Kuvendi i dështimeve, s’ka kuorum

Aktuale

Kuvendi i dështimeve, s’ka kuorum

Më: 3 mars 2018 Në ora: 17:28
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon të ketë probleme të mëdha me funksionimin e tij normal si pasojë e mungesës së kuorumit për të mbajtur seanca dhe për të votuar projektligjet.

Si pasojë e mungesës së kuorumit, në seancën e së premtes kanë mbetur pa u miratuar rreth 20 projektligje, ndër to edhe projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ku duhen dy të tretat.

Por nuk është vetëm seanca e së premtes, meqë edhe një numër i seancave të mëparshme kanë dështuar së mbajturi, e shumë ligje ende mbeten pa u miratuar tash e disa muaj për shkak të kuorumit. Janë edhe dy seanca që janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, e si pasojë e kësaj edhe ligjet që janë shqyrtuar në ato seanca ende nuk janë miratuar.

Kjo nuk po i shqetëson deputetët e Kuvendit, ani pse marrin rroga të majme nga buxheti i Kosovës dhe janë aty për t’i përfaqësuar qytetarët e vendit.

Në seancën e së premtes duke e parë se seanca nuk ka kuorum, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, propozoi që votimi të bëhet në pako pasi të shqyrtohen një numër projektligjesh, por që nuk mori përkrahjen e opozitës.

Veseli: S’po ka kuorum

“Unë kisha propozuar në qoftë se e kam pasur si kërkesë nga disa deputetë nëse doni me marrëveshje të përcaktoj kohën e votimit. Kohën e votimit kur t’i trajtojmë projektligjet, e përcaktojmë dy raste, nëse pajtoheni ju, në ora 16 në leximin e parë të gjitha projektligjeve që janë trajtuar dhe në ora 19 votimi i dytë, të gjitha projektligjeve që shqyrtohen sot”, tha Veseli në seancën e djeshme.

Ky propozim, Veseli tha se vjenë meqë në shumicën e vendeve të botës kjo lejohet dhe praktikohet.

Por kur mori qëndrimet e grupeve parlamentare, LDK doli kundër kësaj forme duke preferuar vazhdimin e traditës, pas çdo shqyrtimi të projektligjit të organizohet votimi. Njëjtë pati qëndrim edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se duhet të ndiqet praktika që të votohet në fund të diskutimit të secilit projektligj. Derisa, pro kësaj ideje ishin partitë e koalicionit qeverisës, por që nuk e kishin shumicën për të vendosur.

Megjithatë, mungesa e kuorumit dërgojë Kuvendin në pauzë deri në orën 14:00. Edhe kur erdhi koha e fillimit të seancës, përsëri nuk kishte kuorum për ta votuar rendin e ditës, proces ky pa të cilin nuk mund të fillojë shqyrtimi i pikave të rendit të ditës.

Për këtë fjalën e mori deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili akuzojë pozitën për ikje nga përgjegjësi, ani pse në sallë nuk ishte edhe një pjesë e mirë e opozitës. Madje, asnjë prej deputetëve të VV-së.

Zemaj: Ikja nga përgjegjësia është shndërruar në rutinë nga mazhoranca

“Siç po duket është shndërruar në rutinë ikja nga përgjegjësia e kësaj mazhurance të brishtë, edhe vet pamja tregon që nuk janë të interesuar që të kalojnë ligjet, qofshin ato me prioritet të caktuar, sidomos këto që po thirren në përmbushjen e agjendës evropiane por edhe ligjet tjera me rëndësi të veçantë pa anashkaluar këtu debatet dhe interpelancat. Kështu që LDK shpreh shqetësimin e saj me këtë gjendje dhe kjo tregon se mazhoranca nuk është e gatshme të vazhdoj”, theksoi Zemaj.  

Kjo mungesë e kuorumit dërgojë për së dyti herë Kuvendin në pauzë, për t’u kthyer në orën 15:00. Pas kësaj pauze, seanca vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve që ishin në rend dite, por që nuk u votuan meqë prapë se prapë nuk kishte kuorum. 

Shoqëria civile e quan papërgjegjësi totale dështimin e seancave dhe mos miratimin e projektligjeve si pasojë e mungesës së kuorumit.

Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” tha për KosovaPress, se kjo legjislaturë është më e papërgjegjshmja deri me tani.

“Në përgjithësi kjo legjislaturë ka funksionuar shumë dobët deri me tani. Nuk ka arritur të shqyrtoj dhe miratoj ligje, që është edhe puna kryesore e Kuvendit. Kemi pasur shumë ndërprerje të seancave ndonjëherë për shkak të mungesës se kuorumit e herë për shkak të largimit të deputetëve të partive opozitare. Është e pamundur të vazhdohet me këtë intensitet të punës së Kuvendit kur dihet se sa shumë ligje janë në pritje të miratohen në Kuvend që lidhen me ERA dhe me MSA-në. Në përgjithësi kemi të bëjmë me një papërgjegjësi të madhe të deputetëve, ndoshta ma e madhja deri me tani”, tha Demhasaj përmes një përgjigje elektronike.

Demhasaj shtoi se papërgjegjësia e kësaj legjislature shihet edhe me thirrjen e seancave për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

Sipas tij, janë thirrur tre seanca dhe pa sukses, e kjo si pasojë, herë e interesave dhe inate të partive politike, e herë për mungesë të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat