Dy mungesa në gjykimin për dëmin ndaj ‘Kosova Thëngjillit’

Aktuale

Dy mungesa në gjykimin për dëmin ndaj ‘Kosova Thëngjillit’

Më: 3 mars 2018 Në ora: 14:48
Pamje nga gjykata

Avokati i të akuzuarit, por edhe prokurori munguan në gjykimin për dëmin ndaj “Kosova Thëngjillit”.

Është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarit Tahir Zeneli për të cilin prokuroria pretendon se i ka shkaktuar “Kosova Thëngjillit” dëm prej 130 mijë eurove me lidhjen e një kontrate.

Tahir Zeneli po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ishte në cilësinë e kryetarit të bordit të shoqërisë aksionare “Kosova Thëngjilli”.

Seanca u shty në mungesë të avokatit mbrojtës të të akuzuarit Zeneli, por mungoi edhe prokurori.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi komunikoi në gjykatore se ekzistojnë prova se prokuroria është ftuar në mënyrë të rregullt, derisa bëri të ditur se përfaqësuesja e kësaj aktakuze, prokurorja Habibe Statovci- Salihi është avancuar në Prokurorinë Speciale.

Mirëpo, gjykatësi Ibrahimi theksoi se edhe po të paraqitej prokurori në seancën e sotme, shqyrtimi i sotëm nuk do të mbahej, meqenëse avokati i Zenelit, Tahir Dobruna, kishte parashtruar kërkesë për shtyerjen e seancës së sotme.

Me këtë u konstatua se avokati e ka arsyetuar mungesën.

“Mungon mbrojtësi i të akuzuarit Tahir Zeneli, avokati Tahir Dobruna, i cili ka kërkuar që shqyrtimi i sotëm të shtyhet pasi që në të njëjtën ditë dhe kohë ka të caktuara disa seanca të cilat janë caktuar më herët se kjo seancë”, sqaroi Ibrahimi.

Sipas aktakuzës,  Zeneli ngarkohet nga prokuroria se sa ishte në pozitën e menaxherit, njëkohësisht edhe të kryetarit të bordit të Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli”, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu” në kundërshtim me vendimin e datës 10 mars 2010 të bordit të kësaj shoqërie.

Aktakuza sqaron se në këtë mbledhje të Bordit të “Kosova Thëngjillit” ishin caktuar kushtet të cilat duhet t’i plotësonte kompania për të lidhur kontratë.

Në aktakuzë thuhet se kontratën me “Pollogun” Tahir Zeneli e nëshkroi më 17 mars 2010.

Prokuroria pretendon se me këtë ai ka tejkaluar kompetencat e tij, ndërsa i ka shkaktuar dëm “Kosova Thëngjillit” në vlerën prej 130.971,84 eurove.

me arsyetimin se më 17 mars të 2010 ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu” në kundërshtim me vendimin e datës 10 mars të 2010- ës të bordit të Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli” ku janë caktuar

Rrjedhimisht, prokuroria pretendon se me këtë ai ka tejkaluar kompetencat e tij, dhe ka vepruar në kundërshtim me vendimin e bordit të Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjilli” dhe duke i shkaktuar humbje material të dëmtuarës në vlerë të përgjithshme prej 130.971,84 euro./Kallxo.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat