Janë bërë 11 vjet nga protesta e 10 shkurtit të vitit 2007, nga e cila mbetën të vrarë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj e Arben Xheladini.
Protestën e para njëmbëdhjetë vjetëve e kujton mirë lideri i kësaj Lëvizje, Albin Kurti, i cili tha se në atë protestë 232 plumba u shkrepen në trupin dhe kokat e protestuesve nga distancat e vogla.
Derisa, armatimin që kishin policët rumun, sipas Kurtit, nuk ishte për ekspozim, por për përdorim ndaj tyre.
Kurti: Më 10 shkurt populli tregoi se do të ngritet sa herë që diskriminohet
“Sot ne e kujtojmë 10 shkurtin e vitit 2007 si një ditë tejet të rëndësishme për Kosovën, meqë atë botë ajo demonstratë tregoj që ky popull gjithmonë do të ngre krye sa herë që diskriminohet e nëpërkëmbët. Pakoja e Ahtisarit ishte arritur në Prishtinë më 2 shkurt 2007 dhe vetëm pas demonstratës së 10 shkurtit, Ahtisari përmend fjalën pavarësi e mbikëqyrur teksa e dërgon një letër shtesë në Këshillin e Sigurimit. Ne theksonim atë që nuk po bëhej, sovranitetin e plotë për pavarësinë e cila merr kuptimin prej tij. Pakoja e Ahtisarit porsi kubi si trupo gjeometrik kishte gjashtë faqe që ne i quanim gjashtë faqe të padrejtësisë”, tha Kurti.
Kurti ka përmendur pikat e Pakos së Ahtisarit, sipas të cilit janë padrejtësi ndaj Kosovës dhe popullit të saj.
Kurti: Gjashtë padrejtësitë e pakos së Ahtisarit
“Padrejtësia e parë ishte vetoja dhe shumica e dyfishtë në Kuvend dhe institucione të Kosovës që bllokonte demokracinë si sundim i shumicës. Padrejtësia e dytë ishte decentralizimi mbi baza etnike...Padrejtësia e tretë eksterritorialiteti i manastirëve ortodokse që padrejtësisht e gabimisht quheshin serbe...Padrejtësia e katërt ishte betonimi i sundimit ndërkombëtar mbi Kosovën me ç’rast byrokratët ndërkombëtar do të kishin fjalën e fundit mbi gjithçka. Padrejtësia e pestë ishte pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë...padrejtësia e gjashtë ishte shuarja e TMK-së, në vend se të çarmatosej ushtria jugosllave, ishte çarmatosur UÇK-ja”, theksoi Kurti.
Edhe tash kur Kosova po mbush një dekadë të shtetësisë, sipas liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, pavarësia e Kosovës mbetet e paplotë.
Kurti: Pavarësia e Kosovës mbetet e paplotë
“Edhe sot e kësaj dite pavarësia e Kosovës mbetet e paplotë, sepse sovraniteti i saj mbetet i gjymtuar. Prandaj aktualiteti i demonstratës së 10 shkurtit është përherë me neve dhe në Kosovë. VV e ka gurthemeltar të vetin këtë demonstratë e cila paraqet jo të kaluarën tonë por edhe pishtarin tonë në vijim”, shtoi Kurti.
Kreu i VV-së, tha se Moni e Arbeni do të jenë gjithmonë pjesë e frymëzimit për Lëvizjen Vetëvendosje. Mon Balaj e Arben Xheladini, u vranë në protestën e 10 shkurtit 2007 e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kundërshtim të propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, nga Martti Ahtisari.