Uk Lushi: Pse largimi i Donikës nga LDK duhet të na dhemb

Aktuale

Uk Lushi: Pse largimi i Donikës nga LDK duhet të na dhemb

Nga: I.J. Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 17:34
Uk Lushi, Donika Gërvalla

Uk Lushi, ish luftëtar i UÇK-së nga Batalioni Atlantiku, njëherësh aktivist i Lobit shqiptaro-amerikan në SHBA– përmes një postimi në Facebook ka komentuar largimin e Donika Gërvallës nga LDK.

Më poshtë komenti i tij i plotë

Donika Gërvalla-Schwarz ka qenë për gati 30 vite zë i fortë i shqiptarëve në Gjermani. Zonja Gërvalla veprimtarinë e saj për kombin shqiptar e ka zhvilluar në LDK, por ajo gjithmonë si yll polar të angazhimit e ka pasur interesin shqiptar. Ka disa pika ku nuk jam pajtuar me Gërvallën dhe këto mospajtime i kemi shkokluar disa herë në biseda direkte. Ajo si një mendje e zgjuar pozicionet e saj i ka mbrojtur me inteligjencë dhe qartësi argumentuese dhe faktike, kurrë me hidhërim apo mbetje hatri. Do me thënë edhe në kundërshtime ajo din të fitojë respektin e kundërshtuesit. Në asnjë rast nuk ka pushuar me idealizëm ta dojë popullin shqiptar dhe veçanërisht Kosovën, mu si babai i saj Jusuf Gërvalla dhe xhaxhai i saj Bardhosh Gërvalla, të cilët dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Sot mësova që Donika Gërvalla qenka larguar nga LDK-ja, ose më saktë e paskan detyruar të largohet nga LDK. Për të gjithë që kemi punuar dhe punojmë për kombin shqiptar pa hile-- dhe sidomos pa pagesë-- nuk ka si të mos dhemb ky lajm, pikësëpari sepse tregon që establishmentet tona partiake dhe kombëtare nuk dinë dhe nuk duan as t'i vlerësojnë dhe as t'i shfrytëzojnë asetet kombëtare shqiptare. Gjesti i zonjës Gërvalla duhet të jetë shtytje alarmuese për reflektim të thellë në LDK dhe gjithsesi reflektim të përgjithshëm në strukturat e kastave tona politiko-shoqërore. Sido që të bëhet, unë jam i bindur që Donika Gërvalla nuk do të ndalet së kontribuari për shqiptarët asnjëherë, por, nuk ka dyshim, pa idetë, mospajtimet parimore dhe-- pse jo-- kundërshtimet e saj qëllimira, proceset dhe zhvillimet shqiptare në Ballkan dhe Europë mund të humbin në formë dhe substancë.

Shfytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen time më të çiltër për angazhimin e madh të Donika Gërvallës dhe t'i dëshiroj vazhdim të sukesshëm të punës nga platforma tjera, derisa të realizojmë idealin e madh të heronjëve të rënë, babait dhe xhaxhait, të saj, timit dhe të shumicës absolute shqiptare. Kryet nalt Donika, retë e zeza mbi qiellin shqiptar janë të përkohshme dhe edhe kjo shtërngatë, si shumë të tjera më të vështira nga e kaluara, do të kaloj shpejt!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat