VV: Pavarësia nuk mjafton, bukë dhe trëndafila

Aktuale

VV: Pavarësia nuk mjafton, bukë dhe trëndafila

Më: 8 mars 2018 Në ora: 16:04
Pamje nga vendi i ngjarjes

“Pavarësia nuk mjafton! Bukë dhe Trëndafila”, ishte mbishkrimi nga aksioni simbolik që zhvilluan sot aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas në sheshin "Skënderbeu".

Aktivistja e LVV-së, Albana Gashi ka thënë se të jesh grua në Kosovë është barrë e rëndë dhe të jesh grua e varfër në Kosovë është rraskapitëse.

Gashi: Ligji nuk mjafton

“8 Marsi për ne është dita e gruas së varfër, e gruas rome, e gruas së privuar nga arsimi, e lypëses, e të papunës e të abuzuarës e asaj që shfrytëzohet dhe asaj që paragjykohet. Prandaj, jemi sot këtu të themi që ligji nuk mjafton, pavarësia nuk mjafton, përfaqësimi nuk mjafton dhe neve na duhet pjesëmarrja dhe pjesëmarrje e madhe. Na duhet barazi dhe na duhet mbi të gjitha drejtësi. Ligji na i garanton të drejtat, ne me ligj mbrohemi nga dhuna, mirëpo gjendja nuk po ndryshon. Vetëm 12 përqind e grave në moshë janë të punësuara, vetëm 12 përqind e pronave janë në pronësi të grave dhe as 10 përqind e grave nuk drejtojnë biznese”, ka thënë Gashi. 

Ajo ndër të tjera ka thënë se në bazë të një raporti të publikuar javëve të fundit, vetëm 12 përqind e grave punojnë dhe kjo sipas saj, është një diskriminim mjaft i madh.

Gashi: Diskriminim dhe varfëri e madhe

“Ne sot në ditën ndërkombëtare të gruas, e shohim ashtu siç edhe ka nisur. Kjo ditë i takon grave punëtore, tek ne grat e punësuara janë shumë pak. Sipas një raporti të publikuar javëve të fundit, vetëm 12 përqind e grave punojnë. Këtu natyrisht që flitet për diskriminim të madh, por edhe për varfëri të madhe. Kjo vjen si pasojë e sistemit patriarkal, por edhe për shkak të modelit ekonomik neo liberal. Papunësia në Kosovë është e lartë, por kjo nuk do të thotë që gratë tash po qëndrojnë rehat në pushim. Ato i mbulojnë shumicën punëve në shtëpi dhe organizmin e jetës. Të organizosh jetën përderisa të mungojnë mjetet e jetesës është punë e rëndë, ndërsa në Kosovë mungojnë, sepse Kosova është zhytur në varfëri të thellë”, ka thënë ajo.

Sipas Gashit, 74 përqind e qytetarëve në Kosovë besojnë se grat janë fajtore për ngacmime seksuale, ndërsa 1200 raste të dhunës në familje janë raportuar që nga viti 2017, ndërsa janë 5 gra të cilat janë vrarë si pasojë e dhunës në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat