Parku inovativ ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Aktuale

Parku inovativ ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Më: 5 mars 2018 Në ora: 17:25
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Është prezantuar Projekti për themelimin e Parkut Inovativ dhe Trajnues gjermano-kosovar, me ç’rast u vlerësua si parku i ekonomisë, i cili do të përshijë inovacionin, agrikulturën, edukimin joformal, kërkimet shkencore, turizmin dhe kulturën.

Projekti në fjalë u prezantua në mënyrë më të zgjeruar pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për themelimin e Parkut Inovativ dhe Trajnues Gjermano-Kosovar në Prizren.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili foli para të pranishmëve në gjuhën angleze, tha se është i lumtur që Kosova dhe Gjermania po vazhdojnë kooperimin dhe se parku inovativ është projekt i përbashkët dhe me perspektivë.

Sipas tij, përmes themelimit të këtij parku, i cili përfshin perspektiva të shumta të zhvillimit të vendit, do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Haradinaj: Shumë njerëz guximtarë menduan për hapin  e ardhshëm

“Pas dy dekadave të shërbimit të paqes, shumë njerëz guximtarë në Kosovë dhe Gjermani menduan për hapin  e ardhshëm, duke bashkuar flamujt dhe duke thënë se ky është shërbimi ynë. Fatmirësisht, hapi tjetër ka të bëjë me prosperitet për vendin tonë dhe kooperimin me Kosovën. Këtu kemi ministritë e ndryshme nga Gjermania të involvuara në bashkëpunime bilaterale dhe ne i falënderojmë ata duke filluar nga ambasadori Held dhe gjithë ekipin e GIZ-it”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se ky projekt është me rëndësi për Kosovën. Teksa u shpreh i gëzuar që sot është nënshkruar marrëveshja, rezultat i një pune të palodhshme 2-vjeçare.

Heldt nuk e harroi kryeministrin Haradinaj, për të cilin tha se është njeri që dëshiron t'i kryejë punët.

Heldt: Kryeministër, e di se jeni person që doni t’i përfundoni punët

“Kështu që së pari atributet i takojnë këtyre që kanë qenë të involvuar në planifikim për gati dy vjet që tani na ka  sjellë në këtë moment dhe ata që kishin ide se çfarë do të ndodhë pas largimit të Bundesverit. Është një simbol i vlerës së mirë për të kaluar në fazën tjetër. Që nga fillimi thash që ky projekt ka të bëjë  me qëllimet tona që kur Bundesveri të largohet, ne do të qëndrojmë. Vendimi i sotshëm i qeverisë për të cilin ne jemi të lumtur do të thotë që mund e fillojmë punën. Kryeministër, unë e di personalisht që ju jeni person që doni t’i përfundoni punët. Nesër do të jetë një ditë trajnimi për veprimet e duhura që do të na dërgojnë deri në studimin e fizibilitetit dhe kështu do ta mbarojmë punën”, tha Heldt.

Themelohet Parku Inovativ dhe trajnues Kosovë-Gjermani

Qeveria e Kosovës sot ka nënshkruar një deklaratë të qëllimit me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, për shfrytëzimin e mëtejmë të kampit në Prizren si park inovativ dhe trajnues kosovaro-gjerman (ITP).

Deklarata e përbashkët paraqet bazën për vazhdimin e raporteve kosovaro-gjermane pas tërheqjes së KFOR-it gjerman nga kampi në Prizren dhe për prioritizimin e pesë fushave në kuadër të kampit të planifikuar: Inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me këtë marrëveshje fillon një etapë e re e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë. Ai ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme nga shteti i Gjermanisë.

Haradinaj: Kjo do t’i ndihmojë ekonomisë së Kosovës

“Qeveria e Kosovës, sot ka marrë vendim për themelimin e Parkut të përbashkët Kosovar-Gjerman për Inovacion edhe trajnim. Një park dedikuar ekonomisë. Ky park për dy dekada është në shfrytëzim të trupave gjerman të KFOR-it . Me këtë vendim të sotëm me alokimin edhe të tokës për 99 vjet. Është e filluar një etapë e re e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, që e pason periudhën e një bashkëpunimi që ka pasur me trupat gjermane paqeruajtëse në vend . Që tani flamuri i Gjermanisë që ka valuar në bazë ushtarake do ta ketë një mision tjetër atë të prosperitetit të Kosovës të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat veçanërisht në atë ekonomik”, tha Haradinaj.

Kryeministri ka thënë se është herët të japë shifra se sa do të kushtojë ky projekt, por e ka cilësuar si një ndër projektet më të mëdha në vend.

Haradinaj: Do të krijohen vende të shumta pune

“Tani me fol për shifra është herët për me precizua. Por vetvetiu është një ndër projektet më të mëdha që është operuar në Kosovë me këtë raste në bashkëpunim Kosovë-Gjermani. Do të involvojë numër të madh të njerëzve të aktivizimit të tyre, por jo vetëm kaq, aftësimin e plotë të rinjve për plotë profesione të ndryshme veç e veç. Tani bëhet fjalë për fushën e inovacionit të teknologjisë për ndërmarrësin vetë sektori i informimit, arsim, edukim profesional, edukim jo formal, bujqësi, turizëm për krejt sferat ekonomike parashihen aktivitete ose veprimtari si inkubator “, tha Haradinaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se parku do të fillohet të ndërtohet në vitin 2019.

Held: Pas largimit të KFOR-it gjerman ai kamp të jetë edhe më tutje prezent

“Me këtë është dhënë një bazë që nga kampi i deritanishëm ushtarak i Prizrenit pas largimit në vitin 2019-të për të quar përpara në një të ardhme të re. Për ta transferuar atë. Ka pasur një studim të fizibilitetit që është realizuar nga GIZ dhe është përfunduar ky studim i është prezantuar qeverisë se Kosovës qëllimi është që pas largimit të KFOR-it gjerman ai kamp të jetë edhe më tutje prezent dhe aktiv me këtë park ne dëshirojmë që të shtjellojmë mundësit për ekonominë për mirëqenien e popullatës dhe me anë të këtij parku të vendosim edhe një ndërtesë në fushën e  arsimit dhe disa sektorëve të tjerë të cilat i kemi identifikuar dhe në përgjithësi të kontribuojmë në veçanti për të rinjtë në Kosovë, për  të ju krijuar perspektiva atyre këtu. Ky është një projekt i mrekullueshëm të cilin e kanë arritur dhe në të mundësi të punojnë dy vendet tona”, tha Held.

Ky park sipas ambasadorit Held do të shfrytëzohet për shkëmbim mes sektorëve të ndryshëm përmes hulumtimeve arsimimit dhe përdorimit në praktikë, po ashtu edhe inovacionit, i cili do të zbatohet në fusha të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat