Pahor bën thirrje të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të vazhdohet dialogu

Aktuale

Pahor bën thirrje të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të vazhdohet dialogu

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 10:00
Borut Pahor

(E plotësuar) - Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, pati një mori kërkesash për institucionet e Kosovës, gjatë adresimit para ligjvënësve kosovar.

Ai kërkoi ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdimin e zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pahor duke folur para deputetëve theksoi se ai mbështet strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkesën për zgjidhjen e problemeve të kufijve me fqinjët para se këto vende të bëhen anëtare të BE-së.

Pahor: Zgjidheni problemin e demarkacionit

“Çështjet e hapura bilaterale përfshirë edhe problemet që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet me kufij duhet të zgjidhen para se vendet të bëhen anëtare të BE-së. Unë e kuptoj kompleksitetin e detyrës me të cilën po ballafaqophet Kosova në këtë aspekt. Në mes të tjerash kjo ka të bëjë edhe me njohje diplimatike të vendit tuaj. Si mik i juaji dëshiroj t’iu inkurajoj që të mos hezitoni që t’i zgjidhni këto probleme. Unë e di nga e kaluara dhe nga ngjarjet që po ndodhin tani sa është e rëndësishme në mënyrë që të zgjidhen problemet. Mirëpo nuk ka rrugë tjetër, nëse dëshironi të ndërtoni një rajon të paqes atëherë duhet t’i zgjidhni të gjitha problemet edhe ato të vështira. Si mik i juaji ju inkurajoj që të mos hezitoni ta zgjidhni problemin me kufirin dhe në fudn vendi juaj do të krijoj marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe do të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së”, tha Pahor.

Kreu i shtetit slloven foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin pati kërkesë që të vazhdohet dhe të zgjidhen problemet mes dy vendeve përmes këtij dialogu, pavarësisht kompleksitetit të saj.

Madje, Pahor e ka quajtur tejet të rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm mes vendeve të rajonit.

Pahor: Vazhdoni zgjidhjen e problemeve me Serbinë përmes dialogut

“Pavarësisht problemeve Sllovenia është në rrugën e saj që akoma t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj me fqinjët. Unë e kuptoj kompleksitetin e kësaj detyre që kemi. Për këtë arsye me një respekt tejet të madh unë i mbështes përpjekjet e Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar që në mënyrë graduale t’i zgjedhin të gjitha qështjet e hapura përmes negociatave bilaterale, negociata këto që mbështeten nga BE-ja. E di nga përvoja e Sllovenisë sa është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Është e rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe gjithashtu është tejet e rëndësishme që të thellohet mirëbesimi dhe bashkëpunim i përgjithshëm”, tha Pahor.

Krijimi i shteteve të Sllovenisë dhe Kosovës, sipas Pahor është justifikuar me zotimin se do të jenë demokratike të udhëhequra nga sundimi i ligjit dhe ofrimin e drejtësisë për gjithë njerëzit që jetojnë në to.

Ai tha se sikurse sllovenët edhe kosovarët e kanë themeluar shtetin e tyre të pavarur, duke marrë përsipër krijimin e mundësisë për ruiajtjen dhe zhvillimin e minoriteteve që jetojnë në këto shtete.

Ai e ka quajtur tejet të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, ruajtjen dhe fuqizimin e të drejtave të komuniteteve.

Prandaj, presidenti slloven ka vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë mes vete. Sipas tij, përgjegjësi e BE-së është që t’iu hap dyert këtyre shteteve, mirëpo janë ata përgjegjës për krijimin e besimit, marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimit të përbashkët. Pahor e ka quajtur detyrë të vështirë, por në fund njerëzit e këtyre vendeve shpërblehen duke e pasur një të ardhme me të mirë.

Pahor: Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë që të arrijnë sukses

“Ne dëshirojmë që vendi juaj të jetë i suksesshëm dhe të ketë suskses në të ardhmen. Kjo do të ishte tejet inspiruese. Ne dëshirojmë që rajoni dhe të gjitha vendet e rajonit të arrijnë suskses në përgjithësi. Pra vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrihet një me e mirë, të arrihet një mirëqenie me e mirë për popujt tanë, për fëmijët tanë”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka vlerësuar se vizita e presidentit slloven në Kosovë, është si rezultat i partneritetit që kanë dy shtetet mes vete.

Veseli: Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës

“Vizita e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, është dëshmi e partneritetit dhe miqësisë që kemi ndërtuar në mes dy shteteve tona. Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha procveset e saj historike. Duke pasur këtë mbështetje, sot Kosova ndihet më e sigurt dhe më e fuqishme në rrugën e saj euroatlantike”, tha Veseli.

Vizita e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor u realizua për nder të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.  Pahor dje është takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Pahor: Zgjidheni problemin me kufirin që të bëheni pjesë e BE-së (Drejtpërdrejt)

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në një adresim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se ashtu sikurse sllovenët e edhe kosovarët e kanë themeluar shtetin e pavarur.

“Në këtë aspekt kam ardhur në Kosovë si një mik i shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dhe si një mik i të gjitha kombësive të tjera që jetojnë në Kosovë. Është tejet e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës që t’i ruaj dhe fuqizoj të drejtat e komuniteteve. Pavarësisht problemeve është në rrugën e saj që t’i përmirësoj marrëdhëniet me fqinjët e saj”, tha Pahor.

Ai tha se i mbështet përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë që t’i zgjedhin problemet e hapura përmes negociatave të mbështetura nga BE-ja.

“Është e rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm. Po i jap vetes të drejtë që t’iu them vazhdoni dialogun dhe zbatoni problemet. Jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të dy vendeve por edhe krijimin e një klime të mirë për tërë rajonin, në mënyrë që të bindet BE-ja që edhe këto vende duhet të jenë pjesë e BE-së. Unë në përgjithësi e mbështes strategjinë e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor dhe kërkesën për zgjidhjen e kufijve me fqinjët”, tha Pahor.

Ai ka inkurajuar që ta zgjedhin problemin me kufirin me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së.

“Dhe për këtë Sllovenia do t’iu ndihmojë. Përgjegjësi e BE-së është që të na hap dyert, mirëpo ne jemi përgjegjës për krijimin e bashkëpunimit. Është një detyrë e vështirë, por në fund njerëzit tanë shpërblehen. Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrihet një e ardhme më e mirë”, tha Pahor.

Presidenti i Sllovenisë ka ardhur dje në Kosovë ku është takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të presidentit të Sllovenisë Borut Pahor.

Pahor po qëndron në  një vizitë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat