Hoxha: Austria mbetet partner i fuqishëm i shtetësisë sonë

Aktuale

Hoxha: Austria mbetet partner i fuqishëm i shtetësisë sonë

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 14:34
Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, në takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Gernot Pfandler

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, në takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Gernot Pfandler, ka theksuar se Austria ka qenë dhe mbetet partner i fuqishëm i shtetësisë tonë dhe shtetndërtimit, integrimit në institucionet ndërkombëtare si dhe promovuese e vlerave tona.

Në takim, ministrja Hoxha ka theksuar se procesi integrues nuk ka alternativë, por, procesi nëpër të cilin po kalon Kosova aktualisht, do edhe mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtar, të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, duke qenë të përkushtuar për zbatimin e MSA-së, Agjendën e Reformave Evropiane si dhe detyrimet e ndërkombëtare të Kosovës.

“Edhe pse Strategjia për integrimin e Ballkanit perëndimor, nuk jep afate për procesin e integrimit, është e qartë se Kosova trajtohet njësoj brenda detyrave dhe obligimeve për 6 shtetet sovrane. Kjo nuk na zmbrapsë të kryejmë detyrat tona sa më shpejtë, duke mos harruar luftimin e krimit të organizuar, fuqizimin e sundimit të ligjit, fqinjësinë e mirë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Austria, mbetet partner i fuqishëm i shtetësisë tonë dhe shtetndërtimit, integrimit në institucionet ndërkombëtare si dhe promovuese e vlerave tona.

“Ne mbështesim fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin integrues, jemi këtu të ofrojmë përkrahje të mëtejme, por, Kosova duhet sa më shpejt, me hapa konkretë të dëshmojë vendosmërinë e saj për këtë proces jetik për qytetarët e Kosovës”, tha ambasadori Pfandler, duke shtuar se Austria do të jetë e përkushtuar me përkrahjen e saj që Kosova ta ketë vendin e vet meritor sikur vendet tjera të Ballkanit perëndimor, në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Pfandler theksoi rëndësinë e zbatimit të MSA-së dhe Agjendën Evropiane të Reformave, duke ofruar mbështetje të plotë për proceset integruese të Kosovës. Agjenda integruese është lajm i mirë për Kosovën, theksoi ai, sepse saktësohet subjektiviteti shtetëror, i pranueshëm nga hartuesit e saj, përkundër mos njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat