Balje: Serbët punojnë në Kosovë pa nostrifikim të diplomave

Aktuale

Balje: Serbët punojnë në Kosovë pa nostrifikim të diplomave

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 15:07
Komisioni

Kumrije Shala, zyrtare në Kuvend Komunal të Pejës, ka marrë nostrifikimin e diplomës brenda një dite, derisa shumë të tjerë presin me vite të tëra për nostrifikim. Gjë që sipas deputetëve të Kuvendit të Kosovës dëshmon diskriminimin që bëhet në nostrifikimin e diplomave.

Kështu bëri të ditur anëtarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut dhe Barazi Gjinore,Teuta Haxhiu, në mbledhjen e këtij komisioni ku po diskutohej për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës sa i përket çështjes së nostrifikimit.

Ajo rrëfeu se si një zyrtare lokale në Pejë ka arritur që të nostrifikojë diplomën e saj vetëm brenda një dite, derisa tha se ka njohur edhe shumë të tjerë që presin me vite të tëra për kaq punë e që ende janë në pritje të një përgjigjeje.

Haxhiu: Kumrije Shala e ka marrë dje

“Kumrije Shala e ka marrë dje në ora 13:30, pardje ka aplikuar”, tha ajo.

E për këtë reagoi Kumrije Gagica nga MASH-t e cila tha se procesi i nostrifikimit merr kohë dhe ka procedura, gjë që e bëjnë të pamundur nostrifikimin e diplomës brenda një dite.

Para këtij Komisioni raportoi ministri i Arsimit dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, i cili bëri të ditur se deri më tani janë mbi 1 mijë aplikime të cilat duan përgjigje, ndërsa shtoi se problem mbetet zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se nuk do të ketë më neglizhencë të punës dhe se nuk do të ketë më vonesa. Por sipas tij, gjërat nuk varen vetëm nga Ministria e Arsimit,  por edhe nga institucionet e tjera.

Sipas tij, MASHT është në fazën e eliminimit të këtyre problematikave, ndërsa theksoi se tek problemi me Serbinë nevojitet që të ecet politikisht përpara.

Bytyqi: Çështja e nostrifikimit të diplomave me Serbinë ka pasur të bëjnë me implikime politike

“Departamenti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për shkaqe të ndryshme ka pasur probleme me nostrifikimin e diplomave, jo vetëm me të Serbisë, por edhe vendeve tjera. Problemet kyçe i kemi me Shqipërinë. Megjithatë çështja e nostrifikimit të diplomave me Serbinë ka pasur të bëjnë me implikime politike”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për  të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje, tha se në këtë aspekt ka diskriminim mes komuniteteve, pasi që sipas saj, personave të komunitetit serb i mundësohet që të punojë brenda Kosovës edhe pa pasur diploma të nostrifikuara, porse një gjë e tillë nuk iu mundësohet personave të komuniteteve tjera.

Madje ajo pati një pyetje për ministrin Bytyqi, ku deshi të informohet nëse Kosova është duke e zbatuar reciprocitetin me Serbinë, pasi që kjo e fundit nuk i pranon diplomat e Kosovës, teksa siç tha ajo, Kosova punëson serb të cilët nuk i kanë të nostrifikuara diplomat e tyre.

Balje: Serbët janë të angazhuar me punë në Kosovë edhe pa posedim të diplomës të nostrifikuar

“Deri tash ne kemi qenë shumë të diskriminuar. Kur kemi aplikuar për punë, nëse një boshnjak ka kryer shkollën së Serbi, institucionet e Kosovës kanë kërkuar nostrifikim. Për shembull nëse shkon një përfaqësues i serbëve,  ata janë angazhuar në punë pa nostrifikim. 28’15” Në këto problemet e nostrifikimit jemi në sistemin e reciprocitetit. Serbia nuk pranon diplomat e Kosovës, ne si pranojmë të tyre. Tash del pyetja e parë, a jemi duke e respektua ne si Kosovë reciprocitetin, sepse ne me reciprocitet duhet të mos pranojmë asnjë diplomë nga ana e Serbisë të pa-nostrifikuar, sepse ata nuk i pranojnë”, theksoi ajo.

E për këtë ministri Byqyqi tha se si Ministri janë të gatshëm  të fillojnë procedurën teknike, jo të njohjes së menjëhershme, por të respektimit të procedurës për nostrifikimin e një diplome. Por siç tha ai kjo nuk varet vetëm nga Ministria, por nga Qeveria dhe bisedimet që janë në Bruksel.

Ndryshe, në këtë mbledhje u bë e ditur se deri më tani janë 1133 aplikacione të pranuara, ku 633 prej tyre janë aplikacione të verifikuara si pozitive, 32 negative, ndërsa 465 prej tyre janë në proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat