Ambasadori i Burundit mohon t'i ketë shkruar letër Qeverisë për t'u ankuar ndaj Berishës e Dedajt

Aktuale

Ambasadori i Burundit mohon t'i ketë shkruar letër Qeverisë për t'u ankuar ndaj Berishës e Dedajt

Më: 9 mars 2018 Në ora: 20:12
Albert Shingiro

?Një letër e ambasadorit të Burundit në OKB, Albert Shingiro e publikuar javën e kaluar në një portal, rezulton të jetë e shpikur. Shiringo ka thënë  se nuk e ka shkruar kurrë një letër të tillë.

Ministria e Jashtme ka thënë se e ka pranuar letrën, e qeveria e Kosovës thotë se një letër e tillë nuk ka ekzistuar kurrë.

Një javë më parë u publikua një letër që u tha se ambasadori i Burundit në OKB, Albert Shingiro ia kishte dërguar ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në të, ambasadori ishte ankuar se një deklaratë e Zëvendësministrit, duke iu referuar Anton Berishës së AAK’së, do të dëmtonte përpjekjen e Kosovës për të ruajtur njohjen nga Burundi.

E-maili i dërguar nga një adresë në g-mail, më 20 shkurt, nuk ka ardhur nga ky ambasador.

Në një komunikim elektronik disaditësh, ambasadori i Burundit ka thënë se lajmi është i rrejshëm.

Kur i është kërkuar që të flasë në Skype për këtë çështje, ai ka thënë se është shumë i zënë me punët e tij në New York.

Por, a e keni shkruar këtë letër, e ka pyetur media Shingiron.

“Kurrë”, ka qenë përgjigjja e tij e prerë.

Ministria e Jashtme dhe Zyra e Kryeministrit kanë dhënë përgjigje të ndryshme për kwtw.

Zyra për media e Pacollit ka thënë ta ketë pranuar e-mailin e supozuar të ambasadorit të Burundit.

“Përveç asaj, që është raportuar në media, ne nuk kemi pranuar kurrfarë dokumenti zyrtar nga Republika e Burundit. Deri më tani, në kanale zyrtare nuk kemi kurrfarë konfirmimi për veprim apo qëndrim tjetër nga ai i mëparshmi nga ky shtet”.

KTV’ raporton se zyra e Pacollit këtë e-mail e ka dërguar fizikisht te zyra e Kryeministrit Haradinaj, por kjo e fundit e ka mohuar ekzistencën e letrës.

“Si zyrë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, nuk kemi marrë letër nga z. Albert Shingiro, ngjashëm siç nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar për tërheqjen e njohjes nga Burundi”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të kryeministrit Haradinaj.

Letra e supozuar thotë se Serbia po i ofron Burundit shumë gjëra, gjë që Behgjet Pacolli e kishte thënë në Interaktiv më 26 shkurt, kur pohoi se Daçiqi i kishte ofruar këtij shteti armatim për tërheqjen e njohjes.

Letra, pa ndonjë simbol shtetëror, çuditërisht e paralajmëron Kosovën se njohjen mund ta tërheqë edhe Republika Afrikane Qendrore.

Në tetor 2012, ishte zëvendëskryeministri i atëhershëm Behgjet Pacolli, që njoftoi se shteti afrikan e kishte njohur Kosovën, ndërkohë që para pak javësh ministri i jashtëm, serb, Daçiq tha se ky shtet e kishte tërhequr njohjen.

Serbia pretendon se njohjet i kanë tërhequr edhe Suriname dhe Burkina Faso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat