‘Loja’ me simbolet shtetërore

Aktuale

‘Loja’ me simbolet shtetërore

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 17:17
Një burrë kalon pranë Qeverisë së Kosovës, në ndërtesën e së cilës është vendosur flamuri shtetëror, për nderë të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Simbolet e shtetit, himni, flamuri dhe stema, në rrethana normale, janë simbole që unifikojnë dhe mobilizojnë qytetarët e shtetit përkatës, por në Kosovë edhe pas 10 vjetësh të shpalljes së pavarësisë së saj, kjo nuk po ndodhë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në vend.

Publicisti Milazim Krasniqi, profesor në Katedrën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se lidhur me simbolet e shtetit të Kosovës, ende ekziston një konfuzion, sikurse është konfuz edhe pozicioni ideologjik ndër shqiptarët e Kosovës.

Sipas tij, qytetarët ende mbeten të ndarë në dy rryma, njëra që anon kah irredentizmi me iluzionin e bashkimit me Shqipërinë dhe rryma tjetër, ajo e pavarësimit të Kosovës. Rryma e parë, siç thotë profesor Krasniqi, është më agresive në retorikën dhe veprimet e veta dhe në një mënyrë e ka frikësuar rrymën tjetër.

Sipas tij, elitat politike janë fajtorët kryesorë për, siç thotë ai, lojën me simbole.

“Në kushte normale, simbolet, quhen simbole, por do të duhej të ishin mite. Pra, mit me të cilin mobilizohet shteti, qytetarët e një vendi. Kjo te ne nuk ka ndodhur. Them se faji kryesor është i konfuzionit ideologjik, i kalkulimit që bëjnë elitat politike dhe pse jo edhe i arsimit publik. Për gjithë këto vite, arsimi publik nuk e ka një platformë të qartë se si duhet të afirmohen vlerat shtetërore dhe si duhet të bëhet identifikimi i qytetarëve me këtë shtet”.

Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se simbolet shtetërore të Kosovës, të cilat janë bërë të ditura me shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008, nuk janë pritur me ndonjë emocion të veçantë nga shqiptarët e Kosovës. Kjo për shkak se, sipas tij, për kohë të gjatë ata kanë pritur të identifikohen në masë të plotë me simbolet kombëtare.

“Simbolet shtetërore, në njëfarë mënyre kanë dalë pak si në befasi, sepse qytetarët shtetin e kanë pritur, pavarësinë e kanë pritur, por simbolet e tilla çfarë janë, nuk i kanë pritur. Nuk kanë pasur mundësi edhe t’i paramendojnë ndoshta se do të jenë asistoji dhe e kanë përjetuar, themi kushtimisht, si një lloj shoku, në momentin kur i kanë parë. Por, unë mendoj se tash, në një masë të madhe, qytetarët e Kosovës janë pajtuar me realitetin, të cilin e prezantojnë simbolet, sepse e kuptojnë që këto janë simbole shtetërore. Ndërsa simbolet kombëtare mbesin edhe më tutje, si simbole me të cilat identifikohen në kuptimin kombëtar”.

Por, a kanë arritur vërtetë shqiptarët e Kosovës që t’i definojnë drejtë pikëpamjet emocionale karshi simboleve shtetërore dhe atyre kombëtare, si dhe ndarjen e drejtë të këtyre emocioneve?

Image
Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, foto nga arkivi

Profesor Milazim Krasniqi shpreh mendimin se krijimi i iluzionit se pavarësia e Kosovës është vetëm një fazë drejt bashkimit kombëtar me Shqipërinë, karshi të gjitha parametrave gjeopolitik si dhe vetë kritereve të krijimit të shtetit të Kosovës, të cilat e pamundësojnë një gjë të tillë, fshehin hilenë e qasjes ndaj këtyre simboleve.

“Kjo hileja, me të cilën ne kemi jetuar gjatë, është bërë si mënyrë e të menduarit dhe mënyrë jetese dhe njerëzit, pak a shumë, jetojnë në mënyrë skizofrenike. Kjo ka bërë që të lihen anash jo vetëm simbolet, por edhe përkushtimi emocional dhe qytetar për shtetin e Kosovës. Kjo shkallë kaq e lartë e korrupsionit, e prostitucionit, e formave devijuese të jetës sociale nuk do të ishte e mundur po të kishte një shkallë më të lartë të atdhedashurisë së qytetarëve. Në anën tjetër, po të kishte atdhedashuri të qytetarëve ndaj këtij shteti, ajo do t’i mbante elitat politike që të mos ishin kaq abuzive sa janë tash”.

Në anën tjetër, sociologu Shemsi Krasniqi beson se për shkak të traditës më të gjatë të simboleve të identitetit kombëtar, lidhja emocionale e shqiptarëve të Kosovës me to është më e rrënjosur sesa me simbolet e identiteti shtetëror.

“Gradualisht do të familjarizohen dhe identifikohen më tepër me to, por tash për tash është kështu si është. Nevojitet që të jepen shembuj të mirë, sidomos udhëheqësit dhe drejtuesit e shtetit, në mënyrë që edhe shteti të pasqyrojë dhe të realizojë funksionin për të cilin ekziston si i tillë. Natyrisht që një forcim i shtetit nënkupton edhe forcim të simbolit, si dhe forcim të ndjenjës në raport me simbolin”, tha sociologu Krasniqi.

Çështja e simboleve shtetërore të Kosovës ka qenë temë debati dhe polemikash në opinion që para shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008, por edhe pas saj. Debatet dhe polemikat e tilla vazhdojnë edhe sot, madje edhe ndërmjet politikanëve që përfaqësojnë institucionet e shtetit në nivelin qendror dhe në nivelin lokal./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat