Ja marrëveshja për Demarkacionin e propozuar një vit më parë nga deputetët e LDK-së

Aktuale

Ja marrëveshja për Demarkacionin e propozuar një vit më parë nga deputetët e LDK-së

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 12:46
LDK

Një vit më parë deputetët e LDK-së propozuan një aneks marrëveshje për miratimin e Demarkacionit e cila nuk u mor parasysh as nga grupet e tjera parlamentare e as nga krerët institucionalë të vendit.

Sikur të miratohej atëherë kjo Aneksmarrëveshje qytetarët e Kosovës sot do të lëviznin lirisht në Evropë.

Ua sjellim Ankesmarrëveshjen integrale të propozuar nga deputetë e LDK-së një vit më parë:

Me qëllim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi;
Duke njohur rëndësinë e procesit të integrimit evropian në përgjithësi, dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në veçanti;
Me qëllim të plotësimit të kriterit të përcaktuar nga Komisioni Evropian lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi;
Duke synuar mbajtjen dhe kultivimin e raporteve të mira fqinjësore me Malin e Zi;
Me qëllim të fuqizimit të raporteve me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian;
Me qëllim të krijimit të unitetit politik dhe konsensusit parlamentar për çështje të interesit shtetëror:

Ne, deputetët e poshtë nënshkruar, propozojmë këtë zgjidhje për çështjen e marrëveshjes për shënjimin e kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi:

Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbajë dy anekse dhe do të pësojë ndryshime në përmbajtje si vijon:

Aneksi I Parë do të jetë Marrëveshja e 25 Gushtit 2015 e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi (shih detajet në pikën 2)
Aneksi I Dytë do të jetë dokument I ri I cili do të përmbajë parakushtet të cilat duhet të plotësohen para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit (shih detajet në pikën 3)
Neni 4 që ka të bëjë me hyrjen në fuqi, ndryshohet si vijon: “Marrëveshja nga Aneksi 1 nuk mund të hyjë në fuqi pa u përmbushur parakushtet e parapara në Aneksin 2 të Këtij Ligji.”
Me qëllim të përfshirjes së Aneksit 2 në përmbajtjen e Ligjit, do të pësojnë ndryshime edhe nenet 1, 2 dhe 3 të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi
Efekti dhe fuqia juridike e Aneksit 1 dhe Aneksit 2 është e barabartë.

Aneksi i Parë, i cili përfshinë Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit të 25 gushtit 2015, nuk do të hyjë në fuqi pa u plotësuar kushtet e Aneksit të Dytë, në përputhje me dispozitat e reja për hyrje në fuqi.

Aneksi i Dytë, ndër të tjera, përfshinë këto dispozita:

Qeveria e Kosovës të rinegociojë me Qeverinë e Malit të Zi Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për Shënjimin e Kufirit brenda afatit prej 1 viti nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes me të dyja anekset.
Qeveria e Kosovës, me pëlqim të Kuvendit të Kosovës, të emërojë një Komision të ri shtetëror për rinegocimin e Marrëveshjes, i cili nuk përfshinë asnjë nga anëtarët paraprak të Komisionit shtetëror dhe Komisioneve të tjera që kanë shqyrtuar marrëveshjen e 25 gushtit 2015.

Rinegocimi do të bëhet në përputhje me të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare dhe do të përfshijë pikat kontestuese të shënjimit të kufirit si në vijim:

Hapësira në perëndim të Kosovës në drejtim të Qafës së Çakorrit dhe Bjelluhës.
Hapësira në perëndim të Kosovës në drejtim të Qafës së Kullës së Zhlebit.

Në rast se brenda afatit 1 vjeçar, dy Qeveritë nuk arrijnë pajtim lidhur me pikat kontestuese, Kosova dhe Mali i Zi pajtohen të dërgojnë çështjen e shënjimit të kufirit në arbitrazh ndërkombëtar, duke përzgjedhur opcionin e arbitrazhit të përshpejtuar (Fastrack Arbitration), vendimi i të cilit do të pranohet dhe zbatohet nga të dyja palët.

Në tekstin e Marrëveshjes së Arbitrazhit do të përfshihen, ndër të tjera, edhe këto dy klauzola

Gjykata e Arbitrazhit do të marrë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen e kufirit mes Kosovës e Malit të Zi brenda afatit të përcaktuar nga palët.
Palët pajtohen që asnjëra nga deklarimet politike ose profesionale të të dyja palëve të dhëna deri me datën e paraqitjes së kërkesës për arbitrazh, dhe as nënshkrimi I dhënë në marrëveshjen e 25 gushtit 2015 të mos merren si prova në dëm të ndonjërës palë gjatë shqyrtimit të pikave kontestuese.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat