Mushkolaj: Dorëheqja e Shpend Ahmetit ka qenë e pritshme

Aktuale

Mushkolaj: Dorëheqja e Shpend Ahmetit ka qenë e pritshme

Më: 8 mars 2018 Në ora: 15:30
Imer Mushkolaj

Dorëheqja e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje(VV),Shpend Ahmeti nga strukturat partiake, sipas analistëve kosovar ka qenë diçka e pritshme.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se dorëheqja e kryetarit të Prishtinës nga VV-ja, vjen edhe si pas angazhimit të madh të Ahmetit për t’i pajtuar palët brenda lëvizjes, e gjë të cilën sipas tij, nuk arriti ta bëjë.

“Ishte në presion të madh edhe partiak, edhe të opinionit publik se si të veprojë. Gjasat janë që ai t’i bashkohet grupit të të dorëhequrve të tjerë, që do të krijojnë subjekt politik. Largimi i tij dëmton VV-në, por njëkohësisht ia vështirëson atij shumë qeverisjen në Prishtinë, duke pasur parasysh se do t’i ketë kundër asamblistët e ish-partisë së tij”, ka theksuar Mushkolaj.

Ndryshe, kryetari Prishtinës, Shpend Ahmeti, të mërkuren ka dhënë dorëheqje nga Lëvizje Vetëvendosje.

“Prej sot, nuk jam më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, me këtë fjali e ka përfunduar Ahmeti letrën e tij të gjatë me të cilën ka arsyetuar motivin pse e ka braktisur këtë parti pas shtatë vjetësh aktiviteti në të e nga e cila e nisi edhe mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat