Seanca të enjten, demarkacioni hiqet nga rendi i ditës

Aktuale

Seanca të enjten, demarkacioni hiqet nga rendi i ditës

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 11:07
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që seanca e ardhshme të mbahet të enjte, por as në këtë seancë nuk do të jetë në rend dite pika që është paraparë, ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është hequr nga rendi i ditës, duke u shtyrë për një seancë të radhës, por pa u definuar se kur.

Me këtë vendim  nuk është pajtuar LDK-ja.  Shefi i Grupit parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti tha se për heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës, në seancën e ardhshme vendosi koalicioni qeverisës. Ndërsa tha se është për keqardhje që nuk po adresohen temat e  rëndësishme nga kjo Qeveri,  e cila ka ardhur për të marrë vendime të mëdha.

Hoti: Kështu nuk mund të vazhdohet, vendit i duhet një Qeveri e re

“Shumica parlamentare, koalicioni qeverisës, vendosi që ta shtyjë këtë pikë, për seancat e ardhshme. Nuk e definuan kohën. Është për keqardhje që prapë temat e mëdha, për të cilat këta kanë ardhur në pushtet, për të marrë vendime të mëdha, nuk mund t’i adresojnë. Qëndrimi i LDK-së është i qartë. E thamë në kryesinë e Kuvendit,  përmes nënkryetarit tonë që është aty z. Kujtim Shala që ne kërkojmë që kjo pikë të jetë në rend dite në seancën e së enjtes dhe si vendimmarrës t’i adresojmë çështjet kryesore dhe brengat kryesore, që i kanë qytetarët e vendit. Tri vjet po bëhen, që kjo temë po sillet poshtë e lart, në pamundësi për t’u adresuar nga spektri politik. Ky koalicion është themeluar për të marrë këtë vendim, për të marrë vendime të mëdha. Shihet qartë që këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime. Unë besoj që kështu nuk mund të vazhdohet më tutje. Vendit i du het një qeveri e re, që mund të adresojë nevojat e qytetarëve dhe vendimet që janë kapitale për të ardhmen e vendit”, tha Hoti

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo pikë është shtyrë, me qëllim që të arrihet një konsensus nacional për demarkacionin.

Veseli: Po lëvizim ngadalë, por sigurt

“Kërkuam me mirëkuptim nga Kryesia, që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar, kur do të kemi dhe një vendimmarrje dhe më serioze.... Ajo çka dëshiroj të përçoj si mesazh qytetarëve tanë. Jemi duke punuar shumë seriozisht. Jemi duke punuar shumë bashkërisht në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje, e cila është e konsensusit nacional. Në asnjë mënyrë, nuk do të lejojë të jetë pikë e konfrontimit, çështja e cila është e interesit strategjik, siç është çështja e shënjimit të kufirit shtetëror të republikës së Kosovës me fqinjët tjerë. Kjo është dhe arsye pse jemi duke lëvizur dalë ngadalë, por jemi duke lëvizur sigurt, me vendimmarrje që është në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë. Kjo do të jetë dhe në të ardhmen vendimmarrja jonë. Jo Kuvendi i Republikës së Kosovës, të jetë skena teatrale, e aktrimit politik. Pastaj po krijojmë frustrime, konflikte dhe po i shqetësoj më qytetarët tanë“, tha ai.

Sa i përket vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq nesër në Kosovë, Veseli tha se pret një konfirmim të një partneriteti dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe se çështja e demarkacionit nuk do t’i ndajë në drejtimet e përbashkëta të integrimit euroatlantik.  Ndërsa tha se do të kërkojnë që të bëhet më shumë dhe për çështjen e shqiptarëve.

Veseli: Demarkacioni nuk do të na ndajë në drejtimet tona euroatlantike

“Nga vizita e nesërme e kryeministrit të Malit të Zi pres një konfirmim, një partneriteti, marrëdhënie të mirë fqinjësore me Republikën e  Malit të Zi. Çështja siç është e shënjimit të kufirit nuk do të jetë çështje, e cila do të na ndajë në drejtime tona të përbashkëta siç është integrimi euroatlantik. Keni parasysh dhe një fakt, shumë është me rëndësi për regjionin, përfshirë dhe për Kosovën, se një shtet fqinjë si republika e Malit të Zi, ka një orientim njëqind për qind me Republikën e Kosovës. E kjo është anëtarësimi në NATO dhe në të njëjtën kohë dhe drejtimi shumë progresiv i integrimit drejtë BE-së“, tha ai.

Veseli foli dhe për darkën e mbrëmshme në shtëpinë e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, për të cilën tha se ishte një takim i zakonshëm, jo formal.

Veseli: Darka, ishte rutinë e takimeve

“Sa i përket darkës, darka ka ndodhur ditën e diel. Është një takim joformal. Është një rutinë e takimeve, të cilat bartësit e institucioneve janë duke bërë, të cilat kanë të bëjnë me tepër me interesin e Kosovës. Nuk është në asnjë mënyrë ndonjë bartje e institucioneve në ambiente që janë jo formale. Por përkundrazi vet fakti që të dielën takohen të gjithë bartësit e institucioneve, ka të bëjë me seriozitetin që është përkrah interesave të qytetarëve”, tha  Veseli.

Seanca e radhës do të mbahet të enjten ku janë paraparë një varg pikash që të diskutohen./

***

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka treguar se në mbledhjen e sotme të kryesisë është vendosur që shqyrtimi i projektligjit të Demarkacionit dhe dërgimi i këtij projektligji për votim, të bëhet vetëm pasi të arrihet konsensusi politik.

Kadri Veseli ka thënë se Demarkacioni është shtyrë derisa për çështjen e kufirit me Malin e Zi të ketë konsensus politik.

“Kërkova nga kryesia që kjo të behet në një moment më të përshtatshëm”, ka thënë Veseli.

Ai ka treguar që ky vendim është marrë në unanimitet, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë refuzuar që cështja e Demarkacionit të shtyhet, duke kërkuar që kjo të dalë në votim sa më parë.

“Patëm unanimitet, përvec Lidhjes Demokratike, që insistoi që kjo të dalë menjëherë në seancë”, tha ai.

E, për zgjidhjen e cështjes së demarkimit që është bllokuar që nga viti 2015, Veseli ka thënë se po punojnë ngadalë, por sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje,.

 “Kjo është edhe arsyeja që po lëvizim dalëngadalë, por sigurt. Kuvendi i Kosovë nuk do të jetë skenë teatrale”, ka thënë Veseli.

Ai ka folur edhe për vizitën e nesërme të kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markovic në Kosovë.

“Pres një konfirmim të partneritetit, cështja e kufirit nuk do të na ndajë në intergrimin euroatlantik. Për Kosovën është shumë me rëndësi që Mali i Zi ka qëllime 100 për qind të njëjta në rrugën evropiane”, është shprehur Veseli.

Hoti pas mbledhjes për Demarkacionin: Kështu nuk mund të vazhdohet

Demarkacioni nuk është në rend dite për seancën e ardhshme. Ky ishte vendimi i mbledhjes së Kryesisë që është mbajtur sot, ku demarkacioni ishte në rend dite.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha pas mbledhjes së Kryesisë se  shumicaq e anëtarëve të Kryesisë ka vendosur që kjo pikë të shtyhet për seancat e ardhshme.

 Ai tha se është për keqardhje që temat e mëdha nuk mund të adresohen.

“Ne kërkuam që kjo pikë të jetë në seancën e së enjtes. Tri vjet po bëhet që kjo temë sillet poshtë e lart. Ky koalicion është bërë pre vendime të mëdha. Kështu nuk mund të vazhdohet”, tha Hoti.

Kryesia e heq nga rendi i ditës, demarkacioni as këtë javë nuk shkon në Kuvend

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që Demakiacionin të mos e procedojë në seancën e radhës, pa u krijuar një konsensus politik.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen që ka mbajtur sot, ku është paraparë të diskutohet për projektligjin e Demarkacionit dhe të caktohet seanca se kur duhet të dalë për votim, ka vendosur që kjo të shtyhet deri në arritjen e konsensusit politik.

Projektligji i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk do te procedohet ne seancën e radhës pasi kryesia vendosi qe para procedimit te krijohet konsensus.

Me shumicë votash Kryesia vendosi që Demarkacioni të shqyrtohet në mbledhjet e radhës, sapo të arrihet konsensus

LDK ishte pro miratimit të Demarkacionit dhe për ta votuar në seancë,  ndërsa Vetëvendosje abstenoi. 

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka nisur mbledhjen me shefat e grupeve parlamentare.

Ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Mirëpo, media ka mësuar se ky projektligj nuk do të shkojë në Kuvend për votim as këtë javë.

Kryesia e Kuvendit e ka larguar sot nga rendi i ditës dhe nuk dihet se kur do të kthehet përsëri kjo pikë.

Ndryshe, ndër pikat e rendit të ditës është edhe interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar.

Po ashtu, në rend dite është  edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Haradinaj sipas kërkesës së deputetes, Albulena Haxhiu, në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosjes, e mbështetur edhe nga shtatë deputetë nënshkrues lidhur me vendimet e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Kryesia e Kuvendit do të bëjë edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Miniera dhe Minerale.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës po mban mbledhje me shefat e grupeve parlamentare, ku ndër pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndër pikat e rendit të ditës është edhe interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar.

Po ashtu, në rend dite është  edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Haradinaj sipas kërkesës së deputetes, Albulena Haxhiu, në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosjes, e mbështetur edhe nga shtatë deputetë nënshkrues lidhur me vendimet e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Kryesia e Kuvendit do të bëjë edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Miniera dhe Minerale, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat