Ikja e Shpendit nga ‘foleja’ e trazuar - Bota Sot
Ikja e Shpendit nga ‘foleja’ e trazuar

Aktuale

E martë, 25 shtator 2018

Ikja e Shpendit nga ‘foleja’ e trazuar

Më: 8 mars 2018 Në ora: 15:58
Shpend Ahmeti

Rruga politike e Shpend Ahmetit në politikë. Si hyri e si doli ai nga Vetëvendosje?

Pas 7 viteve në Vetëvendosje, kreu i Prishtinës dhe njeriu i dytë më i votuar i kësaj partie nga zgjedhjet e fundit parlamentare, u largua përmes një letre të gjatë që u publikua të martën në orët e mbrëmjes.

Shpend Ahmeti ishte caktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Glauk Konjufcën, të jetë ‘urë’ për bashkimin e dy krahëve të thyer të Lëvizjes Vetëvendosje. Por kjo ‘urë’, dje u shemb përfundimisht pas largimit të tij nga partia.

Ahmeti  e Konjufca kishin qenë të angazhuar që të gjejnë një rrugë bashkëpunimi dhe zgjidhje të problemeve të brendshme të kësaj partie, kallxo.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Ahmeti tha se motivi i vendimit për t’u larguar nga Lëvizja Vetëvendosje është se arsyeja për të cilën ai kishte hyrë në LVV “nuk është më”.

E dy paragrafë më lartë, Ahmeti tregonte arsyet e kyçje së tij në Vetëvendosje.

“Solidariteti, programi dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për kauzën dhe për njëri tjetrin ishin shtyllat më të fuqishme të aktivizmit politik të LVV”, kishte shkruar Ahmeti.

Në krahasim me shumë të dorëhequr tjerë, deklaratën e tij të dorëheqjes Shpend Ahmeti nuk e ka postuar fare në profilin e tij në Facebook.

Në bazë të letrës së tij, ai nënkupton që gjërat në Vetëvendosje kanë ndërruar kaq shumë, përfshirë programin e gatishmërinë për të sakrifikuar për kauza.

E kur Vetëvendosje takohej për të gjetur një zgjidhje, Ahmeti së bashku me shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kishin dalë në një konferencë të përbashkët.

Pas ‘presionit’ të gazetarëve për të kuptuar drejt se çfarë diskutohej brenda takimeve, Ahmeti kishte kërkuar nga ta që ‘të mos detyrohen të flasin’.

“Mos na detyroni që të flasim për detaje, me një qëllim të vetëm; Në qoftë se ka mundësi vetëm edhe pak për një rrugëtim të përbashkët, ne duam ta shfrytëzojmë. Këto paraqitjet mediatike, kur po dalin në publik, veçse po e vështirësojnë rrugën, prandaj e kishim lut publikun edhe juve për pak durim”, tha Ahmeti.

Në natën kur edhe zyrtarisht Ahmeti ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës, u bë një festë e madhe në sheshin ‘Skënderbe’.

Të pranishëm në festë ishin edhe kryetari i tashëm Albin Kurti e edhe ish kryetari Visar Ymeri.

Dalja e Kurtit për te festuar për Ahmetin i kushtoi atij me burg, pasi që me këtë dalje ai kishte shkelur një nga kushtet e vendosjes së tij në arrest shtëpiak.

Për ironi, përçarjet brenda partisë dolën në publik kur Kurti u arrestua pas kësaj ngjarjeje.

Në kohën kur ai po vuante burgun për shkak të festës së zgjedhjes së Shpend Ahmetit kryetar, në Lëvizjen Vetëvendosje kishin filluar haptazi përçarjet.

E kur Ahmeti ishte pyetur për dorëheqjet nga partia, ai para rreth dy muajve kishte deklaruar se të dorëhequrit vazhdojnë të mbetën pjesë e Vetëvendosjes.

“Mendoj se ka ndodhur një keqinterpretim, sepse dorëheqjet prej pozitave janë konsideruar si dorëheqje prej Vetëvendosjes. Deri tani të gjithë ata që kanë dhënë dorëheqje, mbeten anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes”, kishte thënë Ahmeti para dy muajve gjatë një konference për media.

Mirëpo në letrën e tij të dorëheqjes, Ahmeti nuk e thotë si të tjerët. Ai e qartëson saktësisht.

“Prej sot, nuk jam më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Ahmeti në fund të letrës së dorëheqjes.

Pas njërës nga mbledhjet e shumta të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti kishte shkruar një postim të shkurtë në profilin e tij në Facebook.

“Vetëvendosje”, kishte shkruar ai.

Ky postim ishte pëlqyer nga afër 4 mijë persona.

I dorëhequri Ahmeti kishte qenë anëtari i vetëm i lartë i Vetëvendosjes, i cili se kishte treguar qëndrimin e tij karshi problemeve politike dhe kishte marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të partisë. Madje, fotografia kur Ahmeti po e hedhte votën ishte promovuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes.

E sot gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje, si në asnjë rast tjetër ka komentuar një dorëheqje, atë të Shpend Ahmetit.

Përmes një letre, Vetëvendosje thotë se janë të zhgënjyer me dorëheqjen e Ahemtit. “Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam”, thuhet në letrën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo këtë e kishte përmendur qysh dje në letrën e dorëheqjes kur Ahmeti kishte thënë se nuk kërkon asgjë nga asamblistët karshi vendimit të tij për dorëheqje.

“Asamblistëve të LVV nuk u kërkoj të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit tim. Për mua janë të njëjtit sido që të vendosin”, thuhet në njërën nga pjesë e letrës së dorëheqjes së Ahemtit.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, Shpend Ahmeti edhe pse kryetar i kryeqytetit kishe hyrë në garën për deputet. Në listën e kandidatëve të VV-së ai doli i dyti më i votuari i partisë, pas Albin Kurtit, kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër. Shpend Ahmeti kishte marrë 76 mijë 17 vota.

Katër vjet më parë, në nëntor 2013, Shpend Ahmeti përmbysi shumë parashikime kur si kandidat i Vetëvendosjes kaloi në balotazh në garën për kryetar të komunës ndaj kryetarit të atëhershëm të Prishtinës dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Edhe në balotazhin e fillmdhjetorit të atij viti, ai i mundi ‘bastexhinjtë’ politikë kur e mundi Isa Mustafën për t’i dhënë fund mbretërimit politik 13 vjeçar të LDK-së në kryeqytet.

Që nga atëherë, profili politik i Shpend Ahmetit njohu rritje në publik. Kjo iu konfirmua katër vjet më vonë kur i mbijetoi një gare të ashpër politike për rikonfirmim në krye të Prishtinës. Fitorja e ngushtë ndaj Arban Abrashit të LDK-së nuk e zbehu figurën e tij.

Vetëm 1 vit para se Shpend Ahmeti të kyçej në Lëvizjes Vetëvendosje, ai i kishte hyrë garës me një parti të re, të sapoformuar, ‘Fryma e Re’ (FER). Në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2010, FER nuk kishte arritur as ta kalojë pragun e kërkuar prej 5% për të hyrë në Kuvend.

Rezultatet përfundimtare të atyre zgjedhjeve thonë se FER-i mori vetëm 2.17% apo 15 mijë e 156 vota.

Në atë kohë, listës së FER-it i printe Ilir Deda që kishte marrë 10 mijë e 862 vota.

Ndërsa Shpend Ahmeti me numër dy në listën e FER-it kishte marrë 10 mijë e 621 vota.

Përveç Ahmetit, në Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur edhe shumë dorëheqje tjera, përfshirë këtu edhe kryetarin e mandatit të kaluar Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu e deputetë e aktivistë të shumtë

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test