Prokuroria interviston familjarët e Enver Malokut. Nisin hetimet për vrasjen e zyrtarit të LDK’së

Aktuale

Prokuroria interviston familjarët e Enver Malokut. Nisin hetimet për vrasjen e zyrtarit të LDK’së

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 13:29
Enver Maloku

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e një prej atentateve më enigmatike të historisë së Kosovës; vrasjen e Enver Malokut, gazetarit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova. 

Të shtunën, sipas burimeve të Express, është intervistuar Hava Maloku, bashkëshortja e Enver Malokut. Ky rast, për dy dekada nuk ishte shqyrtuar nga asnjë prokuror vendor e ndërkombëtar. 

Sipas Burimeve ajo është intervistuar nga hetues të Departamentit të Krimeve të rënda me urdhër të prokurorisë speciale. 

Duket absurde, por dikujt në Prokurorinë Speciale i ka rënë ndërmend që të merret me një prej vrasjeve më të bujshme në Kosovë, atë të Enver Malokut, gazetarit të njohur dhe bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova.

Burimetthonë se Prokurori Reshat Millaku ka hapur këtë rast dhe tashmë ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe familjaret e Malokut.

Të shtunën është intervistuar e veja e Malokut, Hava, e cila në zyrën e Prokurorit shoqërohej nga vajza, Doruntinë Maloku, e cila njëherësh është deputete e LDK’së në Kuvendin e Kosovës.

“Të shtunën është intervistuar zonja Hava Maloku, e cila ka rrëfyer për ngjarjen e kobshme të janarit 99, kur para banëses i ishte vrarë bashkëshorti”, ka treguar në kushte anonimiteti për Express një zyrtar i Prokurorisë Speciale.

Është shumë e çuditshme se pse kjo vrasje po fillon të hetohet pikërisht tani. Siç dihet, familjarët kanë shpresuar se ky rast mund të zbardhet në Gjykatën Speciale, meqenëse për gjithë këto vite asnjë prokuror vendor dhe ndërkombëtar nuk kishte marrë guxim që ta hetonte.

Burimet sqarojnë se hetimet për vrasjen e Enver Malokut kanë filluar pas një postimi në Facebook të gazetarit Bajrush Morina.

“Ne pervjetorin e 19 te vrasjes se intelektualit te guximshëm Enver Malokut, kisha dashte me i pa me duar lidhur e te nisur per ne Speciale, nje deputet te Kuvendit te Kosoves dhe bashkeshorten e tij!”, kishte shkruar Morina.

Menjëherë pas këtij postimi kishin reaguar institucionet e drejtësisë, duke e thirrur në intervistë gazetarin.

Burimet thonë se pikërisht pas këtij postimi dhe intervistimit të Bajrush Morinës, kanë hapur këtë rast.

Enver Maloku (1954-1999) ka qenë një nga themeluesit e QIK-ut dhe prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi këtë Qendër. Gjatë kohës kur në krye të QIK-ut ishte Enver Maloku, përveç në shqip, kjo Qendër emitonte lajme edhe në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht dhe ishte burimi më i shpejtë, më i saktë dhe më i besueshëm i informimit në vend dhe në botë për ngjarjet e stuhishme në Kosovë. Tërë veprimtaria gazetareske  e publicistike e Enver Malokut e viteve '90 i kushtohet lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Enver Maloku, pasi i shpëtoi një atentati në korrik të vitit 1998, u vra në një atentat të organizuar më 11 janar të vitit 1999. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat