por të reduktohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat