Pas transferimit të rastit të Azem Sylës te vendorët, komenton EULEX-i

Aktuale

Pas transferimit të rastit të Azem Sylës te vendorët, komenton EULEX-i

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 11:46
Gjykimi i Azem Sylës.

Një ditë pasi kryetari i trupit gjykues të rastit të Azem Sylës befasisht njoftoi se ky rast do t’u transferohet vendorëve, Zyra për Informim e misionit për sundim të ligjit në Kosovë bëri të ditura arsyet e këtij vendimi.

 Dje u  raportua që rasti i Azem Sylës do të transferohet te vendorët.

Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, përmes postës elektronike dha sqarime për arsyet se pse rasti ku të akuzuar lidhur me tjetërsimin e disa pronave shoqërore janë Azem Syla dhe 21 persona të tjerë.

“Për arsye të transferimit gradual të funksionit ekzekutiv të EULEX-it tek autoritetet e vendit, prej datës 15 qershor 2018 gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk do të jenë pjesë e gjykatave të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e nga Zyra për Informim e EULEX.

Një ndër faktorët që përmendet të ketë ndikuar në transferimin e lëndës tek vendorët, në përgjigjen e EULEX-it, përmendet edhe gjendja shëndetësore e të akuzuarit.

“Rastet kanë qenë në proces të dorëzimit që nga viti 2014. Pas një vlerësimi të bërë me kujdes, ku është marrë parasysh kohëzgjatja e procesit gjyqësor dhe gjendja shëndetësore aktuale e të pandehurit, ushtruesja e detyrës së kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it ka vlerësuar se rasti nuk do të mund të përfundohet brenda afatit kohor të caktuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Si arsyetim tjetër që përmendet për transferimin e lëndës tek vendorët përmendet mundësia që ndryshimi i trupit gjykues pas qershorit të këtij viti të mund të kishte si pasojë rifillimin e procesit.

“Çfarëdo ndryshimi ndaj trupit gjykues pas datës 15 qershor 2018 do të kishte kërkuar rifillimin e procedurës dhe vonesa potenciale të mëtejme. Ky vendim është në pajtueshmëri me obligimin për respektimin e të drejtave të të pandehurit për proces gjyqësor të drejtë”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Megjithatë, ky rast sigurisht se duhet të rifillojë nga fillimi, të paktën rreth 20 seanca të mundësisë së veçantë hetuese ku janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur dhe që ky proces kishte zgjatur rreth 4 muaj./Kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat