Bytyqi: Nuk do të ketë mbyllje të universiteteve, por riorganizim menaxherial

Aktuale

Bytyqi: Nuk do të ketë mbyllje të universiteteve, por riorganizim menaxherial

Më: 30 janar 2018 Në ora: 15:29
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji

(E plotësuar)- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, deklaroi sot gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Arsim, se gjendja e arsimit të lartë në Kosovë nuk është e mirë, as në Universitetin Publik dhe as në kolegjet private.

Ai tha se po punohet intensivisht për të gjetur mënyrën më të përshtatshme për të dalë nga kjo gjendje.

Për të mos lejuar denigrimin e arsimit, ministri Bytyqi tha se nuk do të lejohen studentët e regjistruar pas 30 shtatorit në kolegjet private që të jenë studentë të këtij viti akademik, pasi institucionet përkatëse janë njoftuar me kohë sa i përket afatit për pranimin e studentëve.

Një nga masat që do të merren, ai tha të jetë edhe vendosja e afatit të njëjtë për universitetet publike dhe kolegjet private për pranimin e studentëve.

Bytyqi: S’ka afat shtesë për regjistrimin e studentëve pas 30 shtatorit

“Ajo që dua të theksoj, mund të jetë që ndoshta vazhdon regjistrimi në kolegje private. Por çdo kolegji privat i është bërë e qartë prej kur ne kemi marrë Ministrinë e Arsimit,  që pas datës 30 shtator asnjë student nuk do të pranohet në sistemin që ne e kemi tani në kuadër të regjistrimit të dhënave. Nëse studenti është regjistruar pas kësaj date, nuk do të jetë student i këtij viti akademik. Ne planifikojmë që këtë çështje ta rregullojmë me ligj që të ketë saktësisht afat se kur kolegjet private dhe universitetet publike do të regjistrojnë studentë dhe do të tentojmë që kjo të jetë e njëkohshme”, theksoi ai.

I pari i Arsimit bëri të ditur se edhe universiteteve publike nuk iu është mundësuar një afat shtesë për regjistrimin e studentëve pas 30 shtatorit.

Sipas Bytyqit është koha që Kosova të ketë një arsim ndryshe. E për këtë sipas tij, duhet të angazhohen të gjithë, pa dallime partiake dhe interesa personale.

Bytyqi: Vendimet tona kanë për qëllim përmirësimin e arsimit

“Në testin PISA ju e shini ku e kemi renditjen. Janë disa shembuj të mirë që ne duhet t’i marrim dhe po diskutojmë vetëm për një qëllim, jo a po përfitojmë politikisht. Unë nuk jam i interesuar fare si ministër, qoftë edhe për poenë për vendimet, të cilat mund t’i marrë dhe të cilat nuk janë të mëdha, por kanë një qëllim që të ketë një arsim ndryshe në Kosovë”, theksoi ai.

***

Në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ku sot raportoi ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, u shtrua çështja e "mbylljes së mundshme të universiteteve", të cilën ky i fundit e quajti keqkuptim të mediave.

Ai siguroi se nuk do të ketë mbyllje të universitetit publik, por theksoi se do të përkushtohen që të përmirësojnë gjendjen e pa tolerueshme në të cilën  ndodhet sot UP-ja.

Bytyqi: Nuk do të mbyllim universitetin, do të bëjmë riorganizimin e tij

"Kërkohet nga UP që të ketë sa më shumë konferenca shkencore dhe konferenca të diskutimeve në nivele profesionale, sepse besoj se baza kyçe e këtyre është Universiteti i Prishtinës. Ka pasur një problematikë te çështja e avancimeve akademike. Kjo ka qenë nga momenti kur ne e kemi marrë ministrinë, ndërsa e kemi futur edhe këtë çështje si çështje që duhet të shqyrtohet. Sa për sqarim, ne nuk kemi thënë se ne do të mbyllim universitetin. Kemi thënë se do të shikojmë qëndrueshmërinë dhe cilësinë e tyre, e pastaj do të dalim me propozime konkrete që mund të jenë edhe riorganizimi i këtyre universiteteve. Ajo çka ne po mendojmë është që ne nuk duhet ta tolerojmë gjendjen që e kemi aktualisht, sepse nuk është një gjendje e mirë”, tha ai. 

Po ashtu, ministri Bytyqi shprehu pakënaqësinë me kolegjet private për të cilat tha se nuk janë në nivelin e duhur, ndërsa bëri thirrje që drejtuesit e tyre të vendosin rend dhe rregull në shtëpitë e tyre, sepse nuk janë mirë.

Ministri Bytyqi raportoi para komisionit edhe për mundësinë e organizimit të një provimi shtetëror për të klasifikuar studentët, të cilët diplomojnë, pa prekur notën mesatare të tyre.

Edhe këshilltari i ministrit të Arsimit, Arben Dermaku theksoi se nuk ka shuarje të universiteteve publike, porse ka organizim në formë të kampuseve. Kështu sipas tij, nuk humbasin asgjë studentët, vetëm bëhet një organizim më i mirë menaxhues.

Sipas tij, të gjitha universitet duhet të kenë karakteristikat e veta. Ai shpalosi dy opsione para komisionit, ku sipas të parës, Kosova do të kishte dy universitete publike, një në Prishtinë dhe një në Dukagjin. Ndërsa sipas tij, mundësia e dytë është që universitetet aktuale t’i profilizojnë.

Dermaku: Mendohet që në Dukagjin të kemi nga tri fakultete në secilin kampus

“Nuk ka mbyllje të asnjë programi, nuk mbetet asnjë profesor pa punë. Kjo është tendenca dhe qëllimi. Ideja është që të bëhet vetëm riorganizimi menaxherial në kuptimin e thirrjeve akademike që merr stafi. Mendohet që në Dukagjin të kemi nga tri fakultete në secilin kampus. Do të thotë Pejën e kemi profilizuar për ekonomi dhe turizëm, ku do të jenë tre dekanë dhe një prorektor. Në Gjakovë do të jenë tre dekanë dhe rektori me ekipin e vet. Në Prizren do të jenë tre dekanë dhe një prorektor”, theksoi ai.

Anëtari i komisionit të Arsimit, Nezir Çoçaj, u shpreh i rezervuar sa i përket ndarjes së universiteteve në dy regjione, teksa theksoi se me këto kushte çfarë janë në UP është e pamundur të ketë cilësi të mirë në universitetin publik.

Çoçaj: Ndarja e universiteteve në dy regjione nuk është në rregull

"Numri i studentëve në UP është shumë i madh, rreth 50 mijë studentë i kemi. Është e pamundur me pas cilësi të duhur me këto mundësi. Unë kam pritur që do të takoheni më rektorët dhe do të kuptoni se për çka kanë nevojë, sidomos të Prishtinës, por edhe të tjerëve, sepse unë e di që sipas rregullave tuaja juve ju takon t’i mbështesni. Mua më ka shqetësuar fakti që në deklaratat tuaja i keni paracaktuar dy universitete publike, pa e dhënë mendimin përfundimtar Komisioni për Qëndrueshmëri të Cilësisë”, tha ai.

Ndërsa Albulena Balaj- Halimi tha se versioni i parë i propozuar nga Dermaku është më i rëndësishëm. Sipas saj, duhet të jenë kampuse në secilin qytet e jo që secili universitet të ketë çdo drejtim.

Ndryshe, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji miratoi dhe procedoi në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të MASHT-it dhe Stitching Spark-ut të Holandës (SPARK) mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica. Projekt ky që kërkon mbështetje financiare në vlerë prej 600 mijë euro për secilin vit kalendarik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat