Integrimi i komuniteteve kontribuon drejt identitetit të përbashkët evropian

Aktuale

Integrimi i komuniteteve kontribuon drejt identitetit të përbashkët evropian

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 10:19
Seminari mbi zotimin e Politikave dhe Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë e Kosovës

(E plotësuar)- Të drejtat e romëve dhe ashkalinjve janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së, përderisa anëtarë të këtyre komuniteteve vazhdojnë të jenë më të diskriminuar sesa komuniteti serb në Kosovë.

Kështu u tha në seminarin mbi zotimin e Politikave dhe Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, fjalën e tij në mbështetje të komunitetit rom dhe ashkali për integrim në shoqëri dhe institucione, e nisi duke thënë se gjithsecili e ka peshën e vet. Përderisa theksoi se vizioni i Qeverisë të Kosovës është të krijojë kushte të volitshme për romët dhe ashkalinjët, të cilët gjenden në një situatë më të vështirë sesa serbët në Kosovë.

Haradinaj: Krahasuar me serbët, gjendja e ashkalinjve dhe romëve në Kosovë është më ulët

“Të gjitha mësimet e nxjerra nga e kaluara, qofshin ato të vuajtjeve, tragjedive, gabimeve,  duhet të na shërbejnë për të qenë më vizionarë. Pra vizioni ynë tani e tutje të jetë më i mirë.  E si është ky vizion i yni më i mirë, është nëse ne i bëjmë romët dhe ashkalinjët e Kosovës, të barabartë, më aktiv, pjesëmarrës në jetë. E vërtetë që nisja për ta është më e ulët, krahasuar me serbët,  të cilët në disa fusha janë më mirë. Pra starti është më i ulët. E tani nevoja është që të bëjmë një start më të barabartë. Pra me iu dhënë përkrahje romëve dhe ashkalinjve që me arrit me qenë në startin e njëjtë”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se strategjia e Qeverisë për vitet 2017-2021 dhe pjesëmarrja në vendimmarrje, politike dhe profesionale, por edhe të gjitha ato vendime që merren në përkrahje buxhetore për temat që i dedikohen komuniteteve, janë një dëshmi se në Kosovë ka filluar të vendoset e drejta. Porse theksoi se janë të vetëdijshëm që situata e romëve dhe ashkalinjve nuk është në rregull, duke përmendur arsimimin e të rinjve, çështjen e banimit dhe kushtet e rënda të tyre në përgjithësi.

Haradinaj: Jemi të vetëdijshëm që gjendja nuk është në rregull

“Jemi të vetëdijshëm që gjendja nuk është në rregull, te romët, ashkalinjtë. Banimi është ende problem. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme në banim, pasi që zgjidhjet e banimit nuk janë adekuate, nuk janë të përhershme, por të përkohshme dhe e dimë se kjo është një temë e ndjeshme dhe duhet të trajtohet me kujdes maksimal”, potencoi kryeministri.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova tha se të drejtat e komunitetit rom dhe ashkali  në Kosovë janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Sipas saj, integrimi i komuniteteve kontribuon drejt identitetit të përbashkët evropian.

Siç tha ajo, shumë prej projekteve jo domosdoshmërisht kërkojnë fonde, teksa vullneti politik shpeshherë është ai që bënë diferencën.

Apostolova: Mbështetja e komunitetit rom dhe ashkali janë një moment kyç në rrugën evropiane të Kosovës

 “Realiteti i hidhur në teren për të cilin foli kryeministri është se anëtarët e  komuniteteve të margjinalizuara vuajnë nga diskriminimi dhe varfëria. Në rastin e perspektivës evropiane të Kosovës, përpjekjet që duhet bërë për të mbështetur të drejtat dhe për të mbrojtur komunitetin rom, janë një moment kyç në rrugën evropiane të Kosovës. BE e mirëpret miratimin e strategjisë dhe planet e veprimit për përfshirjen e komunitetit rom dhe ashkali në shoqërinë e Kosovës”, tha Apostolova.

Edhe koordinatorja e Politikave për romë, DG NEAR, Marta Garcia, mbështeti Qeverinë e Kosovës në drejtim të ofrimit të mundësive më të mëdha për romët dhe ashkalinjët.

Garcia: Çfarëdo hapi i bërë përpara drejt integrimit të romëve dhe ashalinjve është një hap më afër BE-së

 “Ne duhet të veprojmë. Është e rëndësishme të kuptohet se ka një politikë të qartë të BE-se që ta kuptoni dhe ta dini se çfarëdo hapi i bërë përpara drejt integrimit të romëve dhe ashalinjve është një hap përpara drejt integrimit tuaj evropian”, tha ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i OJQ-së Zëri i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Isak Skenderi, falënderoi Qeverinë dhe kryeministrin Haradinaj për mbështetje, duke thënë se zëri i këtyre komuniteteve asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar sesa sot në këtë qeveri. Ai tha se duhet të vazhdohet me kapacitet dhe aftësitë që posedojnë që të ngritin zërin dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë në përgjithësi, e në veçanti të minoriteteve.

Teksa theksoi se shumë romë dhe ashkali vazhdojnë te jetojnë në vende tjera që nga lufta e fundit, pasi që nuk u janë krijuar kushte të mira për kthim.

Skenderi: Sfidë kryesore mbetet krijimi i kushteve për kthim të shumë ashkalinjve dhe egjiptianëve

“Mbështetja e fëmijëve në edukim dhe bursat, kanë zvogëluar hendekun e shkollimit të romëve dhe ashkalinjve... Mirëpo gjithashtu mund të them se mungesa e bashkëpunimi dhe të kuptuarit nga disa të tjerë është një sfidë kryesore për ndarjen e tokës dhe krijimin e kushteve për kthim të shumë ashkalinjve dhe egjiptianëve të cilët për 19 vite vazhdojnë që të jetojnë në vende fqinje me kushte shumë të ulëta”, tha ai.

Ndryshe, semininari do të zhvillojë punimet e veta përgjatë gjithë ditës së sotme, ku do të trajtohen të arriturat, sfidat dhe prioritetet në zbatimin e politikave për komunitetet rom dhe ashkali në Kosovë.

Të drejtat e romëve dhe ashkalive, rruga drejt Bashkimit Evropian

Të drejtat e romëve dhe ashkalinjve janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Kështu u tha në seminarin mbi zotimin e Politikave dhe Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në Kosovë secili është i vlefshëm. E këtë tha se më së miri e ka mësuar kur është dashur të formojë Qeverinë, pasi që secili ka pasur peshën e tij në formimin e saj.

 Kështu e nisi ai fjalën e tij në mbështetje të Komunitetit rom dhe ashkali për integrim në shoqëri dhe institucione.

"Të gjitha mësimet e nxjerra nga e kaluara, duhet të na shërbejnë për të qenë më vizionar. E vizioni ynë më i mirë është nëse në mund t'i bëjmë romët dhe ashkalinjtë të barabartë me gjithë të tjerët në Kosovë. Pra me iu dhënë përkrahje atyre. Për këtë arsye edhe Qeveria dhe pjesëmarrja politike, janë njëfarë shenje se në Kosovë është vendosur e drejta. Një pjesë e madhe e romëve në Kosovë kanë probleme me banimin. E di se kjo është një çështje e ndjeshme. Shkollimi i fëmijëve nuk është ai që duhet me qenë. Është edhe problemi i trajtimit shëndetësor, i punësimit, ku në duhet ta përmirësojmë pjesëmarrjen në sektorin publik edhe pse kjo është në rregull me ligj, porse disa nga komunitetet si romët dhe ashkalinjtë janë më keq", tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova tha se të drejtat e komunitetit rom dhe ashkali  në Kosovë janë prioritet kyç i Kosovës në rrugën drejt BE-së.

"Kosova ka kornizën legjislative në vend, porse nëse nuk i kthejmë fjalët në veprime, atëherë është koha që të shohim se çfarë duhet të bërë. Unë iu inkurajojë që të vendosim fokusin mbi komunitetin rom dhe ashkali. Vajzat dhe gratë rome dhe ashkali  diskriminohen dyfish. BE mbështet rininë e këtij komuniteti. Shumë prej projekteve jo domosdoshmërisht kërkojnë fonde, vullneti politik shpesh është ai që bënë diferencën”, tha Apostolova.

Ndërsa përfaqësuesi i OJQ-së Zëri i Komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Isak Skenderi, tha se romët në Kosovë nuk janë më mirë se në vendet tjera, niveli i papunësisë për ta vazhdon të rritet, përderisa shumë rom dhe ashkali,  sipas tij, vazhdojnë te jetojnë në vende tjera që nga lufta e fundit, pasi që nuk u janë krijuar kushte të mira për kthim.

“Ne dëshirojmë që Qeveria jonë të trajtojë me kujdes këto çështje në mënyrë që të përmirësojë situatën tonë”, tha ai.

Koordinatorja e Politikave për romë, DG NEAR, Marta Garcia, mbështeti Qeverinë e Kosovës në drejtim të ofrimit të mundësive më të mëdha për romët dhe ashkalinjët.

 “Jam e sigurt që edhe komuniteti ynë ka ketë synim. Ky seminar ka filluar sepse që nga viti 2011 është bërë thirrje për integrimin e romëve dhe ashkalinjve në BE. Çfarëdo hapi i bërë përpara drejt integrimit të romëve dhe ashalive është një hap drejt integrimit në BE”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat