Bytyqi: Vendimi për shkarkim mund të quhet i ngutshëm

Aktuale

Bytyqi: Vendimi për shkarkim mund të quhet i ngutshëm

Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:13
Shyqiri Bytyqi

(E plotësuar) - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ardhja e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, e gjeti këtë dikaster me shumë probleme të mëdha të cilat janë grumbulluar me vite të tëra.

Ai gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës vuri në pah se në MASHT kanë ardhur me një mision të vështirë në të mirë të arsimit në Kosovë.

Bytyçi: Kemi nisur një mision të gjatë dhe të mundimshëm

“Një sistem parauniversitar që lenë shumë për të dëshiruar, këtë e ka vërtetuar edhe testi PISA 2015. Një sistem të arsimit të lartë që vështirë të nxirret një përfundim se si funksionon, me numër të madh të universiteteve publike me politizim të skajshëm. Me numër enorm të kolegjeve private, me numër të studentëve për kokë banori të renditur diku lartë në renditjen botërore....Ne erdhëm me një mision, për të vazhduar një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë për një arsim me të mirë në Kosovë. Misioni që ishim të vetëdijshëm se do të ketë sfida të mëdha, do të ketë reagime të mëdha, do të ketë mospajtime të mëdha, do të ketë rezistencë të lartë. Por ne erdhëm vetëm me një ide, ky mision që po duket i pamundur nuk do të ndalet dhe për këtë ne i bëjmë thirrje gjithë opinionit, gjithë personave që janë përkrahës dhe monitorojnë arsimin, profesionistëve që të na bashkohen në këtë rrugëtim”, ka thënë ai.

Megjithatë, ministri Bytyqi theksoi se vendimi për shkarkimin e bordit të Agjencionit të Kosovës për Akreditim, mund të quhet i ngutshëm, por në seancë do të japin fakte për parregullsi që do të sillnin në këtë pikë në një kohë jo shumë të largët.

Bytyqi: Vendimi mund të quhet i ngutshëm

“Vendimi për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë me kërkesën e kryeminsitrit i cili erdhi në fillim të mandatit tonë, i cili erdhi jo me shumë se në 10 ditëshin e parë pas marrjes së detyrës, mbase tani nga kjo perspektivë e ngjarjeve mund të quhet veprim i ngutshëm. Por besoj se gjatë këtij debati do të kemi mundësi të shpalosim parregullsi të mëdha që kanë karakterizuar këtë Agjencion, të cilat në një të ardhme jo të largët do të kishte përfunduar po kështu siç përfundoi me përjashtim nga EQAR”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat