Qeveria i përgjigjet deklaratave se Schook vrau dëshmtarin e Haradinajt

Aktuale

Qeveria i përgjigjet deklaratave se Schook vrau dëshmtarin e Haradinajt

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 14:14
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës është deklaruar rreth raportimeve të sotme të mediave serbe, ku citohen pjesë nga libri i Martin Heipertz. Ky zyrtar, siç raporton shtypi serb, ka pohuar se Steven Schook është përgjegjës për vrasjen e një dëshmitari në rastin Haradinaj. Kabineti i kryeministrit këtë e quan propagandë të moçme të Heipertz

Mediat serbe, gjatë ditës së sotme, raportuan për një person të vdekur që ka pasur të dëshmojë në Tribunalin e Hagës për rastin e Ramush Haradinajt. Për këtë, shtypi serb citoi Martin Heipertz-in, i cili në librin e tij “Diplomacia Makiato”, kishte thënë se për vrasjen e një dëshmitari në këtë rast, ishte përkujdesur gjenerali Steven Schook.

Nga kabineti i Kryeministrit janë deklaruar rreth kësaj, duke thënë se Qeveria nuk lexon mediat serbe qe një kohë.

“Jo Qeveria e Kosovës muajt e fundit nuk po e lexon shtypin Serb. Nuk komentoj me asnjë shkrim. Përndryshe ICTY çdo akuzë të nivelit të tillë e ka hetuar në thellësi dhe çdoherë i ka hedhur poshtë akuzat e tilla”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Kredibilitet për Qeverinë nuk kanë edhe nëse diçka e tillë, e raportuar nga mediat serbe, është pohuar nga një zyrtar që ka qenë i angazhuar në Zyrën Ndërkombëtare Civile në Kosovë.

Zyra e kryeministrit e ka quajtur këtë një propagandë të Heipertz, që kishte ekzistuar edhe kur po gjykohej Haradinaj, por që Tribunali i Hagës i ka hedhur poshtë.

Gjenerali amerikan Steven Schook, i cili në Kosovë ishte zëvendës i shefit të UNMIK-ut, është përgjegjës i drejtpërdrejtë për likuidimin e dëshmitarit të mbrojtur në procesin e Hagës kundër Ramush Haradinajt. Kështu pohon ish-këshilltari në Qeverinë gjermane, i cili kishte qëndruar në Kosovë si ekspert për financa në mision zyrtar në Zyrën Ndërkombëtare Civile, Martin Heipertz, shkruan media serbe, duke cituar librin e tij “Diplomacia Makiato”.

“Ish-gjenerali amerikan Steven Schook, aktualisht njëri nga njerëzit e ranguar më së larti këtu në UNMIK, ka një dosje goxha të trashë kriminale dhe është i lidhur ngushtë me elitën e këtushme. Ai ka zbuluar emrat e dëshmitarëve kryesorë kundër Haradinajt, të cilët pastaj janë vrarë. Të njohurit tim i ka thënë se njeriu duhet të eliminojë dikë nga rruga nëse kjo u përgjigjet interesave më të larta”, citon media serbe të ketë shkruar Heipertz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat