Thaçi për Demarkacionin: Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim

Aktuale

Thaçi për Demarkacionin: Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim

Nga: A.M. Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 18:05
Hashim Thaçi

Të mërkurën pritet  të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Demarkacionit më Malin e Zi.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar deputetët në seancën e nesërme, pa dallim etnie, të votojnë me unanimitet demarkacioni me Malin e Zi.

Po ashtu, Thaçi në postimin e tij në Facebook ka shkruar se “as ata që pretendojnë me vu kushte të reja për votim dhe as ata që një anë shprehin vullnetin e mirë për votimin e marrëveshjes, mirëpo kërkojnë shtyrjen e votimit”.

Postimi i plotë:

Nesër është ditë e veçantë, por edhe tepër domethënëse për të ardhmen tonë evropiane. Për herë të parë, shtetin tonë e viziton presidenti i Komisionit Evropian, Junker, me delegacion të nivelit më të lartë.

Ata nga ne presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës.

Edhe një herë, si president i vendit, ftoj gjithë spektrin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që në seancën e nesërme, pa dallim etnie, të votohet me unanimitet demarkacioni me Malin e Zi.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë imediate për lëvizje të lirë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen evropiane të vendit.

As ata që pretendojnë me vu kushte të reja për votim dhe as ata që një anë shprehin vullnetin e mirë për votimin e marrëveshjes, mirëpo kërkojnë shtyrjen e votimit. Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim.

Prandaj, besoj në përgjegjësinë e deputetëve se nesër do të mendojnë dhe votojnë në shërbim të qytetarëve, e asnjë prej tyre të futet në agjenda jo-evropiane.

Shtyrja eventuale apo mos votimi pro ratifikimit nesër, nënkupton konfirmim të izolimit të qytetarëve të Kosovës nga të zgjedhurit e saj, në ditën më të rëndësishme të vizitës nga Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker. HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat