Debat i nxehët në Kuvend për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes

Aktuale

Debat i nxehët në Kuvend për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 18:45
Kuvendi i Kosoves

Në Kuvendin e Kosovës sot është zhvilluar debat i kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, rreth dënimit të disa aktivistëve të saj. Me këtë rast, deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu ka akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, e ish kryeministrin Isa Mustafa për montim të këtij rasti.

Madje, deputetja Haxhiu e ka quajtur të turpshme mos qëndrimin e deputetëve në sallë, kur po diksutohet për dënimin e 4 qytetarëve, që sipas saj, janë dënuar pas asnjë fakt e asnjë provë.

Haxhiu: Thaçi, Veseli e Mustafa përgjegjës për dënimin e aktivistëve

“Gushti i vitit 2016, përgjithësisht ata muaj ishin tejet të vështirë për qeverisjen e kaluar të Isa Mustafës, e po ashtu për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Mendoj që arsyeja kryesore pse grupi parlamentar i LDK-së, po ashtu edhe pjesa dërrmuese e PDK-së, sot nuk janë këtu, pikërisht për shkak të përgjegjësisë që ka Isa Musafa në montimin e këtij rasti. Isa Mustafa, Kadri Veseli e Hashim Thaçi. Kjo treshe ishin përgjegjës për nënshkrimin e mbrojtjen që i bënin dy projekteve të dëmshme dhe aso kohe të kapluar nga të këqijat, kishin humbur betejën edhe me qytetarët e Kosovës, por kishin humbur argumentet edhe përballë opozitës. Kësisoj filluan egërsisht përmes një lufte speciale, t’i kundërviheshin VV-së. Nuk është më sekret, nga dëshpërimi dhe humbja e pashpresë, nisën tentimet për të shpallur Vetëvendosjen organizatë terroriste”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka vlerësuar se Kuvendi nuk është arenë e zgjidhjes së problemeve të atyre që bien ndesh me ligjin. Debatin e VV-së për të diskutuar rreth dënimit të aktivistëve të saj, sipas deputetit Beqa, është keqpërdorim i të drejtës së tyre procedurale për të thirrur seanca të tilla.

Beqa: VV po tenton të krijoj huti

“Përmes kësaj synohet për të manipuluar me rastin dhe të godasin politikisht drejtësinë aty ku nuk u pëlqen, e ta lavdërojnë profesionalisht aty ku iu pëlqen. Duhet të dimë se sistemi i drejtësisë është i shkallëzuar dhe për këtë rast, për të cilin sot po diskutojmë akoma nuk kemi vendim përfundimtar. Ky lloj i politik bërjes, synon t’i godas të arriturat edhe ashtu jo të mjaftueshme në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Ky debat tenton të krijojë huti dhe mosbesim në drejtësi tek opinioni publik, që pastaj t’iu japin të drejt veprimeve të tyre të mundshme, që mund të bien ndesh me ligjin në të ardhmen”, theksoi Beqa.

Ndaj fjalës së deputetit Beqa reagoi deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi,

Kadaj-Bujupi: Beqa i ka vizituar aktivistët dhe u ka dëshiruar lirim

“Sa hipokrizi është kur prapa kamerave flasim tjetër çka, e këtu pretendojmë me mbrojte diçka që nuk është e vërteta. Më 15 dhjetor 2017 Hajdar Beqa ka shkuar në burgun e Dubravës, i ka vizituar aktivistët tonë dhe ju ka uruar lirim, duke e konfirmua që është i vetëdijshëm, siç jemi të gjithë ne, se ata janë të pafajshëm dhe po mbahen aty padrejtësisht. Prandaj me shkuar në burg të Dubravës, me i taku, me ju thanë këto fjalë edhe me ardhur këtu në Parlament e me thanë krejt të kundërtën, shumë e pandershme, hipokrizi e padrejtë ndaj tyre dhe qytetarëve”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

Por, sërish replikoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Beqa: I kam vizituar aktivistët në burg, u kam thënë ishalla s’keni faj

“Është e vërtetë se në emër të Komisionit kam shkuar dhe i kam vizituar edhe aktivistët e VV-së, dhe shumë njerëz që janë në burg. Me ka ardhur keq për ata djem që janë në burg atje dhe kam thënë ishalla nuk keni faj. Ata e dinë me së miri çka kam thënë. Me ka ardhur keq për çdo të burgosur, sepse kam shkuar dhe i kam vizituar njerëzit e UÇK-së, kam thënë ishalla jeni të pafajshëm, ju e dini, drejtësia duhet të dal në shesh dhe e thotë fjalën përfundimtare. Ne nuk jemi ata të cilët duhet të interferojmë në vendime të drejtësisë. Nuk jam pishman që kam shkuar dhe i kam parë, do të shkoja përsëri”, u shpreh Beqa.

Kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, ka kërkuar nga deputetët që mos ta teprojnë me fyerje të institucioneve të drejtësisë.

Haliti: Po e teproni me akuza pa argumente

“Po me duket po e teprojmë pak. Institucionet kushtetuese të Kosovës janë të përcaktuara, rregullat janë, nuk është mirë të flitet paushall dhe t’i fyej të gjitha institucionet e drejtësisë. Tash po u dashka t’i fyej secili që flet këtu pa argumente. E kemi një rast, ndoshta nuk është dashur të diskutohet këtu, është dashur të kihet besimi në drejtësi. Por, mos e teproni në formën që e dëgjova tani, sepse nuk është krejt zi besoj”, tha Haliti.

Reagimi i Halitit, erdhi pas fjalës së deputetit Milaim Zeka, i cili akuzoi rënd sistemin e drejtësisë, duke e quajtur edhe sistem terrorist.

Ndërsa, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se as prokuroria dhe as gjykata nuk kanë arritur të mbledhin dhe ofrojnë asnjë provë materiale, që do të mund të përdorej si dëshmi kundër aktivistëve të Vetëvendosjes. 

Sipas tij, provat materiale, analizat e forenzikës, analizat krahasimore të ADN-së të mostrave të gjetura në vend të ngjarjes dhe të aktivistëve, analizat e mostrave dhe shenjave të gjetura të armës së përdorur, analizat e shenjave të motoçikletës së djegur, analizat e thirrjeve, sinjaleve, mesazheve të telefonatave, apo kompjuterëve të sekuestruar, analizat e bëra nga FBI-ja për krahasimin e personave të fotografuar nga kamerat, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të rastit, flasin kundër dënimit që Gjykata ua shqiptoi aktivistëve.

Kurti: Nuk dëshmon asnjë fakt kundër aktivistëve të dënuar

”Këtë e ka pranuar edhe vetë prokurori i rastit. Kjo dëshmohet edhe nga vetë aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës prej 42 faqesh. Asnjë provë materiale e listuar dhe e cekur në këtë aktgjykim nuk dëshmon asnjë fakt kundër aktivistëve të dënuar. Të gjitha provat, dëshmitë e ofruara, dëshmitarët, analizat shkencore, kriminalistike dhe medicinale, vendore e ndërkombëtare, vërtetonin pafajësinë e aktivistëve të LVV-së”, ka thënë Kurti.  

Ai shtoi se drejtësia për Astritin dhe lirimi i aktivistëve janë parakushti i drejtësisë dhe lirisë për qytetarin në Kosovë.

Daut Haradinaj, deputet nga AAK, ka thënë se i mbetet hatri pse nuk reaguan në këtë debt deputetët e LVV-së ndaj sulmit të Kuvendit.

Haradinaj: Pse nuk u distancua Vetëvendosja më së pari prej sulmit në Kuvend

“Më jetë pak hatri pse nuk u distancuat Vetëvendosje më së pari prej sulmit në Kuvend. U dashtë me thënë se është një sulm kriminal dhe si i tillë duhet me u gjykuar. Qetësohuni, qetësohuni merrni frymë. E dyta, Glauk theksove se për 20 ditë janë shkuar hetimet në drejtimin e duhur, pastaj është ndryshuar drejtimi. Edhe këtu kishte qenë mirë për çfarë orientimi është ka bëhet fjalë. Sepse unë ekspert nuk jam, nuk e di. Mirë është me ditë opinioni publik nga kanë qenë hetimet dhe në fund të seancës ne me nxjerrë një përfundim nga duhet me orientuar këtë debat dhe si do të procedohet. Nuk besoj se ka qytetarë në Kosovë që nuk e pret të vërteten për Astrit Deharin”, ka thënë deputeti Hardinaj. 

Në fund të debatit, Sami Kurteshi ka lexuar rekomandimet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili tha se sipas kërkesës dhe në bazë të fakteve të gjetura nga vet aktgjykimi i shkruar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, logjikisht dhe ligjërisht shtrohen pyetje të pa shmangshme.

Kurteshi: Kërkojmë hetim të pavarur ndërkombëtar për sulmin në Kuvend

“Po e përsëris edhe një herë çka po kërkojmë. Kush janë aktorët e vërtet të sulmit me armë zjarri në natën e datës 4 gusht 2016? Kush është organizatori dhe zbatuesi i projektit të inskenuar për burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë sulm? Kush janë ideatorët  e këtij inskenimi monstruoz kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje? Kush e vrau Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017. Në mënyrë logjike për shkak të këtij inskenimi monstruoz, për shkak të involvimit të drejtpërdrejtë, për shkak të përpjekjes së kundër ligjshme, kundër kushtetuese, kriminale për fajësimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt politik të bazuar të involvimit të drejtpërdrejtë të qarqeve të larta në policinë e Kosovës, në Prokurorinë speciale dhe në Gjyqësorin e Kosovës, ne si Lëvizje Vetëvendosje kërkojmë nga ky kuve nd që: për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga njëri nga vendet perëndimore të BE-së. Por këtë duke e veçuar nga rasti i Astrit Deharit”, ka thënë Kurteshi.

Ai po ashtu kërkoi shkarkimin e të gjithë personave, nga Policia e Kosovës të involvuar në këtë rast, sipas tij të inskenuar.

Kurteshi në rekomandimem tha se duhet edhe shkarkimin dhe suspendimin e të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore në kohën kur ka ngjarë rasti i Astrit Deharit.

Mirëpo, këto rekomandim kanë mbetur të votohen në njërën prej mbledhjeve të seancave të ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat