Qytetarët festojnë 10 vjetorin në kryeqytet me këngë e valle

Aktuale

Qytetarët festojnë 10 vjetorin në kryeqytet me këngë e valle

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 17:35
Kosova festa

Sheshet e Prishtinës sot ishin stërmbushur. Ata kanë dal për të festuar dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Ajo që e bën më festive është edhe dekorimi i shesheve me simbolikat e një dekade të shtetësisë.

Për dallim nga vitet e kaluara të cilët kanë kaluar me festime të zbehta, sivjet festa e pavarësisë po festohet ashtu siç i ka hije një shteti modern.

Koncerte për fëmijë, për të rritur, defilime të ndryshme dhe organizime që argëtojnë qytetarët janë mbajtur sot në kryeqytet.

Dhe jo vetëm kjo. Në mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet një koncert i madh ku pritet që të performojë edhe ylli i muzikës botërore nga Kosova Rita Ora.

Ajo ka arritur paradite në Kosovë ndërsa është takuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Parakalimi i FSK-së dhe Policisë është lënë për nesër e po ashtu edhe seanca solemne.

E për të festuar këtë dhjetë vjetor të shtetësisë nuk kishte vetëm qytetarë të Kosovës, por edhe nga trojet tjera shqiptare. Madje edhe nga Çamëria.

Një familje nga ky vend i Greqisë por i banuar me shqiptarë ka ardhur në Prishtinë. Por zonja came është shprehur e pakënaqur  se ka parë shumë pak flamuj kombëtarë në sheshe.

Madje ajo dhe familja e saj kanë parakaluar me një punim dore në shenjë pakënaqësie që nuk janë të vendosur flamujt kuq e zi.

Ajo ka treguar se ka qenë në Prishtinë edhe më 17 shkurt 2008 dhe sipas saj ka qenë një festë madhështore dhe ka pasur më shumë njerëz dhe shumë flamuj kuq e zi.

Gruaja nga Çamëria: Nuk jam e kënaqur se nuk ka flamuj kuq e zi

“Jam kënaqur shumë , ishte një festë madhështore , kishte shumë njerëz, kishte shumë flamuj të kuq që sot s’po më shikon syri ndonjë flamur të kuq, më vjen shumë keq . Këtë që kam këtu ta kisha edhe në gjithë sheshin këtu ishte kënaqësi”, tha zonja nga Çamëria.

Ata që të shtunën janë kënaqur më së shumti janë fëmijët. Ata në një mot të bukur kanë dal bashkë me prindërit për t’i parë nga afër grupe të ndryshme të fëmijëve të cilët kanë mbajtur koncerte në shesh.

Grupi “Xixëllonja” ka shfaqur një koncert ku fëmijët e këtij grupi kanë kënduar dhe vallëzuar.

Përveç kësaj në sheshe ka pasur edhe defilim të Ansamblit “Shota” si dhe aktivitete tjera për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Aktivitetet e së shtunës përmbyllen me koncertin në Sheshin “Skënderbeu” për të vazhduar edhe të dielën me aktivitetet zyrtare të institucioneve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat