Qeveria premton diçka që rregullohet me ligj: S’do të ketë padrejtësi në ndarjen e granteve për bujqësi

Aktuale

Qeveria premton diçka që rregullohet me ligj: S’do të ketë padrejtësi në ndarjen e granteve për bujqësi

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 15:32
Ilustrim

Zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi ka premtuar në Malishevë një gjë që do duhej nënkuptuar e që është e rregulluar edhe me ligj e norma të tjera. Në këtë qytet ai ka thënë se nuk do të ketë padrejtësi për asnjë fermer gjatë ndarjes së granteve dhe subvencioneve në ministri.

Kështu së paku sipas njoftimit që ka bërë Komuna e Malishevës, pas aktivitetit të organizuar nga Drejtoria për Bujqësi. Njoftimi thotë se sot në Malishevë, është mbajtur një takim informues për fermerët nga Komuna e Malishevës, për subvencionet dhe grantet në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Komunën e Malishevës.

“Informimin e kanë bërë zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha. Me këtë rast, zëvendësministri Krasniq, premtoi se nuk do të ketë padrejtësi për asnjë fermer gjatë ndarjes së granteve dhe subvencioneve në ministri”, thuhet në njoftim.

Gjithnjë sipas njoftimit, fillimisht, zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Vesel Krasniqi, i ka informuar fermerët për grantet dhe subvencionet e ministrisë, e që sipas tij, për këtë vit janë ndarë rreth 50 milionë euro për investime në bujqësi. Më pas, thuhet në njoftim, zëvendësministri Krasniqi, i ka informuar fermerët edhe me procedurat dhe kushtet që fermerët, duhet ti plotësojnë, si dhe premtoi takime të rregullta me fermer.

“Duke folur për ndarjen e granteve, zëvendësministri Krasniqi, e pranoi se deri më tani fermerët nga Komuna e Malishevës, me apo pa qëllim, janë diskriminuar, por kjo nuk do të ndodhë tani e tutje. Krasniqi, gjithashtu, deklaroi se nuk do të ketë shkelje ligjore apo padrejtësi ndaj asnjë fermeri”, thuhet në njoftim.

“Investimi në bujqësi, është forma më e mirë, për uljen e shkallës së papunësisë dhe këtë do ta bëjmë përmes subvencionimit të fermerëve në projekte konkrete”, citohet të ketë thënë zëvendësministri Krasniqi.

Edhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha i ka informuar fermerët për planifikimet e drejtorisë që ai drejton, në raport me investimet e komunës në sektorin e bujqësisë. Në njoftim ai citohet të ketë thënë se do të investohet në serra, në blegtori do të ketë shumë projekte, pastaj bletari, sikur që nuk do të mbetet anash as kujdesi për kafshët, pasi do të bëhet edhe vaksinimi i tyre, sikur edhe vaksinimi i qenve, citohet ai në njoftim.

“Të gjithë sektorët e bujqësisë, do të jenë të përkrahur brenda mundësive që ka Komuna e Malishevës, por bujqësia do të jetë sektorë me prioritet të veçantë për qeverinë komunale të Malishevës”, tha drejtori Hoxha.

Gjatë këtij takimi informues, fermerët malishevas, janë njoftuar me të gjitha procedurat për aplikim në grante dhe subvencione, si në Ministrinë e Bujqësisë, ashtu në Drejtorinë për Bujqësi, ndërsa kanë marrë premtim edhe për përkrahje profesionale për aplikim për grantet dhe subvencionet në bujqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat