Rasti Vukotiq, dëshmitarja rrëfen momentin e vrasjes së civilëve

Aktuale

Rasti Vukotiq, dëshmitarja rrëfen momentin e vrasjes së civilëve

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 07:45
I akuzuari Zoran Vukotiq në sallën e gjykimit

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Vukotiqin për veprën penale Krime Lufte ndaj Popullatës Civile.

Në seancën e së mërkurës për të dhënë dëshminë e tyre ishin ftuar Ahmet Sahiti dhe Sanije Fazliu.

Lidhur me dëshmitarin e parë Ahmet Sahiti prokurori Paul Flynn propozoi që të tërhiqet nga dhënia e dëshmisë së këtij dëshmitari.

“ Ka shumë gjasa që Vukotiq është fajtor për disa pika të aktakuzës, unë çdo herë i kam shikuar deklaratat e dëshmitarëve disa ditë përpara se të mbahej seanca, pasi që nuk jam i sigurt që prokurori Blakaj do të vijë apo jo. Mirëpo për këtë dëshmitar nuk kam arritur ta shikoj më herët dëshminë e dhënë, andaj propozoj që të tërhiqem nga ky dëshmitar, me pajtimin edhe me mbrojtësit e viktimave Burhan Maxhuni “, tha prokurori.

Pas konsultimit edhe me trupin gjykues palët u pajtuan që këtë dëshmitar të vazhdonte ta merr në pyetje mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokati Miro Deleviq.

Gjatë dhënies së dëshmisë dëshmitari Ahmet Sahiti tregoi se ditën e 5 Majit 1999 në shtëpinë e tij kishin shkuar dy persona. Njërin prej tyre e kishte njohur si Goroljub Paunoviq, ndërsa për tjetrin dëshmitari tregoi se nuk e kishte njohur, por se kur kishin dal nga shtëpia e tij, dëshmitari e kishte dëgjuar Paunoviqin duke i’u drejtuar me emrin Safet.

Tutje dëshmitari tregoi se Paunoviqin e kishte njohur edhe me herët dhe ishte takuar me të, ndërsa këtë personi tjetër e kishte njohur vetëm si figurë dhe e kishte ditur që ka qenë me kombësi rome. Ndërsa tha se të akuzuarin Zoran Vukotiq nuk e kishte parë atë ditë.

Gjithashtu, dëshmitari tregoi se si i akuzuari kishte djegur një furrë të bukës në qytetin e Vushtrrisë dhe se ai e kishte parë vetë.

Dëshminë në këtë seancë e ka dhënë edhe Sanije Fazliu.

Fazliu kishte qenë prezentë në ditë kur ishin vrarë katër shqiptarët në shtëpinë e Hamdi Fazliut, raporton KALLXO.

Pas pyetjes së prokurorit Flynn, ajo tregoi gjithë çfarë kishte parë ditën e ngjarjes me 5 Maj 1999.

“ Ka qenë 5 maj 1999, rreth orës 12 kur kanë hi policia në shtëpinë tone. Unë isha në shtëpi me gruan e kunatit tim dhe kemi dëgjuar një zhurmë pas shtëpisë tonë, atëherë kemi dal për të parë së çfarë po ndodh. Kemi dëgjuar fëmijë dhe gra duke bërtitur “, tha dëshmitarja.

Tutje ajo tregoi se e kishte informuar burrin e saj Bedri Fazliun se diçka është duke ndodhur në shtëpinë afër.

“ Unë kam shkuar te shtëpia e agjës Avdulla Fazliu, i kam thënë burrit se policia kanë hy në shtëpinë afër, po i rrahin, po i maltretojnë. Ai ka qenë duke ia prerë flokët agjës, ka ardh te shtëpia i ka vesh një palë puma/këpucë, e ka marr jaknën dhe ka dal. Ka shiku mbi mur qka po ndodh dhe ka dal prej oborrit të Avdullahit në rrugë “, tregoi dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja tregoi se në shtëpi nuk ishte kthyer Hamdi Fazliu dhe se dy polic, njëri prej të cilëve i akuzuari Zoran Vukotiq, kishin shkuar në shtëpinë e tyre i kishin rrahur dhe me pas u kishin vrarë Hamdi, Fahredin, Avdulla Fazliun si dhe Enver Rrustollin.

“ Unë dhe Fikria, gruaja e kunatit ishim në shtëpi duke përgatitë ushqim, nuk ka vonuar shumë kanë ardhur dy polic. Ne e kemi parë nga dritarja Fahredinin i cili as këpucët nuk i ka pasur mbath, e kanë pru në ballkonin tonë, unë dhe Fikrija kemi dal, si kemi dal na kanë goditë me shuplaka. Unë kam hy brenda, këtij personit këtu, Zoranit ia kam hap dyert e dhomave dhe i kam thanë nuk është askush në shtëpi, atëherë ai me ka goditur me shuplak mbas kokës dhe jam ndjerë shumë keq në ato momente. Polici tjetër ka shku e ka marr agjën Avdulla, na kanë shti në dhomë të Fahredinit, aty na kanë rrah dhe kanë kërku para”, tha dëshmitarja.

Fazliu gjithashtu tregoi se si Fahredin Fazliu iu ishte  lutur shumë që mos ta vrisnin pasi që kishte një djalë, ndërsa Zoran Vukotiq dhe Goroljub Paunoviq i kishin thënë tani të ndjerit “ Ku e ke djalin”?.

Më pas në shtëpi kishte shkuar Enver Rrustolli dhe Hamdi Fazliu, të cilët sapo kishin hyrë në dhomë ishin rrahur nga Zoran Vukotiq dhe Goroljub Paunoviq.

Po ashtu të lartcekurit e kishin kontrolluar në trup Enver Rrustollin, dhe dëshmitarja tregoi se i kishte dëgjuar duke thënë “ Cilin pe vrasim të parin”?

“ E kanë quar në këmbë Enverin dhe ia kanë kontrolluar trupin, atëherë i kam dëgju kur kanë thanë cilin po e vrasim të parin. Në atë moment Enverin e kanë vra të parin, të dytin e kanë vra Avdullahin, kurse të tretin e kanë vra Fahredinin edhe pse iu është lutur shumë që mos ta vrisnin, pasi që kishte një djalë, ndërsa të fundit e kanë vrarë vjehrrin tim Hamdiun, unë dhe kunata kemi qenë aty”, rrëfeu dëshmitarja.

“ Unë jam quar me këqyr cili është gjallë, vetëm agja ka qenë gjallë, edhe pse në momentin kur i kam këqyr unë nuk ka pasur shenja jete. Ndërsa, Fahredinin nuk ke pas qka me këqyr te ai, sepse gjysmën e kokës e ka pasur të ndarë”, shtoi dëshmitarja.

Gjithashtu dëshmitarja tregoi se Fahredin Fazliu nuk kishte qenë në shtëpi fillimisht, por se atë Zoran Vukotiqi dhe Goroljub Paunoviqi e kishin sjell nga një shtëpi më lartë.

“ Fahredini ka qenë të një shtëpi më lartë, pas masakrës që është bërë në Studime kanë ardhur refugjatë aty dhe ai ka shku me iu dërgu ushqim për fëmijë, me sa di unë ka qenë shtëpia e Sylës. Unë e kam parë kur ka dal prej oborrit tonë, Fahredinin e kanë sjellë prej atje në çorape pa mbath hiq e kishin kap për krahu”, tha dëshmitrja.

Dëshmitarja disa herë e identifikoi të akuzuarin gjatë seancës, ajo gjithashtu shtoi se e kishte njohur atë dhe Goroljub Paunoviqin edhe kur i’a kishin prezantuar fotografitë.

Ndryshe sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat