Thaçi publikisht distancohet nga idetë për ndarjen e Kosovës

Aktuale

Thaçi publikisht distancohet nga idetë për ndarjen e Kosovës

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 17:38
Hashim Thaçi

Presidenti Thaçi, i cili thuhet të jetë në dijeni e në pajtim për idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ka thënë se kjo ide është shumë larg mendjes së tij e institucioneve të Kosovës.

Në një konferencë për media, së bashku me presidentin slloven, Borut Pahor, Presidenti Thaçi u pyet për shkëmbimin e territoreve apo ndarjen e Kosovës, për të cilën është raportuar se pikërisht Thaçi është në dijeni, e edhe në pajtim për një ide të tillë.

“Idetë e tilla nuk sjellin paqe as stabilitet, nuk janë të institucioneve të Kosovës”, është shprehur kreu i vendit.

Ndërsa, ai ka treguar se idetë për ndarjen e Kosovës kanë ekzistuar edhe më herët, por për të kjo është destabilizuese dhe e dëmshme për Kosovën.

“Kjo është gjë e vdekur. Ka pasur ide për ndarje më herët, por unë kam qenë i qartë, respektimi i integritetit territorial është tejet i rëndësishëm”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Iniciuesi i ideve që së fundmi kanë rrezikuar që vendi të izolohet tërësisht, ka thënë se ai respekton Kushtetutën e Kosovës dhe se për të Deklarata e Pavarësisë është Bibël e Kuran.

Thaçi ka përmendur edhe përfshirjen e Shqipërisë, përkatësisht kryeministrin Edi Rama, si përkrahës i planit për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve

“Janë të kota përfshirjen e Shqipërisë në këtë. Kosova është vend sovran dhe vendos vet. Kush mendon se ne diskutojmë për Kosovën përmes Shqipërisë e ka gabim”, ka thënë Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat