Seanca për demarkacionin është shtyrë për një afat të pacaktuar

Aktuale

Seanca për demarkacionin është shtyrë për një afat të pacaktuar

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 13:52
Kuvendi i Kosovës

Seanca për demarkacionin e cila ishte paraparë të mbahej nesër është shtyrë për një afat të pacaktuar. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të ketë seancë për demarkacionin të martën, por që nuk ka bërë të ditur se kur mund të mbahet seanca.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se është një temë që ka pritur gati tre vjet e nuk bëhet asgjë nëse pret edhe një javë.

Ai shtoi se duhet të ketë diskutime më të gjithë e jo vetëm me Listën Serbe.

Haradinaj: Duhet të konsultohemi me të gjitha grupet parlamentare

“Thirrja e seancës për të dielën ishte në atë vullnetin e madhe e të mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema është një temë që ka pritur me vite donë konsultë me të gjithë deputetët. Pra, nuk është vetëm Lista Serbe, por duhet të konsultohemi me të gjitha grupet parlamentare me kujdes që të kemi një seancë të përgatitur mirë. Ka një ndryshim në gjendjen faktike, ka një marrëveshje mes presidentëve, marrëveshja flet për mundësinë e rishikimit, pra për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës. Megjithëse disa  njerëz e vlerësojnë ose të dyshimtë ose tjetër, prapë se prapë është një materie në mes dy presidentëve të vendit, ju kam thënë nuk e di a ka mbërri me media që kam punuar për këtë marrëveshje. Unë e shoh se të gjithë kanë punuar dhe i falënderoj të gjithë, por kam qenë direkt i kyçur në substancën e kësaj marrëveshje”, tha kryeministri.

Kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit, sipas tij, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku.

Haradinaj: Duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku

“Tani për mua kjo marrëveshje dhe ligji për ratifikimin që do t’i kaloj parlamentit duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Do t’i marrim të gjitha procedurat dhe përgatitjet, kemi humbur gati tri vite po bëhen, nëse na shkon edhe një javë por duhet të kemi kujdes në përgatitje të seancës. Por, nuk ka kthim prapa, kemi hyrë në drejtim të mirë, jemi në proces, mund të na marrë ndonjë ditë”, tha ai.

Haradinaj tha se historia do të tregojë që e kanë nxjerrë të drejtën në territor dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët.

Haradinaj: E kemi nxjerrë të drejtën në territor dhe e kemi nxjerrë lirinë e lëvizjes

“Historia do ta tregojë, e ardhmja e afërt do ta tregoj, na i kemi nxjerrë të dyja. E kemi nxjerrë të drejtën në territor dhe e kemi nxjerrë lirinë e lëvizjes dhe e kemi  nxjerrë Kosovën prej një pozicioni shumë të rëndë. Për këtë kuptohet që kurrë nuk kisha mundur ta bëjë vetëm, pa mirëkuptimin e plotëve dhe shpresoj që do ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, të Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, sepse është një moment me qenë të gjithë bashkë”, shtoj kryeministri Haradinaj.

Kryeministri i vendit u ka bërë apel të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke thënë se kanë ardhur në atë momentin kur mund të ecin përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat