Pas dy dekadash shtetësi të Kosovës, Rama kërkon një president të përbashkët

Aktuale

Pas dy dekadash shtetësi të Kosovës, Rama kërkon një president të përbashkët

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 13:54
Kuvendi i Kosovës

Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës është shënuar sot edhe me një seancë solemne ku kanë marr pjesë mysafirë të shumtë, nga SHBA-ja, shtetet evropiane, Shqipëria dhe Maqedonia.

Para deputetëve dhe mysafirëve një fjalim të gjatë ka mbajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili tha se kanë ndërtuar një shtet demokratik, funksional dhe efektiv.

Po ashtu, ai tha se Kosova është shtëpi e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë.

Veseli tha se orientimi politik i Kosovës është autokton, perëndimor, integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian, raporte të ngushta e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veseli: Në dekadën e dytë të pavarësisë, na duhet më shumë punë e përgjegjësi

“Në dekadën e dytë të pavarësisë, na duhet më shumë punë e përgjegjësi. Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik. Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Dashuria dhe krenaria për vendin nuk burojnë vetëm nga përvoja e së kaluarës, por mbi të gjitha nga besimi se ky vend krijon kushte për jetë dinjitoze të qytetarëve të tij. Që të arrihet kjo, në rend të parë duhet një kthesë e madhe në qasjen dhe sjelljen tonë politike. Duhet të çlirohemi nga barra e agjendave negative, debateve shterpe, nga gara e patriotizmit folklorik, nga barra e politikës që në vend të alternativave zhvilluese, prodhon vetëm etiketa negative kundër njëri-tjetrit. Politika duhet t’u kthehet qytetarëve, si besim dhe mekanizëm në shërbim të tyre”, tha Veseli.

Në seancën solemne të Kuvendit iu dha fjala edhe senatorit amerikan Eliot Engel, i cili sot e e kishte dhe ditëlindjen e 71-të.

Ai tha se për këto vite në Kosovë  ka parë shumë ndryshime, por që sipas tij tha se ka edhe shumë çështje të rëndësishme për të cilat duhet të punohet.

Engel: dëshiroj ta shoh Kosovën në BE, dëshiroj ta shoh Kosovën në NATO

“Kosova ka çështje të rëndësishme në të cilat duhet të punoj, dëshiroj që të përgëzoj presidentin e Kosovës dhe të Malit të Zi për marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe shpresoj që Kuvendi do ta miratojë atë ashtu që Kosova të mos jetë vendi i vetëm në Ballkan qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë nëpër shtetet e BE-së pa viza. Nganjëherë ndoshta këto marrëveshje nuk janë të drejta, por është me rëndësi që Kosova t’i marrë vendimet e vështira sepse janë të rëndësishme që Kosova të ecë përpara. Po ashtu, këtu shoh një vend me të ardhme të madhe, e them prapë nuk është lehtë, do të jetë edhe më vështirë. Shumë shpesh e kemi pasur më vështirë sesa të gjithë fqinjët tuaj, por duke i tejkaluar këto sfida po ja dëshmoni vetes dhe botës se i meritoni të gjitha shpërblimet e pasura që do t’i përfitoni. Përderisa shoh drejt 10 vjeçarit të ardhshëm dëshiroj që Kosova të jetë e nj ohur nga të gjitha kombet në botë, dëshiroj ta shoh Kosovën në BE, dëshiroj ta shoh Kosovën në NATO dhe dëshiroj ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

Engel tha se dëshiron të shoh qeverinë tek përballet me korrupsionin dhe ta merr shumë seriozisht atë çështje, sepse sipas tij kjo do ta mundësojë që Kosova të jetë një vend ku bizneset do të vijnë këtu dhe do të ketë vende pune për të gjithë.

Për t’u drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës iu dha fjala edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama  i cili tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete formalisht të ndara administrative por që jetojnë në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe një bashkëveprim politik dhe institucional të vazhdueshëm në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtar të së ardhmes.

Ai në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se sot një dekadë  më parë Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike duke u vendosur si shteti më i ri në hartën e globit dhe ajo sot numëron më shumë se 115 njohje por edhe ka shënuar një progres të konsolidohem në fuqizimin e institucioneve dhe shtetit demokratik.

Rama: Një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politik kombëtare të sigurisë

“Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë ai histori dhe shqiptarët dhe serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes si dy popuj në fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian. Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politik të jashtme e jo vec ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta. Por, pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të  ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj dhe e shkuara e 20 viteve të fundit  këtij vendi,  Kosovës  i ka parapri fal njerëzve po të këtij vendi një të ardhme që në çdo rast është më e afërt sesa largësia që shohim sot”, tha kryeministri Rama.

Në seancën solemne që u mbajt për ndër të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës kanë marrë pjesë shumë mysafirë, ndër ta ishin, ish presidenti kroat Stipe Mesiq, ish kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ish administratori i UNMIK-ut Bernard Kuchner, ish ambasadori i OSBE-së William Walker, ambasadorë dhe mysafirë nga shumë vende të botës. Në mesin e mysafirëve është edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Përveç deputetëve të ftuar në seancën solemne edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu, ish kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Nexhat Daci, pastaj edhe pjesëtarë nga shoqëria civile, mediat, UP dhe mysafirë tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat