Hoxha kërkon konsensus në procesin integrues

Aktuale

Hoxha kërkon konsensus në procesin integrues

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 15:39
Ministrja Hoxha gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka kërkuar konsensus nacional politik për integrimin evropian të Kosovës.

Ajo gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit perëndimor, ka propozuar miratimin e një rezolute, e cila do të rikonfirmonte përkushtimin e të gjitha institucioneve edhe spektrit politik për integrimet evropiane.

Duke folur për strategjinë, Hoxha tha se asnjërës nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i është prezantuar zyrtarisht drafti, derisa nuk e ka komentuar më shumë, meqë ende nuk është publikuar zyrtarisht.

Hoxha: Propozoj rezolutë për ta rikonfirmuar konsensusin për integrimet evropiane

“Unë dua të propozoj një rezolutë edhe për Qeverinë edhe për Kuvendin që të rikonfirmojmë konsensusin nacional të të gjitha institucioneve, klasës politike sa i përket procesit të integrimit evropian dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët që do të na mundësonte si qeveri, si kuvend si institucione që jemi të angazhuara në procesin e integrimit evropian që të ecim përpara dhe të zëmë hapin, sepse viti 2018 është shumë i rëndësishëm sa i përket procesit të integrimit”, u shpreh ajo.

Megjithatë, ministrja Hoxha ka përmendur dy çështje që lidhen indirekt me strategjinë, e që sipas saj, janë liberalizimi i vizave, e cila është një prioritet i cili shkon përtej Strategjisë, pasi nuk ka shumë kuptim të flasin për procese të tjera kur një gjë kaq bazike nuk është mundësuar qytetarëve të Kosovës, si dhe rezultatet e prekshme, në gjyqësor, rritje ekonomike dhe arsim më të mirë.

Hoxha është shprehur e bindur se viti 2018 duhet të jetë vit i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nëse arrijnë që t’i kryejnë detyrat e tyre si institucione të Kosovës, siç është demarkacioni.

Hoxha: 2018-ta duhet të jetë vit i liberalizimit

“Viti 2018 e kam thënë se duhet të jetë vit i liberalizimit të vizave, nuk e kam thënë këtë jo rastësisht. Pse duhet të jetë viti 2018...sepse viti 2018 për herë të parë flet për një gjuhë të qartësuar lidhur me perspektiven e Ballkani perëndimor. Dhe gjithashtu viti 2018 ka një sërë rastesh që nëse ne arrijmë t’i kryejmë detyrat e shtëpisë atëherë i mbetet edhe BE-së që edhe ata ta përmbushin pjesën e marrëveshjes që është liberalizimi i vizave”, u shpreh ajo.

Mirëpo, anëtarët e komisionit patën vërejtje dhe shprehen skepticizëm nëse rezoluta do të prodhojë diçka.

Kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra theksoi se edhe në të kaluarën ka pasur rezoluta të tilla, por që nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

Deliu-Kodra: Jam skeptike se një deklaratë e tillë do të prodhoj diçka

“Jam pak skeptike në atë që dhe që një rezolutë e tillë do të prodhonte diçka efikase. Në të kaluarën Komisioni për Politikë të Jashtme ka propozuar një rezolutë të tillë, e kemi rikonfirmuar një lloj besueshmërie deklarative karshi BE-së se kemi konsensus, mirëpo, nuk ka prodhuar diçka”, tha Deliu-Kodra.

Derisa, deputeti Ilir Deda kërkoi nga ministrja Hoxha që të flasin qartë dhe me afate se kur është afati i fundit kur Kosova duhet ta ratifikojë demarkacionin. Po ashtu, edhe t’iu thuhet qartë qytetarëve që nëse në strategji nuk jepen detaje konkrete për zgjerimin, atëherë Kosova deri në vitin 2030 apo më shumë nuk mund të bëhet pjesë e BE-së.

Deda: Kosovës nuk i duhet politikë deklarative

“Njerëzit tonë duhet të kuptojnë që më së herti që ne mund të ëndërrojmë të bëhemi pjesë e BE është viti 2030, 2031 apo 2032. Sepse ky proces ka hyrë në një pjesë më konkrete dhe nuk është se dikush në Kosovë ka ekskluzivitet në informacione sepse BE, të ne ekziston konsensusi nacional deklaritivisht politik që të bëhemi pjesë e BE-së. Edhe rezoluta që ju propozuat është diçka deklarative e politikës së Kosovës nuk i duhet më politikë deklarative....Unë kam kërkuar edhe herën e kaluar kur keni qenë, folni me data, kur është momenti i fundit që duhet të kaloj demarkacioni që ne të mund të kemi vendim pozitiv për viza, këtë duhet ta folni ju sepse kjo është detyra e juaj”, theksoi Deda.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja, tha se qeveria po bënë regres në procesin e integrimeve evropiane.  

Zemaj: Kosova po bënë regres në integrime

“Në aspektin politik unë besoj por edhe mendoj që Qeveria është duke bërë regres sa i përket integrimeve evropiane. Këtë po e bazoj edhe në raportin që ju e keni prezantuar në vitin 2017. Sidomos dy çështjet kryesore që janë, sundimi i ligjit, por pa anashkaluar faktin edhe pjesën që është investive e Bashkimit Evropian që ndërlidhen direkt me IPA fondet. Dhe tash shembujt që ka dhënë kjo qeveri me atë që kërkohet edhe ata që financohet është në kundërshtim të plotë, sidomos pjesa që ka të bëjë me reformën në administratën publike”, theksoi Zemaj.

Deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka ka vlerësuar se Kosova është kthyer në vitin 2000 me fajin e klasës politike të Kosovës. Sipas Zekës, delegacioni i Kosovës është i përçarë dhe nuk është unik kur shkojnë në Bruksel dhe Strasburg.

Zeka: Me fajin e klasës politike Kosova është kthyer në vitin 2000

“Me fajin e Parlamentit edhe me fajin e klasës politike ne e kemi kthyer Kosovën në vitin 2000. Në vitin 2000 bashkësia ndërkombëtare e ka pasur vetëm një temë me klasën politike, çështjen e ndalimit të serbëve dhe mos shpërnguljes së tyre nga Kosova dhe në atë kohë janë vrarë një pjesë e serbëve dhe kjo ka qenë do të thotë tema e serbëve në takimet mes palës ndërkombëtare dhe shqiptare. Tani jemi kthyer në dy tema, s’ka temë tjetër, është tema e demarkacionit dhe tema e gjykatës speciale, që për turpin me të madh u bë temë për diçka për të cilën ata që kanë pak rezon politik e kanë ditur se Specialja nuk mund të rrëzohet. Dhe tani dëgjuam deklaratat se nuk ka hajgare me punën e speciales”, tha Zeka.

Hoxha ka folur edhe për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, për të cilin tha se është keqpërdorur shumë politikisht si rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat