Haradinaj: Ish-kryetarët pa pasur buxhet hynë në projekte në vlerë 5 milionë euro

Aktuale

Haradinaj: Ish-kryetarët pa pasur buxhet hynë në projekte në vlerë 5 milionë euro

Më: 23 janar 2018 Në ora: 14:47
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka akuzuar sot qeverisjen e kaluar komunale për keqmenaxhim duke lënë nivelin komunal në gjendje të keqe financiare dhe me borxhe të shumta, andaj nevojitet shumë punë për të dalë nga kjo gjendje e trashëguar.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga i cili ka marrë mbështetje për projektet e ardhshme komunale për të mirën e qytetarëve ferizajas. Ai tha se në takim është biseduar edhe për sfidat e qeverisjes lokale, të cilat nuk janë të pakta.

Aliu: Kemi trashëguar një gjendje jo shumë të mirë financiare

“Kemi trashëguar një gjendje jo shumë të mirë financiare me keqmenaxhim, më keq planifikim dhe me obligime të shumta. Respektivisht me borxhe të shumta. Por sigurisht se pas kësaj kërkese që i bëmë kryeministrit, do të studiohen mundësitë që përfundimisht komunat e Kosovës dhe komuna e Ferizajt që është një ndër komunat që ka pasur keqmenaxhimin më të keq apo më të lartë në nivel të Kosovës, të mos kem më shembuj të tillë”, tha Aliu.

Ai ka theksuar se si pasojë e keqmenaxhimit të qeverisjes së kaluar lokale shumë operatorë ekonomikë janë futur në obligime.

Aliu: Folëm për shumë projekte

“Prandaj është e drejtë çdo kërkesë e jona dhe çdo projekt strategjik, të cilat i diskutuam me kryeministrin Haradinaj që në të ardhmen të bëhen dhe pjesë e projekteve. Folëm për shumë projekte që janë futur dhe të cilat do të kenë një dinamikë krejtësisht të re dhe ndryshe nga më parë. Folëm që dalëngadalë të jenë dhe pjesë e buxhetit shumë projekte strategjike që kanë të bëjnë me Ferizajn”, tha kreu i Ferizajt.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Komuna e Ferizajt ka një buxhet prej 29 milionë eurove nga niveli nacional, ndërsa Qeveria që ai drejton do të komunikojë me komunën e Ferizajt lidhur me të gjitha temat me interes, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë.

Haradinaj: Kryetarët paraprakë pa pasur buxhet hynë në projekte me vlerë 5 milionë euro

“Nuk është mirë me iu ik temave. Në fakt sot, kryetari ma ka bë një ndihmesë të madhe nuk jam ballafaquar me gjendjen e Ferizajt. Mora vesh se një gjendje të ngjashme kemi në shumë komuna të Kosovës, ku kryetarët paraprakë pa pasur buxhet duke zotuar vetëm 10 mijë euro kanë hyrë në projekte që kanë vlerë 5 milionë euro. Ato janë borxhe të ngarkuara për të gjitha komunat dhe ka këso raste shumë. Dhe se Qeveria duhet ta bëjë një plan që të ballafaqohet me këtë dhe t’i marrë këto përgjegjësi që mos të jenë komunat gjatë gjithë viteve që vijnë të ngarkuara me këtë presion të borxheve, e të mos mund t’iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve që janë të shumta”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj: Ende zyrtarisht nuk e kemi marrë shkresën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që i bëri sot Komunës së Ferizajt, ka folur për nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të cilën Kryesia e Kuvendit dje ia propozoi Qeverisë.

Kryesia e Kuvendit dje ka marrë vendim që iniciativa për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës.

Por, Haradinaj sot tha se ende nuk e kanë marrë shkresën dhe nuk e dinë njëherësh as përmbajtjen.

Haradinaj: Ende zyrtarisht nuk e kemi marrë shkresën

“Formalisht jo, por e di që na e ka dërguar. Por ende zyrtarisht s’e kemi marrë shkresën. Sekretariati i Kuvendit na çon neve. Ende nuk e dimë as përmbajtjen. E kam lut sot sekretarin tonë me shkuar me fol me sekretarin e kuvendit, me marrë jo zyrtarisht me pa çka na kanë dërguar. Procedurat e Qeverisë janë kështu. Kur vjen një kërkesë e këtillë, ne japim mendim. Atëherë disa ministri po e japin mendimin e vet. Bazuar në atë mendim, Qeveria ka kalon mendimin Parlamentit. Në këtë rast vendimi i Qeverisë nuk është fort i vlefshëm, për shkak se ky është një mocion që buron nga Parlamenti. Megjithatë, Parlamenti e ka në pronësi këtë mocion, pasi buron nga Parlamenti. Por, Qeveria me respekt do t'i kryejë të gjitha procedurat, që parashihen në këtë rast", tha Haradinaj.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë dje njoftoi se më 25 janar do të jetë vazhdimi i seancës dhe menjëherë pas saj seanca e re parlamentare.

“Kemi vepruar në bazë të rregullores së kuvendit, iniciativa iu ka dërguar për mendim Qeverisë. Qëllimet politike i kemi s’ka pas nevojë askush të dal nga mbledhja. Demarkacioni nuk di ta kemi në seancë plenarë për arsye se komisioni nuk e ka sjellë në kohë të duhur. Do të presim ta procedojmë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat