Policët e arrestuar kishin zhdukur disa prova për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale

Policët e arrestuar kishin zhdukur disa prova për vrasjen e Ivanoviqit

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 12:59
Ivanoviq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë po kërkon një muaj paraburgim për dy policët e dyshuar për keqpërdorim të provave në rastin ‘Ivanoviq’. Kërkesa për paraburgim pritet që dorëzohet sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Këtë e ka konfirmuar, prokurori Njazi Rexha. Express merr vesh se policët e arrestuar janë Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq. Njëri nga këta dy polic në ditën e vrasjes së Ivanoviqit ka marrë një gëzhojë nga vendi i ngjarës.

Dragisha Markoviq i lindur më 1970 dhe Zharko Jovanoviq edhe ky i lindur në vitin 1970, janë dy pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët gjatë ditës së djeshme u arrestuan nën dyshimin se nuk ishin kujdesur për ruajtjen e vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Për këtë punë, Prokuroria  Themelore në Mitrovicë, sot, planifikon që ta dorëzojë në Gjykatën Themelore kërkesën për një muaj paraburgim për dy policët e dyshuar për keqpërdorim në rastin Ivanoviq.

Kështu ka deklaruar të dielën, prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës, Njazi Rexha. Ndonëse ai ka deklaruar se më nuk e ka këtë lëndë. Sipas tij, lënda tashmë ka kaluar në duart e prokurores serbe në Veri, Jelena Mirjanik. 

Rexha nuk ka dhënë detaje se përse lënda ka kaluar tek prokurorja, ani se ka qenë ai i cili i ka nisur hetimet fillestare për këtë punë.

“Sot gjatë ditës është planifikuar që të dorëzohet lënda për paraburgim. Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha.

E ndërkohë edhe kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqri Syla, i ka thënë Expressit se dy policët e dyshuar në ditën e  vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nga vendi i ngjarjes e kishin marrë një gëzhojë. Thotë se janë bastisur shtëpitë e tyre dhe se tek njëri kanë gjetur edhe një armë pa leje.

“Mund të ju konfirmoj se që nga dje, dy pjesëtarë të policisë, janë të arrestuar nën dyshimin se kanë manipuluar me provat. Gjatë hulumtimit të kamerave është pa që ata e kanë marrë një gëzhojë nga vendi i ngjarjes. Janë bastisë edhe shtëpitë e tyre. Tek njëri është gjetur edhe një armë pa leje. Besoj që sot prokurori i çështjes e bënë kërkesën për paraburgim”, ka thënë Syla për Express të dielën.

Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur Inspektorati Policor. Sipas komunikatës së Inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova. Inspektorati njoftoi se përveç arrestimeve, ka bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës.

“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhej në komunikatën e mbrëmshme.

“Gjatë bastisjeve është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”.
Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar. Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.
Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare. Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm. Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat