Deputetët: Projektligji për Prokurorin e Shtetit fuqizon kompetencat e kryeprokurorit

Aktuale

Deputetët: Projektligji për Prokurorin e Shtetit fuqizon kompetencat e kryeprokurorit

Më: 2 mars 2018 Në ora: 17:40
ilustrim

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së sotme ka bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit. Ky projektligj nuk u vë në votim, pasi që për miratimin e tij duhen 61 deputetë dhe në sallë mungonin shumica e deputetëve.

Duke prezantuar projektligjin me ndryshime, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ky projektligj ka për qëllim ngritjen e efikasitetit në shkallën më të lartë të sistemin që është  Prokuroria.

Tahiri: Ngritë efikasitetin në sistemin prokurorial

“Projektligji ka për qëllim ngritjen e efikasitetin në shkallën më të lartë të sistemit prokurorial duke mundësuar caktimin e prokurorëve me qëllim të efektivitetit më të madh në punë me këtë rast dëshiroj të theksoj se përmes miratimit të këtij projektligji në masë të madhe do të ndikoj në shtimin e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale do të bëjë të mundur që Prokuroria të kompletohet me prokurorë,  e cila mund t’i kryej funksionet me qëllim të luftimit sa më të suksesshëm të korrupsionit, krimit të organizuar dhe përmbushjes së mandatit të saj”, tha ministri Tahiri.

Ky projektligj, sipas ministrit të Drejtësisë është obligim i qeverisë që del nga agjenda evropiane e reformave dhe zbatimi i planit të MSA-së.

Në lidhje me këtë projektligj ka ngritur shqetësimet e saj LDK-ja .

Deputeti Arben Gashit tha se fuqizimi i kryeprokurorit të shtetit mund të krijojë precedent për sjellje arbitrare.

Sipas tij shqetësimet e LDK-së janë lidhur me kompetencat e kryeprokurorit që ka të drejtë të caktojë lëndë dhe prokurorët në Prokurorinë Speciale.

Megjithatë Gashi shpreson se brenda dy leximeve do të ketë mundësi që Komisioni përkatës t’i shqyrtojë dhe përmirësojë ato vëretje që dha LDK-ja.

Gashi: Kemi disa shqetësime

“Realisht në princip do të ishte shumë e arsyeshme për shkak të efikasitetit që Kryeprokurori i shtetit të ketë kompetenca edhe të merret me lëndë  më specifike me raste specifike të cilat mund të jenë tek ne të rëndësisë së veçantë sidomos kur kemi të bëjmë me rastet e terrorizmit, krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit të ngritët niveli i trajtimit të këtyre çështjeve por duhet të shihet një procedurë mbi bazë e së cilës edhe kjo çështje duhet të procedohet. Ekziston po ashtu shqetësimi i bazuar se ky fuqizim i Kryeprokurorit të shtetit mund të krijoj precedent për sjellje arbitrare të Kryeprokurorit dhe kjo mund të bëhet rrezik për sistemin e drejtësisë prandaj duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Gashi.

Shqetësimin e njëjtë me Gashin e ka ngritur edhe deputeti i Nismës Bilall Sherifi.

Sipas tij fuqizimi i kryeprokurorit do të mund të dërgojnë në neglizhimin e detyrës kryesore që është menaxhimi i prokurorive.

Sherifi:Fuqizimi i kryeprokurorit mund të dërgoj në neglizhim

“Mendojë që fuqizimi i Kryeprokurorit në përmasa siç parasheh tani me ndryshimet në këtë ligj do të mund të dërgojnë në neglizhimin e detyrës kryesore që ka Kryeprokurori që është menaxhimi i prokurorive , menaxhimi që ia përshkruan ligji, mos këto ndryshime do të defokusonin institucionin e kryeprokurorit që më shumë të merret me  raste siç parasheh tani që t’i jepet e drejta dhe të hetoj dhe të përfaqësoj raste në gjykata, mos do të ndikonte që të pësonte në rastin e administrimit dhe menaxhimit të prokurorive në përgjithësi. Dilemat tjera se mos përmes këtij ligji do të mund të fuqizohet dhe do të rritej arbitrariteti mund edhe të mbahen në kontroll përmes ndonjë amandamentimi, përmes ndonjë neni të cilin do e shtonim nga leximi i parë në leximin e dytë“, tha ai.

Projektligji për Prokurorin e Shtetit është përkrahur nga partitë parlamentare që janë në koalicionin qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat