“Nuk ke me ia pa hairin!”, kështu u kërcënua investitori zviceran në Mitrovicë

Aktuale

“Nuk ke me ia pa hairin!”, kështu u kërcënua investitori zviceran në Mitrovicë

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 11:51
ilustrim

Patrick Fluder, një bashkatdhetar i yni nga Zvicra, i cili ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, nuk po mund ta shfrytëzojë nga frika që mos po ndodhë ndonjë e keqe në mes tij dhe ish-qiraxhinjve të atij lokali.

“Nuk ke me ia pa hairin!”, ky është mesazhi që investitorë nga diaspora kanë marrë në Mitrovicë në disa raste të hulumtuara nga ekipi ynë.

Hulumtimi tregon se rasti është raportuar në Polici dhe përpos procedurave standarde nuk ka pasur arrestime dhe trajtim më serioz ndaj pretendimeve për kërcënime.

Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, tha për emisionin “Drejtësia në Kosovë“ se rasti është lajmëruar dhe është trajtuar për elemente të kanosjes ndaj investitorit dhe ka shkuar në Prokurori Themelore.

Ndërsa, kryeprokurori Shyqyri Syla ka konfirmuar se Prokuroria në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Gentuar Aliut për kanosjen që ia ka bërë investitorit Patrick Fluder, por aktakuza ende nuk është në rend për t’u trajtuar nga ana e Gjykatës.

“Me datën 09.08.2017 kjo Prokurori ka marrë kallëzimin penal kundër Gentuar Aliut për veprën penale kanosje pasi që i njëjti kishte kanosur Patrick Fluderit lidhur me shfrytëzimin e lokalit ‘Modesta’. Menjëherë prokurori e ka marrë në punë dhe e ka ngritur aktakuzën”, tha Syla.

Aktakuza e Prokurorisë ne Mitrovicë, kopjen e së cilës e ka siguruar “Drejtësia në Kosovë” përshkruan veprimet e Gentuar Aliu kundrejt investitorit nga Zvicra, Patrik Fluder.

“Gentuar Aliu, në fillim të muajit qershor të vitit 2017 në Mitrovicë ka kanosur personin tjetër dhe atë të dëmtuarin Patrick Fluder, ashtu që paraprakisht i dëmtuari kishte blerë nga AKP-ja lokalin e quajtur “Modesta”, i cili gjendet në sheshin “Agim Hajrizi”, mirëpo i pandehuri nuk e ka lejuar që ta shfrytëzojë lokalin të dëmtuarin Patrick, por edhe i është kanosur përmes telefonit me fjalët “nuk ke blerë lokal por ke blerë bela dhe duhet të tërhiqesh, nuk do ta gëzosh, nuk do të punoj aty askush përveç neve”, thuhet në Aktakuzë./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat