Dikur nuk e njihte Thaçin president, tash është këshilltar i tij

Aktuale

Dikur nuk e njihte Thaçin president, tash është këshilltar i tij

Më: 23 janar 2018 Në ora: 20:23
Hashim Thaçi

Veli Bytyqi thoshte se Hashim Thaçin nuk e njeh si President të Kosovës, në një opinion të publikuar në muajin shkurt të vitit 2016. 

Veli Bytyqi është emëruar të hënën këshilltar politik i Hashim Thaçit, edhe pse ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e kishte quajtur “autokrat” dhe politikan me mendësi provinciale” presidentin e Kosovës.

Bytyqi ka qenë kritik i vazhdueshëm i aktivitetit politik të Hashim Thaçit në vazhdimësi. Madje, kritikat e tij ndaj Thaçit kanë qenë aq të rënda, sa që e quante hakmarrës e përçarës presidentin kosovar.

Duke kritikuar idetë e Presidentit Thaçi për ndryshimet në procesin zgedhor, Bytyqi kishte shkruar një shkrim kritikues ndaj tij, në nëntorin e vitit të kaluar, raporton Gazeta Online Insajderi.

“President autokrat, me mendësi autokrate!”, shkruante Bytyqi, rreth një vit më parë.

“Opozita, duke njohur presidentin autoritar e me mendësi provinciale, hakmarrës e përçarës, nuk dënjoi të shkonte në këtë takim të stisur e fars”, shkruante Veli Bytyqi, teksa për tashmë shefin e tij, Hashim Thaçin, thoshte se është president autoritar.

Bytyqi nuk ndalej me kaq. Kritikat e tij ndaj Thaçit kalonin edhe në aspekt personal, teksa e quante presidentin “njeri hakmarrës e xheloz”.

“Dje, pra ky njeri, lëshoi kërcënimin e radhës duke dëshmuar se është përçarës, telashexhi, autokrat, hakmarrës, xheloz e me mendësi primitive!”, shkruante ai.

Madje, Veli Bytyqi thoshte se Hashim Thaçin nuk e njeh si President të Kosovës, në një opinion të publikuar në muajin shkurt të vitit 2016.

“Unë nuk të njoh për president të vendit tim kurrë, ani se kjo ty nuk të prishë punë, por mos harro se këso si unë janë shumica e njerëzve të këtij vendi. U treguat primitiv, provincial, gjarpër i ftohtë akull edhe kur deputetët e opozitës tërhiqeshin zvarrë nëpër sallë”, kishte thënë Bytyqi.

Por, dy vjet pasi ishte shprehur se nuk e njeh Thaçin për President të vendit, Bytyqi i është bashkuar stafit të tij në Presidencë.

Në vitet 2001 deri më 2004, Veli Bytyqi kishte shërbyer si këshilltar politik në Komunën e Prishtinës që udhëhiqej nga LDK./Insajderi

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat