KQZ me rreth 140 mijë euro obligime për komisionarët

Aktuale

KQZ me rreth 140 mijë euro obligime për komisionarët

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Derisa mbi 1 mijë persona të angazhuar në zgjedhjet e fundit ende nuk janë paguar për punën e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Financave për këtë ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se i kanë dërguar kërkesë për buxhet shtesë Ministrisë së Financave në mënyrë që të mund të kryejnë obligimet për 1 mijë e 671 personat e angazhuar ditën e zgjedhjeve dhe të cilët vazhdojnë të mbeten në pritje të pagesës së tyre, e që arrijnë shumën prej 140 mijë euro.

Ai ka shpjeguar se listat me emrat e komisionerëve dhe të stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet Llkale të vitit 2017 janë dërguar gjatë fundvitit të kaluar në Ministrinë e Financave për t'iu transferuar mjetet që iu takojnë, porse për shkaqe të ndryshme ende nuk është kryer obligimi.

Elezi: Këto obligime janë 140 mijë euro

“Këto lista janë dërguar gjatë fundvitit të kaluar. Ndaj pjesës dërmuese të tyre, me kohë, janë kryer obligimet, pra, po flasim për rreth 50 mijë persona. Nga numri i përgjithshëm i tyre, janë vetëm 1 mijë e 671 persona të cilët nuk kanë marrë pagesën për angazhimin e tyre, për arsye të ndryshme. Në mesin e këtyre arsyeve kemi edhe rastet kur këta persona kanë pasur gabime në numrat e xhirollogarive bankare dhe arsye të tjera... Për të kryer këto obligime të bartura nga viti 2017, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar buxhet shtesë nga Ministria e Financave, do të thotë nga Qeveria e Republikës të Kosovës. Në total obligimet e bartura për pagesën e 1 mijë e 671 personave të cilët janë komisionerë, anëtarë të këshillave të vendvotimit dhe staf i QNR-së, në total këto obligime janë 140 mijë euro”, tha ai.

Sipas Elezit, KQZ-ja do të kryejë obligimet e veta menjëherë pasi të marrë buxhet shtesë nga Ministria e Financave, porse thekson se megjithatë ka qenë e pamundur të mos mbesin obligime të bartura për këtë vit, meqenëse zgjedhjet e fundit ishin në fund të 2017-ës.

Elezi: Sapo kërkesa e KQZ-së të përmbushet, ne do të kryejmë obligimet  

“Sapo kërkesa e KQZ-së të përmbushet, sigurisht se ne do të vazhdojmë tutje me procedurat për të kryer këto obligime që na takojnë. Duhet ta kemi parasysh një fakt, se zgjedhjet lokale janë mbajtur në fund të vitit dhe në rrethana të tilla e kemi të pamundur të mos kemi obligime të bartura në vitin tjetër pasues”, bëri të ditur ai.

Ndërkaq, drejtori i zyrës për komunikim publik në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini përmes email-it, ka mohuar të ketë marrë një kërkesë të tillë për buxhet shtesë nga ana e KQZ-së. Teksa në fund ka sugjeruar që të kontaktohet KQZ-ja. 

“Të gjitha kërkesat për pagesat për zgjedhjet e kaluara që KQZ i ka dorëzuar në Thesar-Ministri të Financave, janë proceduar me kohë dhe se për të gjitha rastet e pagesave të kthyera nga bankat  dhe arsyet e kthimit për shkak të gabimeve të ndryshme, Thesari e ka njoftuar KQZ-në me kohë, e cila gradualisht ka bërë edhe përmirësimet e nevojshme dhe i ka sjellë për procedim gjatë vitit 2017. Ndërsa për vitin 2018, ende nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë nga KQZ për procedim të pagesave për zgjedhjet e kaluara, me buxhetin e vitit 2018. Ju lutem të keni parasysh se ky është proces dhe se pagesat ashtu siç vijnë edhe procedohen. Për më shumë ju lutem kontaktoni KQZ-në”, ka shkruar ai. 

Ndërsa, ditë më parë stafi i K-Vote ka lëshuar një komunikatë me anë të cilës ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me pagesën e cila nuk iu është kryer një pjese të konsiderueshme të stafit të tyre. Përmes kësaj komunikate, K-Vote ka bërë të ditur edhe për paqartësitë që janë paraqitur në këtë proces në mes të KQZ-së dhe Ministrisë së Financave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat