"Serbia po tregohet edhe më dinake se sa 'Gjarpri' në dialog"

Aktuale

"Serbia po tregohet edhe më dinake se sa 'Gjarpri' në dialog"

Nga: H.Orana Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 15:40
Pamje nga dialogu në Bruksel

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj në një postim të tij në Facebook ka folur rreth çështjeve aktuale në vend, duke u fokusuar më tepër tek dialogu me Serbinë.

Gecaj thotë se kryeministri Ramush Haradinaj u tregua ‘zemërgjerë’ duke ia lënë në përgjegjësi dialogun Presidentit Hashim Thaçi, me arsyetimin se nuk ka kohë për dialog dhe se do të merret më çështje tjera të rëndësishme. Por sipas Gecaj kjo është veq një ikje nga përgjegjësia.

Gecaj thotë se nuk është në përgjegjësinë e Presidentit të vendit që të merret me dialogun, për arsyen se ai nuk i përgjigjet Kuvendit,  madje as nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Poashtu, Gecaj thotë se Serbia deri më tani është treguar edhe më dinake se sa vetë ‘gjarpëri’, duke iu ikur përfundimeve të cilat do të ishin të pranueshme edhe për Kosovën.

Postimi i plotë:

"NUK PO NA SHKRUHET MIRË"!

Për mosmarrje me çështje tjera “të mëdha” nga ana e Qeverisë Haradinaj kam folur gjerë e gjatë në shumë komente e deklarime të mia të mëhershme. Në këtë grup hyn edhe konstatimi apodiktik imi se Qeveria Haradinaj deri më sot nuk ka bërë hiç asgjë sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë. Në anën tjetër, ishte vërtetë deklarimi i mëhershëm i Ramushit se qeveria e kaluar nuk e kishte guxim për t’u marrë me çështjet e tilla “të mëdha” ai që ishte (keq) përdorur deri në ekstremin më primitiv si pretekste për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Tani po na del të jetë krejt e kundërta, kryesisht për shkak të mungesës së guximit e vullnetit, kombinuar me mungesë të tërësishme të kapaciteteve profesionale dhe ngritjes së theksuar akademike, kjo qeveri ngel e prirur t’i shmangë me çdo kusht këto tema me rëndësi primare e vitale për vendin tonë. Vetëm prekja e këtyre temave, me një probabilitet të madh, shpejt dhe furishëm do ta rrezonte qeverinë që asociohet me terrin në çdo aspekt. Këtë frikë ka Qeveria Haradinaj. Hija e kësaj frike e shtynë Ramushin të besoj se shtyrja sa më gjatë e këtyre çështjeve, do të krijoj hapësirë manovrimi dhe mbetje në pushtet pa asnjë merite dhe vizion, duke u sillur si zogjtë shtegtarë që humbin kontaktin me fushën magnetike. Mbetet të shihet kur do të bien përtokë! Kjo nuk është qeverisje, por zvarritje pa kontroll rreth e përreth pushtetit me qëllim të akomodimit të interesave individuale, grupore e klanore, dhe me shpresë se kjo kohë dhe dhjami i pasurisë së fituar joligjërisht do t’u gjendet në zgjedhjet tjera për ta kaluar pragun zgjedhor dhe për t’iu ngjitur sërish prapa ndonjë partie tjetër!

Më herët, Kryeministri Haradinaj na kishte thënë se kishte shumë punë tjera më të rëndësishme dhe se nuk kishte kohë të merrej me çështjen e dialogut. Këtë të drejtë e kishte “deleguar” me një “zemërgjerësi burrërore” tek presidenti i vendit. Ka shumë arsye pse kjo është gabim i madh! Së pari, kryeministrit nuk i takon fare kjo e drejtë e delegimit, pasi që nuk është e drejt e tij por e Kuvendit të Republikës, shërbëtor të të cilit do të duhej të ishin si kryeministri ashtu edhe qeveria e tij. Së dyti, Presidenti nuk i përgjigjet Kuvendit, gjë që e bën tërësisht të papërshtatshëm dhe jo-kompetent të merret me një çështje kaq të rëndësishme për vendin, posaçërisht duke pasur parasysh se Kosova është republikë parlamentare, jo presidenciale. Dhe, së treti, nuk do të jenë Presidenti dhe Presidenca ata të cilët do të zbatojnë marrëveshjet e arritura: përgjegjësia për një zbatim të tillë të detyrimeve ndërkombëtare i takon, ashtu si në të gjithat republikat parlamentare, qeverisë së vendit. Prandaj “zemërgjerësia e delegimit” nuk është veçse shmangie nga përgjegjësia. Kjo bartje e kësaj kompetence vitale për shtetin nuk do të duhej të pranohej assesi, e në veçanti jo nga opozita, shoqëria civile, por edhe komuniteti madiatik. Kuvendi duhet gjithsesi dhe pashmangshëm të jetë shtylla e këtij procesi: Qeveria e Presidenti duhet të sillen brenda kuadrit të përcaktuar nga Kuvendi dhe të zbatojnë çdo marrëveshje që arrihet gjatë negociatave me bekimin e organit përfaqësues të sovranit të Kosovës.

Është gjithashtu shumë shqetësues nocioni i temës bosht të kësaj pjese përfundimtare të dialogut, që pritet të përfundoi me një “marrëveshje ligjërisht obliguese” në mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia deri më sot iu ka ikur mjeshtërisht, madje shumë më dinakërisht se “gjarpri”, përfundimeve të cilat do të ishin të pranueshme edhe për Kosovën. Nuk kishin pranuar Marrëveshjen e Rambujesë, me gjithë kërcënimin e besueshëm për sulme ushtarake nga NATO, edhe përkundër faktit se u garantohej sovraniteti serb mbi Kosovën; nuk kishin pranuar edhe Pakon Ahtisaari, ani se parashihte një diskriminim pozitiv të paparë deri atëherë në dobi të një komuniteti jo më të madh se 5 % të popullatës së përgjithshme të vendit. Pse duhet tani të besojmë se Serbia më në fund qenka mbushur mend, apo civilizuar mjaftueshëm, dhe do të pranojë një zgjidhje që do të jetë në vijë me interesin e Kosovës dhe miqve të saj perëndimorë?

Jo, këtë nuk duhet besuar! Serbia në vazhdimësi ka shtyrë para opsionet e saj rezervë, apo siç njihet në praktikën diplomatike, një “plan B” ! Ajo që mund të nxirret si mësim nga përvoja jonë e pasluftës, të cilën mbase një ditë do ta shtjelloj më gjerë, na thotë se Serbia ka pasur së paku dy plane të tilla rezervë: autonomia territoriale dhe/apo ndarja e vendit! Secili prej këtyre planeve serbe ka të bëjë me territorin e Kosovës. Siç dihet, Kushtetuta e Kosovës, por edhe çdo kushtetutë e vendeve demokratike, çështjet e vendosjes për territorin i len në duart e përfaqësuesit të sovranit, parlamentit. Udhëheqja e këtij procesi nga Presidenti, pa kornizë të qartë të mandatuar nga Kuvendi, përbën shkelje të Kushtetutës. Si Presidenti ashtu dhe Qeveria Haradinaj dhe ai vetë, së bashku duhet shumë zëshëm dhe qartë si kristali të zotohen se këtë herë nuk do të bëhen “të guximshëm” dhe të shkojnë në negociata symbyllur, posaçërisht të na garantojnë se ndarja dhe autonomia nuk do të pranohen me asnjë kusht! Opsionet serbe si më sipër janë opsione shumë të dëmshme për ne, dhe çdo vazhdim i dialogut pa mandat parlamentar vetëm sa përligjëson koncesione shtesë ndaj Serbisë.

Qartë shihet se Serbia është plotësisht e përgatitur për fazën finale të dialogut, posaçërisht duke pasur parasysh qeverinë e tyre me bazë të gjerë si dhe kontrollin e plotë dhe absolut mbi shtetin e Serbisë nga ana e Presidentit Vuçiq. Duket gjithashtu se edhe komuniteti ndërkombëtarë, në veçanti BE dhe SHBA, janë të përgatitur dhe te gatshëm të “heqin qafe” një herë e përgjithmonë çështjen më të ndjeshme në Ballkanin Perëndimor. Ne qëndrojmë keq në këtë drejtim: kemi qeverinë më të dobët në historinë tonë të pasluftës, një opozitë deri më tani më të fuqishmen, si dhe një polarizim të skajshëm të spektrit politik në vijë horizontale. Pak ka gjasa që Kosova të flet me një zë si dikur. Kjo përbën një terren të pëlleshëm për Serbinë për të shtyrë agjendën e ndarjes dhe/apo të autonomisë. Në fakt, Serbia ka luksin e zgjedhjes së cilin opsion do ta realizoj. Kosova nuk ka asnjë opsion, as “be” e as “ce”... Siç thotë populli, “nuk po na shkruhet mirë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat