Thaçi: Vendi i Kosovës është në BE

Aktuale

Thaçi: Vendi i Kosovës është në BE

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 13:52
Hashim Thaçi

?Me rastin e shënimit të 48 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova ka përqafuar të gjitha vlerat evropiane prandaj e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e shënimit të 47 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” deklaroi se liria dhe shteti i Kosovës janë vlera të pandashme me Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, këto vlera synojnë t’i bashkohen vlerave supreme evropiane të dijes, politikës dhe ekonomisë, prandaj Kosovës i duhet unitet politik dhe qytetarë.

Thaçi: Synojmë t’i bashkohemi vlerave supreme evropiane

“Këto vlera synojnë të bashkohen me vlera supreme evropiane dhe perëndimore të dijes të politikës, të ekonomisë, të qytetërimit. Kosova ka qenë është dhe do të jetë Evropë dhe Perëndim. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në NATO sepse kemi përqafuar qysh herët vlerat civilizuese e perëndimore. Sot apo këto ditë kur po shënojmë dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës edhe më tepër se kurrë  na nevojitet uniteti politik, qytetar...Gjithashtu në këtë periudhë të rëndësishme të konsolidimit në rrafshin e brendshme dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë”, tha ai.

Ai tha se vetë emri i Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina”, ka nxjerr emra të dijes dhe shkencës.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj tha se UP ka shërbyer si fole ku u nisë çështjet më madhore të kombit tonë në gjysmë shekullin e kaluar.

Sipas tij, me Universitetin e Prishtinës ndërlidhet e kaluara dhe e tashmja e Kosovës, prandaj pa ndryshimet në UP nuk mund të ndodhin as ndryshimet në Kosovë.

Demaj: UP është madhështor

“E kaluara e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës lidhen me këtë institucion. Universiteti i Prishtinës është madhështor, të tillë e ka dëshmuar historia, të tillë e bëjnë studentët e tij andaj jo më kotë çdoherë potencoj se Universiteti i Prishtinës është Kosova, pa ndryshimin e Universitetit të Prishtinës nuk ka ndryshim të Kosovës. Universiteti i Prishtinës asnjëherë që nga pas lufta nuk ka qenë më mirë se sa që është tani”, tha ai.

Sipas Demajt, stafi akademik i Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina” po e ngritë lartë Kosovën në sferën akademike botërore fal mësimdhënësve dhe studentëve të saj që po shënojnë fitore në garat botërore.

Ai potencoi se UP nuk ka rreshtur të shënoj suksese dhe tani në 6 mujorin e fundit ka arritur në ngritët për mbi 600 vende lartë në rangimin global për arsim.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencë dhe Teknologjisë, Arbër Geci, shënimin e 48 vjetorit të themelimit të UP-së, e ka konsideruar si moment të veçantë për të kujtuar angazhimin dhe sakrificën e një kombi të tërë për dije. 

Geci u zotua se MASHT do të angazhojë të gjitha mekanizmat për ta forcuar atë në mekanizmat ndërkombëtar dhe UP do vazhdojë të jetë tempull i dijes që edukoi gjeneratën e lirisë së Kosovës.

Geci: MASHT do të jetë në shërbim të UP-së

“MASHT gjithashtu do të angazhoj të gjithë mekanizmat që ka në funksion për të qenë në shërbim të këtij institucioni arsimor për ta forcuar atë edhe në rrafshin e marrëveshjeve ndërkombëtare duke mos lejuar çfardo force të jashtme të ardhmen e ndritur të këtij universiteti. Universiteti i Prishtinës do të jetë gjithmonë tempull i dijes që edukoi, ngriti dhe orientoi gjeneratën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, shtoi ai.

E Arieta Bajrami, kryetare e Parlamentit Studentor ka ftuar politikën e vendit që ta lërë Universitetin e Prishtinës të lirë që të veprojë lirshëm.

Bajrami tha se kuadrot më të mira po ikin nga Kosova, dhe për ta penguar këtë arsimit duhet të trajtohet si çështja më e rëndësishme e vendit jo me fjalë por me vepra.

Bajrami: Arsimi të jetë çështja më e rëndësishme e vendit

“Ata po e lëshojnë Kosovën, kuadrot tona më të mira po ikin, për arsye se nuk po gjejnë punë këtu, dhe ka ardhur koha që ne të mos shohim më ëndrra me sy hapur, ka ardhur koha që arsimi të trajtohet si çështja më e rëndësishme e vendit, jo me fjalë por me punë të palodhshme dhe dinjëtoze”, tha ajo.

Në këtë ceremoni për të shënuar 48 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", u dha edhe një dokumentar i cili pasqyronte rrjedhat e themelimit të këtij universiteti.

Po ashtu,  rektorati i UP-së ka ndarë edhe mirënjohje për mësimdhënësit dhe studentët e dalluar, ndërsa çmimi sportiv i ka ndarë Gentiana Beqaj.

Për të gjithë të pranishmit e gjithë ceremonia u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Artit dhe Muzikës.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat