Selmanaj flet për nismën për amnistimin e deputetëve që përdorën armë, Kurti ka një paralajmërim për Kosovën

Aktuale

Selmanaj flet për nismën për amnistimin e deputetëve që përdorën armë, Kurti ka një paralajmërim për Kosovën

Më: 25 janar 2018 Në ora: 13:33
Albin Kurti dhe Driton Selmanaj

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës miratoi sot në lexim të parë Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me 45 vota për, asnjë kundër dhe 16 abstenime.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se përmes miratimit të legjislacionit po mundohen që të luftojnë konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Ai shtoi se ky projektligj parasheh masa që do të mundësojnë luftimin e këtyre dukurive, por edhe dukurive tjera.

***

Deputeti i Nisma për Kosovën Milaim Zeka, ka thënë se disa këshilltarë politikë të ministrave në kohën e drekës pinë verë deri në 90 euro me para publike.

Këto deklarata Zeka i bëri derisa po shqyrtohej projektligji për kontrollin e brendshëm të financave publike.

Zeka: Këshilltarët e ministrave pinë verë të kuqe me çmim 90 euro në kohën e drekës

“Unë ju them me ndërgjegje të plotë se kam informacione nga kamerierët e restoranteve në Prishtinë që këshilltarët e disa ministrave në kohën e drekës pinë verë të kuqe me çmim 90 euro. Unë kam informacion të saktë nga automekanikët në Prishtinë dhe Kosovë që shumë shoferë të ministrave shkojnë marrin fatura gjoja për ndërrimin e gomave të dimrit, po shyqyr që ju nuk i njihni a janë të verës a dimrit, sa unë, edhe nuk rrëshqitni diku me thyer qafën”, tha Zeka. 

***

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka ngritur problemin e marrjes së vizave për udhëtime zyrtare dhe terrorit që po iu bëhet atyre.

Ai këto komente i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Rugova: Po përjetojmë terror për vizat

“Nga vizitat që po i kemi dhe ftesat që po i kemi nga mekanizmat, institucionet e caktuara ndërkombëtarë, asociacionet apo edhe pjesëmarrja jonë në tubime të caktuara, është një terror i vërtetë i procedimit lidhur me vizat, paramendoni kur një trajtim i tillë bëhet për neve si të zgjedhur të popullit me çka ballafaqohet qytetari i Kosovës. Andaj zotëri kryetar kërkoj nga ju dhe kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të arrijnë një marrëveshje me ambasadat relevante këtu, kush ka probleme me ligjin dhe probleme të tjera është çështje tjetër, mirëpo thjeshtë imazhi, profili, identiteti i shtetit tonë po edhe i institucionit më të lartë që është Kuvendi i Republikës së Kosovës po nëpërkëmbet dhe ne si të zgjedhur të popullit dhe si institucione pa marr parasysh pozitë, opozitë duhet ta ngritim këtë çështje si të zgjedhur të popullit”,tha Rugova.

Ai ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të diskutojë me përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë për këto probleme.

Rugova: Kryeministër, bisedo me përfaqësuesit diplomatikë

“Kërkoj nga kryeministri i Kosovës, të bisedojnë me ata ambasador dhe përfaqësues diplomatik që nuk lënë gurë pa hedhur ndaj shtetit të Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës pa marr parasysh se kush qeverisë me Kosovën. Ata na përfaqësojnë të gjithë neve e përfaqësojnë profilin, identitetin dhe imazhin e këtij shtetit kemi dëshmi dhe jemi dëshmitar të paradokseve dhe skandaleve të tilla diplomatike”, theksoi Rugova.

***

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj duke iu përgjigjur deputetëve se ka thënë se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë dal disa mangësi që janë të tipit rutinor por është i sigurt.

Derisa deputetët pyeten ministrin se gjatë një ushtrimi ka dështuar mbrojtja pasi mjete eksplozivi kanë kaluar atë rrezen X dhe janë futur në pjesën ku cenohet siguria e qytetarëve të Kosovës, ai tha se kanë dal disa mangësi që janë të tipit rutinor dhe janë dhënë disa rekomandime ku menaxhmenti i aeroporti i ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe është aeroport i sigurt.

Sipas tij, kanë dal disa mangësi që mund të gjenden në të gjitha aeroportet e Evropës, që kanë të bëjnë me trajnimin e personelit por jo me pajisje.

***

Deputeti i VV-së Albin Kurti tha kontrata me Contour Global e vë interesin shtetëror të Kosovës në shërbim të një ndërmarrje të huaj private.

“Nuk do të punojë Contour Global për  Kosovën dhe qytetarët e saj, por ne do të punojmë për Contour Global sepse asaj me paratë e qytetarëve ia marrim përsipër . Kontrata me Contour Global, do të na fshijë tre-fishin e Bechtel&Enkas, por kësaj radhe me hajni me transparencë meqë u publikua kontrata. Por edhe këtu kemi transparencë jo të plotë sepse disa anekseve nuk u dihet përmbajtja dhe ka transparencë vetëm në rezultat por jo edhe në proces”, tha Kurti.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta kundërshtojnë atë kur ajo të vije në Kuvend.

“Askush nga zyrtarët e shtetit të përfshirë në këtë aferë nuk mund ta shpjegoj racionalisht se pse Kosova nuk mund të tregoj me pronësi publike investimin me fitimprurës që kemi në dorë dhe sipas kushteve e kërkesave të ekonomisë së saj, por duhet ta bëjë këtë përmes një fondi privat të përzgjedhur pa e ditur shumë kush nga kush”, tha Kurti.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka ngritur shqetësimin rreth iniciativës për amnistimin e deputetëve që kanë kryer vepra penale nga data 25 gusht e vitit 2015.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se mesazhi që dërgon kjo nismë është se kushdo dhe kurdo mund të kryesh çfarëdo vepre penale dhe vjen një kastë politike e papërgjegjshme dhe i falë ato.

Selmanaj: Nisma për aministimin e deputetëve që përdorën armë në Kuvend, e papranueshme

“Grupi parlamentar i LDK-së nismën e tillë e vlerëson si të dëmshme, të pakuptimtë dhe në kundërshtim të plotë me përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit të se drejtës dhe respektimin e pavarësisë së pushteteve. Ne vlerësojmë se përmes kësaj nisme deputetë të Kuvendit të Kosovës provojnë që të nxisin dhe legjitimojnë përdorimin e mjeteve parapolitike në ambientet e Kuvendit të Kosovës për realizimin e qëllimeve politike. Mesazhi që kjo nismë përçon te njerëzit kudo që jetojnë në Kosovë është se kushdo, dhe kurdo mund të kryej çfarëdo vepre penale dhe një ditë vjen një kastë politike e papërgjegjshme dhe i falë të gjitha ato”, tha Selmanaj.

Sipas tij, kjo nismë dhe ajo për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara po dëshmon se subjektet politike që janë në qeverisje, e në nismën e fundit figurojnë edhe deputetë të opozitës, nga VV, po tregon se disa deputetë nga qeveria dhe deputetë tjerë i kanë shpallë luftë drejtësisë në vend.

Selmanaj: Pushteti nuk po merr nisma që përmirësojnë jetën e qytetarëve

“Në njërën anë ata nuk ofrojnë bashkëpunim me Gjykatën Speciale nga ana tjetër ndërmarrin nisma për amnistim apo mos bashkëpunim me gjykatat vendore. Deputetë nga shumica parlamentare kanë vendosur që nismat e tyre legjislative të mos jenë të natyrave që ndikojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve që jetojnë në Kosovë, por të jenë vetëm të natyrës që lidhet me fatin e disa deputetëve apo disa pushtetarëve në vend”, shtoi Selmanaj.

Seanca e re, Haradinaj në interpelancë (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e re ku ndër të tjera është paraparë interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Fillimisht është paraparë koha për deklarime jashtë rendit të ditës, koha për pyetje parlamentare, interpelanca e kryeministrit, pastaj shqyrtimi i propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm - Agjenda 2030 për Kosovën, shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur, shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike, shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin 05/L-080.

Sipas njoftimit, po ashtu do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për Azil, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Standardizim, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016, shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016 dhe shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.

Është paraparë edhe zgjedhja e një kandidati për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat