Apostollova: Kosova të mos mbetet peng i individëve!

Aktuale

Apostollova: Kosova të mos mbetet peng i individëve!

Më: 24 janar 2018 Në ora: 07:55
Natalija Apostolova

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, ka deklaruar se Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

E para e BE-së në Kosovë këto komente i ka bërë të martën gjatë një konference për medie, ku bashkë me ambasadorin e Bullgarisë në Prishtinë, Nedialtço Dantçev, kanë prezantuar prioritetet e Presidencës bullgare gjatë kryesimit të BE-së.

Ambasadorja Apostolova ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë vlera evropiane, prandaj sipas saj Marrëveshja e Demarkacionit duhet të ratifikohet në Parlament.

Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të mbetet peng i individëve, sepse, siç tha ajo, kjo marrëveshje është çështje me interes kombëtar për vendin.

“Kosova ka gjasë që të ndikojë në të ardhmen e saj, duke i bërë gjërat e duhura, duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit, ajo duhet të ratifikohet si çështje e rëndësishme dhe prioritet i Kosovës”, tha Apostollova.

Ajo tha gjithashtu se njerëzit në Kosovë nuk besojnë në institucione.

“Kosova është shtet i ri dhe çfarë është e rëndësishme është që të kemi besim në institucione dhe këtu njerëzit nuk besojnë në institucione, prandaj kanë nevojë për ndërkombëtaret”, shtoi Apostollova.

Ndërsa lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale Apostollova ka thënë se shfuqizimi i saj nuk është mënyra e duhur e Kosovës drejt marrjes së përgjegjësive të saj si shtet i ri.

“Ne jemi miq të Kosovës, ne dëshirojmë që ndikimi ndërkombëtar të zvogëlohet e Kosova të marrë përgjegjësi për të tashmen dhe për të ardhmen. Nisma për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara është nismë e gabuar dhe nuk është mënyra për ta bërë këtë. Shpresoj që politikanët ta kuptojnë këtë më herët sesa më vonë”, ka thënë Apostollova.

Ndërsa ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev, ka thënë se prioritetet e Presidencës së Bullgarisë janë solidariteti, siguria dhe stabiliteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat