Papadopoulou: Nuk është vendosur ende cili do të jetë roli i misionit pas qershorit

Aktuale

Papadopoulou: Nuk është vendosur ende cili do të jetë roli i misionit pas qershorit

Më: 8 mars 2018 Në ora: 09:56
Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou

Në qershor të këtij viti përfundon mandati i misionit të EULEX-it në Kosovë dhe ende nuk është vendosur se cili do të jetë roli i këtij misioni pas qershorit.

Kështu ka deklaruar shefja e këtij misioni Alexandra Papadopoulou, e cila tha se janë duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës rreth asaj se çfarë asistence mund t’i ofrojnë Kosovës pas qershorit.

Papadopoulou: do ta ndihmojmë Kosovën deri në masën në të cilën na kërkohet

“Siç e tha edhe ministri, ne tani jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës rreth asaj se çfarë lloj asistence (ndihme) do t’i ofrojmë Kosovës pas 14 qershorit. Një gjë është e sigurt se EULEX-i është duke u tërhequr gradualisht dhe ne do ia dorëzojmë  Qeverisë së Kosovës atë çfarë jemi duke punuar. Sa i përket rasteve, ne nuk mund të flasim për rastet kur bëhet fjalë për forenzikën sepse ashtu siç e përmendëm më parë, kemi disa gjëra që nuk përputhen me personat e zhdukur. Pra, është një punë e vazhdueshme, ju identifikoni rastet duke ecur përpara në testimin e asaj që ju zbuloni. Por, ne do të bashkëpunojmë dhe do ta ndihmojmë Kosovën deri në masën në të cilën na kërkohet ta ndihmojmë Kosovën”, tha ajo.

Se nuk dihet cili do të jetë roli i EULEX-it pas qershorit thotë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ministri Tahiri tha se ende nuk kanë ndonjë marrëveshje se çfarë do të bëhet pas skadimit të mandatit të EULEX-it në qershor të këtij viti.

Tahiri: Ende nuk kemi arritur në përfundim se cili do të jetë roli pas qershorit.

“Tashmë jemi në fazën e konsultimeve, ende nuk kemi arritur në përfundim se cili do të jetë roli pas qershorit kur do t’i skadojë mandati EULEX-it në Republikën e Kosovës. Mirëpo, i falënderoj paraprakisht për angazhimin e tyre dhe vullnetin e tyre që të na ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të këtij instituti. Pra, është tepër e rëndësishme angazhimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishmen për ne si Republikë e Kosovës. në momentin kur do të kemi një marrëveshje rreth kësaj çështje ne do të ju njoftojmë”, tha ministri Tahiri.

Këto komente shefja e EULEX-it dhe ministri i Drejtësisë i kanë bërë pas vizitës që i kanë bërë Institutit të Mjekësisë Ligjore.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat