“Haradinaj thoshte se Isa Mustafa nuk po ia del të merr vendime të mëdha, kurse tash vetë po i falë tokë Malit të Zi”

Aktuale

“Haradinaj thoshte se Isa Mustafa nuk po ia del të merr vendime të mëdha, kurse tash vetë po i falë tokë Malit të Zi”

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 12:17
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur të mos ndryshojë qëndrim kundër demarkacionit me Malin e Zi. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, e ka quajtur mashtrim deklarimin se me ratifikimin e demarkacionit do të bëhet liberalizimi i vizave.

Ai tha se demarkacioni po cilësohet si çmim për liberalizimin e vizave, por sipas tij, ka shumë procedura të brendshme për liberalizimin e vizave, siç është Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së, Parlamenti Evropian dhe ministrat e drejtësisë e të brendshëm të BE-së.

Sipas Kurtit, ngutia e Thaçit dhe Haradinajt për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, nuk është gjë tjetër, veçse për shpëtimin e karrigeve të tyre, por jo për qytetarët dhe liberalizimin e vizave për ta. 

Image
Albin Kurti

Kurti: Liberalizimi s’do të vijë me ratifikimin e demarkacionit

“Liberalizimi nuk do të vijë këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme së paku. Prandaj, pse po nxitohen? Ata qartazi nuk e kanë për liberalizim të vizave, sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët, ata nuk do të pasuroheshin për vete, e populli të ngelej gjithnjë i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit Serbisë, e pjesë të territorit Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendësministra. Këta se paku nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete, e kanë për karriget e tyre që po u lëkunden, e nuk e kanë për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha Kurti.

Kreu i VV-së ka shprehur qëndrimin unik të partisë së tij kundër kësaj marrëveshje duke thënë se nuk ka deputet as anëtar të tyre që e kanë ndryshuar qëndrimin kundër demarkacionit.

Kurti: Asnjë deputet i VV-së s’e përkrah demarkacionin

“Nuk ka asnjë deputet të Vetëvendosjes i cili ka shprehur çfarëdo dyshimi që do të mund të kuptohej si ndryshim qëndrimi, nuk ka, demarkacioni dhe Zajednica janë diçka për të cilët, jo deputet, por s’ka as anëtarë të Vetëvendosjes që mendon ndryshe dhe ne nuk kemi dyshime për këtë gjë. Dorëheqjet kanë ndodhur nga strukturat organizative, jo nga Lëvizja, jo nga grupi parlamentar dhe kurrsesi nuk ka pakënaqësi për tema e për çështje. Askush nuk ka thënë që po tërhiqem se për demarkacion apo Zajednicë mendoj ndryshe”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit ratifikimi i demarkacionit nuk e dobëson Thaçin e Haradinajn, por ata forcohen me këtë, andaj Qeveria duhet të rrëzohet, por jo duke ia miratuar asaj legjitimimin e tradhtisë dhe krimit që ka bërë.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca theksoi se marrëveshja Thaçi-Vujanoviq nuk ka asnjë obligim për Malin e Zi, pos asaj marrëveshje që ajo e ka miratuar në Kuvend.

Sipas tij, kjo marrëveshje është arritur vetëm për konsum të brendshëm. Konjufca ka akuzuar kryeministrin Haradinaj për ndryshim qëndrimi aktualisht në raport me kohën kur kanë qenë në opozitë.

Image
Glauk Konjufca

Konjufca: Nuk ndryshoi marrëveshja e Murat Mehës, por qëndrimi i Haradinajt

“Nuk është që ka ndryshuar demarkacioni i Murat Mehës, por kanë ndryshuar AAK-ja dhe Nisma. Ky është problemi dhe zhvillimi i ri në Kosovë këto ditët e fundit. Nuk bëhet fjalë, pra për korrigjim të kufirit në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit, por për devijim të qëndrimit të Haradinajt në drejtim të Murat Mehës. Po iu kujtohet ai rasti kur Haradinaj ia pati hedhur në fytyrë hartat Murat Mehës. Problemi është se ai që po mbetet pa fytyrë është kryeministri i Kosovës, kurse fatkeqësisht po ngadhënjen vetë Murat Meha”, tha Konjufca.

Sipas tij, problemi me i madh qëndron edhe te fakti se një numër i deputetëve të LDK-së që kanë qenë kundër demarkacionit, tash e kanë ndryshuar këtë qëndrim, duke u bërë pjesë e mashtrimit dhe tradhtisë së Thaçit dhe Haradinajt.

Konjufca tha se për veprimet me të cilat do ta kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, do të koordinohen në grupin parlamentar pasi të mbajnë mbledhje në orën 15:00 të ditës së mërkurë.

Ndërsa, të enjten është kërkuar nga Qeveria seancë e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, me aneks marrëveshjen e nënshkruar nga dy presidentët Thaçi-Vujanoviq. Megjithatë, Kryesia e Kuvendit sot do të vendosë për këtë.

***

Lëvizja Vetëvendosje sot në mesditë ka organizuar një konferencë për shtyp në lidhje me demarkacionin. Në konferencë kanë prezantuar kryetari Albin Kurti dhe drejtuesi i Gupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca.

Glauk Konjufca ka thënë se kanë pasur kontakte me zyrat e huaja dhe me zyrtarët ndërkombëtarë për çështjen e demarkacionit.

“Ne jemi përgjigjur pozitivisht nga shefja e BE-së Apostolova dhe të tjerëve. Ne ua kemi thënë hapur se Lëvizja Vetëvendosje qëndron në pozicionet e mëparshme. Ne ju kemi thënë se më e mira do të ishte që marrëveshja e Murat Mehës dhe Hashim Thaçit të kthehet në pikën zero dhe të nis një raund i ri negociatash me Malin e Zi për kufirin”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa Albin Kurti ka thënë se duan të kenë marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi, por jo në kurriz të Kosovës.

“Por ne nuk e fajësojmë qeverinë e Malit të Zi. Por, gatishmëria e Malit të Zi për rinegociim nuk po përdoret për gjetjen e një zgjidhje më të mirë, por po përdoret për dyfishimin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë“ ka thënë Kurti.

Kurti: Thaçi dhe Haradinaj nuk e kanë për qytetarët por për karriget e tyre

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ratifikimin e demarkacionit. Kryetari i VV Albin Kurti tha se demarkacioni po shitet si çmim për liberalizimin e vizave.

Ai tha se kjo nguti,  është nguti e Thaçit dhe Haradinajt pasi liberalizimi nuk do të vije as këtë javë as javën tjetër as stinën tjetër. 

Kurti theksoi se këta nuk e kanë për qytetarët por për karriget e tyre që po u lëkunden.  Sipas tij nuk është vetëm demarkacioni por edhe lufta ndaj krimit e korrupsionit me vendime të prera. Kurti tha se meqë janë dy kritere, ai për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe ai për demarkacionin atëherë le të merren me luftë kundër korrupsionit e le të lënë kohë për diskutime me Malin e Zi për demarkacionin. 

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të VV-së Glauk Konjufca tha se kjo që po ndodh për demarkacionin nuk është gjë tjetër pos strategji dalëse për ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj demarkacionit. 

Sipas tij kjo aneks marrëveshje nuk është gjë tjetër pos për përdorim të brendshëm. 

Konjufca tha se VV nuk do të përkrah në asnjë formë këtë marrëveshje dhe do t’i përdor të gjitha mjetet nga votimi kundër deri të pamundësimi i kuorumit.

“Ramush Haradinaj po shërben si mburojë për krimet që kanë bërë Hashim Thaçi e Kadri Veseli me territor”, tha Konjufca. 

Sipas tij nuk ka ndryshuar komisioni Meha,  por AAK e Nisma. Madje Konjufca tha se i vetmi që po mbetet pa fytyrë është Haradinaj ndërsa po ngadhënjen Murat Meha.

Vetëvendosje mban konferencë për media (Drejtpërdrejt)

Lëvizja Vetëvendosje mban një konferencë për media. Në këtë konferencë do të flasin kryetari i Lëvizjes Albin Kurti dhe nënkryetari Glauk Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat